Kordela të bardha për njolla të zeza

Derisa e lexoni shkrimin para jush, komisari Fule tashmë është nisur drejt, rrugës së shtruar me qëllime të mira për në Maqedoni, duke kaluar kufij gjeografik, administrativ, por edhe vijat e ndarjeve bashkëkohore mes demokracisë evropiane dhe orientit ideologjik. Rrugës drejt vendit i cili gjithnjë e më shumë i ngjan fshatit të vogël të fjetur gjerman nga “Kordelja e bardhë” të Mihael Haneke në agimin e Luftës së Parë Botërore. Fshat në pronë të baronit mizor, i cili punëson vetëm gjysmën e popullatës ndërsa pjesës tjetër ia merr bukën, sipas vullnetit të fuqisë së vet. Fshat në të cilin ndodhitë dhe vrasjet misterioze mbesin të pazgjidhuara, ndërsa argëtimi i preferuar është maltretimi autoritar i të rinjve, mllefi dhe frustracioni i mbledhur i të cilit fillimisht do ta shkruajnë historinë e të ardhmes.

Ndaj shpresën e sinqertë të të gjithë neve se diku në çantën e vet komisari Fule fsheh ndonjë mehlem-formulë magjike për plagët tona vet të shkaktuara. Por sado që të dëshirojmë, megjithatë e dimë  mirë se një ditë dhe një vizitë nuk sjellin ndryshime  as shpresë për të mirë, as rekomandim për negociata. Duke theksuar se edhe përkundër të gjitha arsyetimeve dhe ankesave, faji para se gjithash dhe mbi të gjitha qëndron mbi frikën tonë të mbështjellur gjenetike dhe kurrizore nga fluturimi drejt qëllimeve dhe horizonteve tjera më të larta.
Kanë kaluar kohërat në të cilat “njerëzit e lirë ende këndonin për lirinë ashtu si skllevërit ëndërronin për të”, kur demokracia dhe vlerësimet për cilesinë e saj na përkisnin neve, qytetarëve dhe njerëzve të rëndomtë. Këto janë kohëra tjera në të cilat “Unioni Europian tashmë nuk administrohet nga parimet e lirisë dhe demokracisë, në të cilat Brukseli dikur na mësonte. Ajo tani qëndron mbi parimin e oligarkisë”, siç lamenton kolegu i gazetës sllovake Hospodarske novini. Liria, demokracia, sot është prerogativë të formulimeve, vlerësimeve, konvencionaliteteve politike, slloganeve zgjedhore, formulareve administrative dhe arsyetimeve burokratike mirë të paketuara.

Në këtë luftë të lodhur për përmbushjen e kritereve të BE-së dhe zbukurimin e paragrafeve të raporteve, viktima e parë janë vlerat e vërteta evropiane për të cilat folëm rrugës drejt demokracisë parlamentare. Sa shumë qesharake dhe me keqardhje sot tingëllojnë emrat dhe fjalët e Mone-s dhe Shuman-it, të humbur në përkthimet e “mbindërtuara dhe të zgjeruara” të gjeneratës së re të reall-politikanëve  të evrozonës. Ishte njëherë një Evropë në të cilën qëndronin liderë të gatshëm të priejnë me guxim dhe vizion, si drita për  popujt e skllavëruar nga ana tjetër e perdës së hekurt. E pashmangshme është ndjenja se në atë Evropë të ndarë ekzistonte një frymë e përkatësisë së një ideje, se sa në Bashkimin e sotëm Evropian të zërave të çakorduara dhe shiqimeve sy-shkoqura. Në të cilën guximi politik matet sipas bojkoteve të kampionateve futbollistike, ndërsa vizionin e përcaktojnë agjencitë e marketingut për rejtingje parazgjedhore. Nënkuptohet, çdo ngjashmëri mes stilit të sundimit mes Brukselit dhe Shkupit është i qëllimshëm, si dëshmi për kohën dhe frymën e sundimtarëve.

