Reja: Po studioj lojtarët e rinj

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të zhvillojë në datat 8 dhe 11 qershor ndeshjet e radhës për kualifikueset e “Euro 2020”, me Islandën dhe Moldavinë, njofton Top Channel.

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edy Reja mbërriti në Tiranë, ku ishte i pranishëm edhe në ndeshjen e Kategorisë Superiore mes Tiranës dhe Kastriotit. Trajneri Reja tha për Top Channel se, tashmë ka nisur punën pasi dëshiron që të njohë sa më mirë futbollistët.

“Duhej t’i njihja më parë, sepse nuk kemi pasur kohën e duhur. Tani që jemi këtu duhet të njoh të paktën fytyrat, sepse mund të jenë 25 lojtarë ose 28 dhe ne kemi shumë pak kohë në dispozicion. Kështu që duhet të fillojmë të krijojmë ide të qarta. E kam një listë me 32-33 futbollistë, por është e qartë se më të favorizuarit janë ata që aktivizohen më shumë, sepse kemi nevojë për ata që janë në gjendjen më të mirë fizike”, tha Edoardo Reja, trajner i Kombëtares shqiptare.

I pyetur për futbollistët që do të grumbullojë, Reja pranoi se do të bazohet te grupi aktual, por pa e përjashtuar mundësinë e prurjeve të reja në skuadër.

“Do të mbaj grupin aktual të lojtarëve, por padyshim që do të ketë edhe prurje të reja, sidomos të atyre lojtarëve të rinj që po i studioj. Më pas do të vendosim në një moment të dytë”, tha Edoardo Reja.

Mënyra e lojës është një tjetër çështje që u prek nga trajneri italian i skuadrës kuqezi.

“Të gjithë presin që skuadra të luajë në sulm dhe unë jam një prej tyre, por për këtë duhen elementët e duhur që duhet të marrësh në konsideratë, ndërkohë që duhet vlerësuar edhe kundërshtari që ke përballë”, tha tekniku italian Reja.

Në fund, trajneri Reja konfirmoi se skuadra do të udhëtojë drejt Gjermanisë për përgatitjet e saj, për shkak të klimës së ngjashme me atë të Islandës, por edhe për t’u njohur më mirë me njëri-tjetrin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button