ANALIZË: RMV, vetëm për shpenzimet bazë të jetesës nevojiten 535 euro!

Vetëm për një muaj, apo në prill në krahasim me muajin mars, shpenzimet e jetesës që i përfshin shporta minimale sindikale janë rritur për 140 denarë. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), për t’u mbuluar nevojat themelore për jetesë në muajin e katërt të këtij viti janë nevojitur 535 euro, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Shumica e parave ose pothuajse 74% shkojnë për ushqim dhe banim. Në krahasim me muajin prill të vitit 2018, shpenzimet e shportës sindikale janë rritur për 500 denarë.

Për ushqim dhe llogaritë mujore – 23.300 denarë…

Vetëm për ushqim, duhet të paktën 226 euro në muaj, ndërsa për t’i paguar llogaritë për komunalie, mirëmbajtjen e shtëpisë, një familje ka nevojë për 170 euro. Kjo do të thotë se në shpenzimet e përgjithshme në nivel mujor, pjesën më të madhe e përbëjnë ato për nevojat themelore – ushqim dhe llogaritë për rrymë, ujë dhe komunalie të tjera.

Ja se sa para dhe për çka shpenzohen, gjegjësisht, duhet të shpenzohen për t’i plotësuar nevojat themelore për jetesë:

Të dhënat më të fundit për shportën minimale sindikale të publikuara nga LSM-ja tregojnë rritje të shpenzimeve si në nivel mujor ashtu edhe në atë vjetor, njofton Portalb.mk.  Për mbulimin e shpenzimeve jetësore në prill kanë qenë të nevojshëm 32.989 denarë në krahasim me muajin mars, që paraqitet një rritje prej rreth 140 denarësh, ndërsa në krahasim me muajin prill të vitit 2018, vlera e shportës sindikale është rritur për pothuajse 500 denarë.

Familjet e varfra disponojnë me 175 euro muaj…

Hulumtimi i publikuar para do kohësh i Entit statistikor vetëm 15.4% e amvisërive mund t’i plotësojnë me lehtësi ose me lehtësi të përballueshme nevojat e tyre me të ardhurat e përgjithshme mujore, ndërsa të gjithë të tjerët përballen me probleme. Hulumtimi e konfirmoi hendekun e madh midis më të varfërve dhe më të pasurve, kështu që familjet që përfshihen në kategorinë e “të varfërve” – në nivel vjetor disponojnë me të ardhura në lartësi prej 2.100 eurosh ose në nivel mujor prej 175 eurosh, që janë larg mjeteve të nevojshme për mbulimin e nevojave themelore për jetesë.

Shuma e të ardhurave me të cilat disponon një familje e dikton cilësinë e jetës. Statistikat tregojnë se edhe ata që punojnë ose që marrin pension nuk do të thotë se janë jashtë zonës së mbijetesës.

“Nga të gjithë të punësuarit, vetëm 9% janë të varfër, nga të gjithë të papunët – 38.7% janë të varfër, nga pensionistët – 7.7% janë të varfër dhe nga qytetarët e tjerë joaktivë, 32.1% janë të varfër” – theksojnë nga Enti statistikor, njofton Portalb.mk.

Rritje e rrogave, rritje e re e rrogës minimale…

Në përpjekje për ta amortizuar dhe për ta luftuar varfërinë, qeveria paralajmëroi rritje të re të rrogës minimale. Ajo duhet të arrijë nivelin prej 13.000 denarësh dhe sipas paralajmërimeve rroga minimale duhet të paguhet nga data 1 korrik. Siç publikoi “Portalb“-i, janë duke u zhvilluar negociata ndërmjet palëve të interesuara – qeverisë si krijues i zgjidhjes ligjore dhe punëdhënësve të cilët duhet ta paguajnë rrogën minimale. Disa nga biznesmenët na deklaruan se ka mundësi të bëhen ndryshime në një pjesë të kushteve dhe kritereve që kanë të bëjnë me shfrytëzimin e mbështetjes buxhetore që lidhe me rrogën e rritur minimale.

Përderisa janë duke u bërë analizat e fundit për rritjen e rrogës minimale, të dhënat e muajit shkurt tregojnë se në nivel shtetëror rroga mesatare neto është 24.192 denarë ose 393 euro. Krahasuar me shkurtin e vitit 2018, statistikat regjistruan rritje prej 4.5%.

“Kjo rritje është kryesisht për shkak të rritjes së rrogës neto mesatare mujore të paguar për punonjës në sektorët: veprimtaritë e mbrojtjes shëndetësore dhe sociale për 11.6%, transport dhe magazinim për 10.0% dhe në sektorin e bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit ku rritja është 8.5%” – thonë nga statistika shtetërore.

Zvogëlim të rrogës neto mesatare mujore të paguar për punonjës në krahasim me muajin e mëparshëm ka në sektorët e xehetarisë, furnizimit me energji elektrike, furnizimit me gaz, transportit dhe magazinimit.

Analizuar sipas shumës – rrogat më të larta prej 42.056 denarë paguhen në sektorin e informacionit dhe komunikimit, 41.450 denarë rrogë mesatare neto kanë punonjësit në aktivitetet financiare dhe sigurimet, në veprimtaritë profesionale dhe shkencore ajo është 28.624 denarë, rroga mesatare neto në sektorin e furnizimit me energji elektrike (gaz) është 37.459 denarë, ndërsa rroga më të ulëta prej 20.000 denarësh marrin punonjësit e bujqësisë, pylltarisë, industrisë së përpunimit të ushqimit, veprimtaritë shërbyese si hotelet, objektet hotelierike, në administratë dhe shërbimet ndihmëse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button