Andaj, për fat të keq, nuk duhet të befasohemi që komisari nuk do të ketë kohë ta vizitojë Lube Boshkoskin apo të takohet të paktën me avokatët e të akuzuarve nga “Monstra”. As t’i pranojë përfaqësuesit e “Aman”-it. Me arsyetimin e “pritjeve qartë të përcaktuara” nga jashtë dhe prezntimeve “mirë të elaboruara” të faktorit vendor në vendimmarrje, nuk do të ketë as dëshirë as nevojë që të takohet as me Aco Kabramov, nëse jo për diç, që të dëgjojë se edhe sot, ende diku në Evropë disa njerëz luftojnë për lirinë e zërit publik. Dëshmia e zotëri Kabramov nuk është me rëndësi për të ndikuar në cilësinë e vlerësimit për punën dhe suksesin e demokracive integruese vendore dhe të Brukselit. Me rëndësi është vlerësimi i shoqatave gazetareske të lobotomuara  dhe dominave të tyre qeveritare. Të paktën kështu vlerësojnë komisari Fule dhe ambasadori Orav.

Nuk besoj se as zotëri Fule do të na denjoj me përgjigje të çështjes së parashtruar para një viti mbi diskriminimin e shqiptarëve në dritën e demokracisë evropiane në Shkup, në Zyren e delegacionit evropian. Aq më pak pres që në raportin e vet Bashkimi Evropian do të imponojë ndonjë kapitull të ri për “gabimet dhe sjelljet joparimore të politikave bilaterale dhe multilaterale evropiane drejt Republikës së Maqedonisë”. E mirë e dimë se ka tilla. Edhe atë si, të përhapura nga Athina, përmes Berlinit, e deri në Bruksel. Prej këtu, gjithnjë e më shumë më pëlqen ideja e disa të rinjve nga Shkupi që të përgatisin raport regresi për stagnimin e Bashkimit Evropian drejt Maqedonisë, si njëfarë dëshmie krahasuese nga perspektiva jonë e mjerë. Në përputhje me urtësinë e vjetër “in medias res”, ndoshta atëherë do të kemi perspektivë më të qartë se ku qëndrojmë dhe në cilën kaçubë fle lepuri i vërtetës.
Të jemi real – thelbi i qëndrimit të Fules në Shkup është qartë i shkruar në agjendën e vizitës, e ngjeshur me takime në ministritë për të vërtetat vendore dhe me sekretariatin për “suksese të padukshme”.  Si dhe drekat e darkat  me liderët politik partiak të cilët sigurisht do ta konfirmojnë “nënshtimin dhe orientimin e vet drejt vlerave dhe integrimeve evropiane”, që në fund të shtojnë “por…”.

Andaj, nëse komisari Fule me të vërtetë ka dëshirë dhe interes që të kontribojë në përmirësimin e gjendjeve tek ne, kontributi dhe suksesi i tij më i madh i vizitës do të jetë përmes porosisë së qartë, të zëshme dhe mbi të gjitha të përcjellur publikisht deri te vet zemra e errësirës së gjendjes sonë. Porosi e përcjellur deri te vet liderët se vendosja e brendshme, korrupsioni dhe nepotizmi në partitë më të mëdha politike është e pandashme me demokracinë dhe vlerat evropiane, dhe e papranueshme nga ana e Brukselit. Indiferenca apo mosinteresimi për të përcjellur porosinë e tillë deri te liderët e partive kryesuese sërish do të kuptohet prej tyre në të njëjtën mënyrë sikur që personazhi nga “Kordelja e bardhë” mendonte për krimet dhe dënimet. “I dhash mundësinë Zotit të më ndëshkojë. Ai nuk e bëri atë. Do të thotë se është i kënaqur me mua”. 

Utrinski Vesnik 16.09.12
@Portalb (përkthim në shqip)

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button