“Metamorfozis” në Sarajevë e prezantoi luftën e saj kundër deziformatave

Fondacioni “Metamorfozis”  prezantoi aktivitetet e saj në luftën kundër deziformimit në shtet dhe në rajon në kuadër të konferencës ndërkombëtare “Llogaridhënia politike dhe teknologjitë e reja – POINT” e cila u mbajt nga data 16 deri më 18 maj në Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë.

POINT organizohet bashkërisht nga rrjeti ACTION SEE, i cili është aktiv në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor. Në hapjen e ngjarjes (video), menaxherja e projektit rajonal ACTION SEE, Milla Josifovska e prezantoi Indeksin e shkallës së hapjes si një mjet specifik dhe ndikues që e mat shkallën e hapjes së institucioneve publike dhe respektimin e parimeve të qeverisjes së mirë nga ana e tyre.

Luftimi i dezinformimit në nivel rajonal

Drejtori për partneritete dhe zhvillimin e burimeve në Fondacionin “Metamorfozis”, Filip Stojanovski, i prezantoi përvojat dhe njohuritë në luftimin e dezinformatave gjatë seancës “Tregime nga rajoni i EJL-së” (video) në ditën e parë të konferencës.

Stojanovski shpjegoi se si punon Metamorfozis në demaskimin e dezinformatave duke u bazuar në kombinimin e ekspertizës në sferën e të drejtave digjitale me promovimin e gazetarisë profesionale dhe mbështetjen për pluralizmin e mediave. Këto iniciativa janë pjesë integrale e programeve të saj që e promovojnë llogaridhënien e funksionarëve publikë, politikanëve dhe palëve të tjera të interesit, duke i përfshirë edhe mediat, nëpërmjet shërbimeve për mbikëqyrje.

Qasja e Fondacionit “Metamorfozis” i kombinon njohuritë nga puna e Vërtetmatësit, të krijuar në vitin 2011 me ndihmën e NED-it, Shërbimit për verifikimin e fakteve në media, të krijuar në vitin 2012 me ndihmën e USAID-it, si dhe të Mendimit kritik për qytetarë me shkathësi mediatike – KriThink.mk, të krijuar në vitin 2018, si projekt i BE-së për të formuar sinergji me mediat e themeluara nga Metamorfozis, Portalb.mk dhe Meta.mk, duke e plotësuar punën e njëra-tjetrës dhe duke siguruar angazhim të grupeve të ndryshme të synuara.

Kjo punë e përbashkët i kundërvihet vërshimit të dezinformatave që rrjedhin nga ndikimet malinje të brendshme dhe të jashtme, dhe përfshin një projekt që është në realizim e sipër, i mbështetur nga NED-i, që i trajton dezinformatat ndërkufitare që kanë të bëjnë me zhvillimet politike në Maqedoni e Veriut dhe reflektimin e tyre në vendet fqinje ballkanike. Këto përpjekje vazhdojnë të shërbejnë si lidhje e rrjetit për bashkëpunim që përbëhet nga dhjetëra media të tjera, duke ndërtuar ura përtej ndarjeve etnike dhe gjuhësore dhe duke e nxitur inovacionin në sferën e mediave. Ato e përmirësojnë rolin mbikëqyrës të organizatave të shoqërisë civile dhe të mediave duke u bazuar në praktikat më të mira dhe standardet e cilësisë të Rrjetit ndërkombëtar për verifikimin e fakteve.

Stojanovski vuri në dukje se “faktet janë me rëndësi thelbësore, por mungojnë në mbulimin e lajmeve ndërkufitare, për shkak të anshmërive vendore politike dhe redaktuese që ndikojnë në raportimin mbi çështjet rajonale”. Ai po ashtu shpjegoi se shpeshherë verifikimi bazë i fakteve nuk mjafton dhe se është e nevojshme të shpjegohet konteksti, pasi audiencat në vende të ndryshme të Ballkanit nuk janë në kontakt me zhvillimet përtej kufijve të tyre. Nevojitet rritja e bashkëpunimit dhe e rrjetëzimit midis gazetarëve, verifikuesve të fakteve dhe aktivistëve duke mundësuar përdorimin e njohurive për kulturën lokale që të demaskohen si dezinformatat e reja ashtu edhe ato të ricikluara nga e kaluara, në veçanti për rolin e NATO-s dhe BE-së.

