Shkup, mundësi për argëtim dhe bamirësi, ngjarje artistike dhe kulinare në “Ditët e kulturës çeke”

Në javën e fundit të muajit maj, gjegjësisht nga 28 maji deri më 2 qershor në Shkup organizohen “Ditët e kulturës çeke”. Me këtë ngjarje kulturore-artistike dhe kulinare, ambasada e Çekisë në Maqedoni shpreh kënaqësinë e saj për të prezantuar specialitetet ushqimore çeke në vendin tonë si dhe artin e filmit, muzikës dhe vizatimit. Njëkohësisht, organizohet edhe “Tregu i bamirësisë” në të cilin do të mblidhen para për personat në nevojë, njofton Portalb.mk.

Siç shprehet në një intervistë për Portalb.mk, ambasadori çek në Maqedoninë e Veriut, Miroslav Toman, mënyra më e mirë për të lidhur miqësi mes vete dhe për të njohur një popull është përmes ushqimit dhe kulturës.

“Përpos mbështetjes politike, biznesit dhe ndaj policisë që e kemi për Maqedoninë e Veriut, ne duam të bëjmë edhe më shumë. Prandaj kemi vendosur që këtë vit të sjellim për herë të parë ngjarjen një javore që do të prezantojë kuzhinën çeke, tregimet vizatimore (strip), filmin dhe muzikën çeke. Një mozaik ngjarjesh” thotë Toman. 

Ambasadori çek në Maqedoninë e Veriut, Miroslav Toman
Ambasadori çek në Maqedoninë e Veriut, Miroslav Toman

Ditët e kuzhinës çeke – mundësi të shijimit të specialiteteve të ndryshme

Mbahen në qendër të Shkupit, në restorantin “Pelister” nga data 28.05.19 deri më 02.06.19.

Ambasadori Toman thotë se ajo që e bën këtë kuzhinë speciale është se produktet vijnë nga oborri njëjte sikur në Maqedoninë e Veriut, por mënyra dhe stili i përgatitjes është ndryshe.

“Edhe pse janë produktet e ngjashme si këtu, mishrat e gjitha llojeve si dhe perimet nga oborri, kombinimi është ai që duhet shijuar. Gjithashtu, do të sjellim birrën më të mirë nga Çekia” thotë ai.

100 vite nga stripi çek – ekspozitë e tregimeve më interesante vizatimore

Ekspozita do të mbahet në BE-Infoqedër në Shkup dhe do të jetë e hapur nga data 29 maj nga ora 18.00.

Në të, mes tjerash, do të jenë veprat e artistit të mirënjohur çek, Kája Saudek.

Strip nga Kaja Saudek
Strip nga Kaja Saudek

Pas Luftës së Dytë Botërore kur komunistët ishin në fuqi në të atëhershmen Çekosllovaki, stripi konsiderohej si një art imperialist andaj kishte zhvillim të ngadalshëm.

“Por nga vitet e 60 dhe 70-ta, për një kohë shumë të shkurtë, lulëzoi ky lloj i artit dhe fëmijët kishin mundësinë përmes këtyre vizatimeve se çfarë të këqijash u bënë në atë kohë të komunizmit. “ tregon më tej ambasadori.

“Është një lloj arti shumë interesant, andaj ju sugjeroj që të vini dhe ta shihni ekspozitën” thotë Toman.

Komedia e viteve 70-ta, “Katër vrasje mjaftojnë e dashur” – do të shfaqet në BE-Infoqedër në Shkup më datë 29 maj.

Të premten më 31 maj, në klubin Woodstock në Shkup, nga ora 22 do të mbajë koncert muzikantja Vladivojna La Chia.

Ambasadori Toman në një intervistë me Portalb.mk, e përshkroi atë si një ndër artistet më të talentuara në Çeki që ka fituar disa çmime. Ajo këndon edhe xhez dhe është kompozitore për teatro dhe filma të ndryshëm. I përshtatet të rinjve, potencoi ai.

“Tregu i bamirësisë” – mundësi për të kontribuuar për fëmijët që janë në nevojë

Për të dhjetën herë në Shkup, kori diplomatik do të marrë pjesë në tregun e bamirësisë, më 1 qershor në Qendrën Tregtare të Shkupit. Ai fillon në ora 11 dhe zgjat deri në mbrëmje me aktivitete të ndryshme me anë të së cilave do të mblidhen para për ata në nevojë, kryesisht fëmijëve me nevoja të posaçme.

Mbi 20 ambasada në vend do të hapin stendat e tyre dhe do të shesin produktet vendore të tyre me qëllim që të mbledhin para për bamirësi. Organizator kryesor është qendra “Macedonia Welcome Centre” ndërkaq ambasadori çek, Miroslav Toman është organizator nderi.

Mes tjerash, piktori Burhan Ahmeti do të bëjë vizatime me fëmijët që do të jenë prezent atje dhe më pas do t’i shesin mes vizitorëve të tregut për qëllime bamirësie.

Në mbrëmje organizohet koncert “Dëgjo me Zemër” ku mes tjerash do të këndojë edhe këngëtarja Vladivojna La Chia. Do të ketë edhe lojë shpërblyese në të cilin çmimi kryesor është vetura “Shkoda”.

Në fund, ambasadori u bëri apel të përzemërt të gjithëve nga Maqedonia e Veriut të jenë pjesë e këtyre ngjarjeve shumë interesante.

Ambasadori çek në Maqedoninë e Veriut, Miroslav Toman
Ambasadori çek në Maqedoninë e Veriut, Miroslav Toman
Agjenda e ngjarjeve
Agjenda e ngjarjeve

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button