Realizimi i investimeve në kushte të vështira ekonomike

Në kushte të krizës ekonomike kur mungojnë resurse të gatshme financiare për realizim të investimet kapitale, kreditimi i volitshëm është alternativë ideale për realizim të projekteve që përmirësojnë shërbimet ndaj qytetarëve dhe në të njëjtën kohë janë të vetëqëndrueshme.

Në një kohë krize ekonomike evropiane, që vazhdon të limitojë mundësitë për investime kapitale gjithandej, gjetja e fondeve të lira për investime në projekte të qëndrueshme që do të përmirësojnë cilësinë e jetesës së qytetarëve, paraqet një sfidë të mirëfilltë. Kërkohet përgatitje serioze e projekteve që do të bindin investitorët e brendshëm dhe të huaj në financimin e të njëjtave, si dhe pasqyrë pozitive të institucionit i cili aplikon për fonde investuese.

Këtë barrierë, në kushte kur dhe vetë shteti ka rënë poshtëme nivelin ekreditueshmërisë, arriti ta kalojë Komuna e Gostivarit, e cila pas tre vjetësh reformash sistemore ekonomike, pas përcaktimit të rejtingut kreditor nga ana e Agjencisë ndërkombëtare Moody’s, nënshkruajti kontrata për financim dhe implementim të projekteve të cilat mbulohen me mjete kreditimi nga institucione ndërkombëtare bankare, siç janë Banka Botërore si dhe KfWBanka.

Mirëpo, shkaku i shembujve negativ të huamarrjes së shtetit, apo komunave të caktuara, sidomos në kohën aktuale por edhe në të kaluarën, paraqiten dilemat nëse kjo formë e menaxhimit duhet përshëndetur apo kritikuar?

Me këtë shkrim, nuk dua që të shpalos shembujt negativ të cilat janë me bollëk dhe qytetarët e Maqedonisë janë dëshmitarë për këto, sepse edhe fëmijët e djepit e dinë shembullin e projektit “Shkupi 2014” i cili realizohet me mjete inekzistente, ndërsa në mënyrë indirekte qeveria obligohet me kredi të pavolitshme për mbulim të gropave buxhetore. Dua të potencoj një shembull pozitiv, atë të Komunës së Gostivarit, e që u bë e ditur në një press konferencë javën  e kaluar, ku përmes një raporti u bë e ditur se kjo komunë ka siguruar mbi 6 milion euro mjete nga institucione ndërkombëtare dhe po aq pritet të sigurojë në periudhën në vijim, ku një pjesë e tyre janë huamarrje por me kushte tejet të volitshme.

Ku konsistojnë përfitimet e këtyre projekteve dhe format e financimit të të njëjtave? Bëhet fjalë për projekte që synojnë të rrisin cilësinë e jetesës së qytetarëve si shfrytëzues të të mirave publike, duke pasur  parasysh qëndrueshmërinë e projekteve si dhe vetëfinancimin e të njëjtave nga kursimet në kosto për shërbimet e ofruara dhe të ardhurat që do të gjenerojnë në perspektivë.

Projekti i parë ka të bëjë me ndërrimin e llambave elektrike për ndriçim publik duke shfrytëzuar  LED dioda si teknologji e avancuar në këtë sferë, ku parashikohen kursime deri në 60% nga shpenzimet aktuale për ndriçim publik si dhe përmirësimin e shërbimit për qytetarët duke pasur rrugë të ndriçuara me standarde evropiane.

Projekti i dytë i dedikohet modernizimit të auto-parkut të ndërmarrjes publike komunale me pajisje të reja komunale me anë të së cilës do të përmirësohen shërbimet komunale për mirëmbajtjen e  pastërtisë së vendbanimeve dhe rrugëve,  si dhe do të kursehet duke mënjanuar shfrytëzimin e pajisjeve nga furnitorë të ndryshëm dhe pajisjeve të amortizuara. Këto janë projekte që financohen nga kredi të volitshme për kushtet tona, duke llogaritur në kamatë më të vogël se 1 %, me afat kthimi 10 vite si dhe grejs periudhë prej 3 vjetësh. Nga studimet e përpiluara për shfrytëzimin e kredive dhe pas analizave konstatohet se investimet duke llogaritur kursimet, bazën e kredisë si dhe normën e interesit, kthehen për 3 vite e gjysmë, duke mos llogaritur se 20% shtohet vlera e investimeve në formë donacioni nga Banka Botërore.

Projekti i tretë financohet nga kredia e KfW Bankës dhe ka të bëjë me instalimin e ujëmatësve elektronikë, me lexim nga larg, si dhe instalimin e degëzuesve kryesorë në rrjetin e ujësjellësit në qytetin e Gostivarit dhe fshatrat përreth, me anë të cilit do të evitohen humbjet në sistemin e ujësjellësit si dhe përllogaritjet reale të harxhimeve të ujit. Edhe kjo kredi është fituar me normë të volitshme të interesit, me afat të kthimit deri në 30 vite si dhe grejs periudhë prej 10 viteve. Duke llogaritur kursimet dhe efikasitetin në menaxhim me sistemin e ujësjellësit për qytetarët dhe personat juridikë, periudha e kthimit të investimit është 7 vite.

Këto elemente të financimit të projekteve dëshmojnë se kemi të bëjmë me projekte që plotësojnë kriteret e vetëfinancimit si dhe qëndrueshmërisë të vetë projekteve. Në kushtet kur mungojnë resurse të gatshme financiare si dhe në kushte krize ekonomike, ku më së tepërmi preken investimet kapitale, kjo formë financimi, me kreditime të volitshme, është alternativë ideale për realizim të projekteve që përmirësojnë shërbimet ndaj qytetarëve dhe në të njëjtën kohë janë të vetëqëndrueshme. Por, për të arritur deri te këto fonde, duhet të dëshmohet kapacitet menaxherial që reflekton siguri dhe garanci tek institucionet ndërkombëtare për implementim dhe menaxhim të projekteve të propozuara, duke pasur parasysh se kreditë komerciale në bankat vendore janë me kushte shume të pafavorshme për huamarrësit.

Për fat të mirë, Komuna e Gostivarit gjatë këtyre viteve menaxhimi e dëshmoi këtë dhe paraqet model për realizim të projekteve duke shfrytëzuar instrumente të ndryshme financiare.

Faton Jahja
(Autori është shef i Zyrës së ZHEL-it pranë Komunës së Gostivarit)

Lajme të ngjashme

Back to top button