Duke e vënë në dispozicion produksionin e saj në disa gjuhë: maqedonisht, shqip dhe anglisht, si dhe pjesërisht në gjuhën serbe, bullgare dhe greke, Metamorfozis ofron më shumë mundësi për bashkëpunim dhe sigurim të burimeve nga ana e shërbimeve për verifikimin e fakteve dhe gazetarëve profesionistë nga vendet fqinje.

Rëndësia e kësaj qasjeje u konfirmua edhe nga paraqitja e mëvonshme e aktivistit digjital belg dhe sipërmarrësit, Martin Schenk, i cili shpjegoi se si zbuloi një “rrjet transnacional të lajmeve të rreme” me qendër në Kumanovë, duke i zbuluar aktivitetet e tyre të dyshimta në rrjetet sociale dhe pastaj duke i ndjekur autorët nëpërmjet informatave publike që janë në dispozicion. Si rezultat i kësaj, ueb-faqet që i kishin vërshuar lexuesit nga SHBA-të dhe BE-ja me dezinformata që shkaktojnë urrejtje ndaj muslimanëve dhe emigrantëve, ishin mbyllur.

“Ajo që funksionoi me të vërtetë mirë në këtë rast ishte ekspozimi publik nga ana e mediave”, tha Schenk në përfundim të prezantimit të tij, duke treguar një pamje nga ekrani të një artikulli në gjuhën angleze nga Meta.mk.

Punëtoria për përfaqësim

Më 18 maj, ekipi i projektit ACTION SEE zhvilloi punëtorinë ‘ACTION SEE: Transparenca e qeverisë – Si të bëjmë një projekt rajonal me ndikim?’ Palë të ndryshme të interesuara dhe përfaqësues të sektorit qytetar nga e gjithë bota diskutuan për atë se si të arrijnë ndikim të rëndësishëm dhe afatgjatë të projektit dhe si të gjitha vendet e rajonit të afrohen me njëra-tjetrën, duke u bazuar në përvojat e partnerëve rajonalë të projektit në lidhje me ndërtimin e kapaciteteve për përfaqësim ndaj institucioneve publike me qëllim të ndryshimit shoqëror.

Konkluzion i përbashkët ishte se parimi i përdorimit të të dhënave të hulumtimit përmes Indeksit të shkallës së hapjes dhe i zbatimit të ligjeve përkatëse për qasje të lirë në informacionet me karakter publik mund të përdoret edhe jashtë rajonit të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në vendet e Mesdheut, duke i përshtatur ato me rrethanat lokale.

Projekti “Përgjegjësi, Teknologji dhe Rrjet i institucioneve të hapura në Evropën Juglindore – ACTION SEE” është i financuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa implementohet nga Fondacioni Metamorfozis, Fondacioni Westminster për demokraci nga Britania e Madhe, CRTA – Qendra për hulumtim, transparencë dhe llogaridhënie nga Serbia, Shoqata e qytetarëve “Why not?” nga Bosnja dhe Hercegovina, Qendra për tranzicion demokratik nga Mali i Zi, Open Data Kosovo (ODK) nga Kosova, dhe Lëvizja Mjaft! nga Shqipëria. Partnerët e konferencës POINT 8.0 përfshinin National Endowment for Democracy – NED, Balkan Trust for Democracy, TechSoup Europe, Ambasadën Amerikane në Sarajevë, Digital Communicaiton Network, Outriders, GONG, TransparenCEE Network, dhe Friedrich Nauman Stiftung.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button