Po t’i kishin respektuar shkollat e RMV-së rregulloret, epidemia ka mundur të parandalohet

Po të ishin respektuar Rregulloret dhe vendimet në to, nga shkollat dhe kopshtet, epidemia e fruthit në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) ka mundur të parandalohet. Prindërit e fëmijëve të cilët janë regjistruar në shkollë apo kopsht edhe më parë është dashur të parashtrojnë vërtetim se janë të vaksinuar, por Rregulloret s’janë respektuar nga këto institucione, pohojnë për NOVA nga Komiteti për Imunizimi dhe Qendra për Shëndet Publik, transmeton Portalb.mk.

Ky mosrespektim i rregulloreve ligjore, nga ana e institucioneve, ka kontribuar shumë në rritjen e numrit të fëmijëve të pavaksinuar, tha kryetarja e Komisionit për Imunizim, prof.dr. Aleksandra Grozdanovska.

“Fruthi u paraqit pikërisht për shkak se është humbur kjo mundësi për vaksinim”, thotë Grozdanovska.

Edhe sipas Ligjit për mbrojtje nga sëmundjet ngjitëse të popullsisë, i cili thotë se vaksinimi i fëmijëve është i detyrueshëm, dhe prindërit të cilët s’i kanë vaksinuar fëmijët e tyre duhet të pranojnë kallëzime për kundërvajtje dhe të paguajë gjobë prej 300 deri në 500 euro, por është më se e qartë se kjo s’është respektuar.

Këtë javë është regjistruar numër rekord i të sëmurëve nga fruthi. Në Institutin për Shëndet Publik janë raportuar 134 raste të reja, që është numri më i madh që nga fillimi i epidemisë.

Ekspertët janë të shqetësuar nëse vendim, që pak ditë më parë e miratoi Qeveria e RMV-së, sipas të cilit asnjë fëmijë nuk mund të regjistrohet në shkollë nëse nuk është i vaksinuar, do të mund të zbatohet plotësisht deri në shtatori kur nxënësit e klasës parë duhet të shkojnë në shkollë, gjegjësisht nëse do të arrihet që të vaksinohen të gjithë .

Epidemiologët, megjithatë, i brengos fakti që jehona për vaksinim, te edukatoret në kopshte sikurse te punonjësit shëndetësorë të cilët mund të jenë burim i infeksionit, është e dobët. Në Qendrën e Shëndetit Publik deri tani janë vaksinuar rreth 550 punonjës shëndetësorë, që është përqindje shumë e vogël e numrit të përgjithshëm të punonjës shëndetësorë.

Sipas epidemiologut nga Qendra për Shëndet Publik, Aleksandar Stojanov, intensiteti i epidemisë së fruthit në Shkup po qetësohet, por po rritet në qytete të tjera në brendi.

“Numri i të sëmurëve në qytete të tjera është duke u rritur. Në Shkup kanë mbetur edhe 3000 fëmijë të cilët s’janë vaksinuar, por në brendi nga gjithsej 20.000 fëmijë, të vaksinuar janë vetëm 2,000, që do të thotë se 18.000 kanë mbetur të pavaksinuar. Në situatë kur 40 përqind janë të pa vaksinuar, shpërthen epidemi”, tha Dr. Stojanov.

Sipas tij, virusi forcohet, ndërsa mund të paraqitet edhe virus i egër, që është gjë shumë e rrezikshme për shkak se është zvogëluar imuniteti kolektiv.

Epidemiologët thonë se aktualisht kulmi i infektimit nga fruthi është te personat mbi 30 vjeç. Analiza epidemiologjike tregojnë se rreth 70 për qind e të sëmurëve s’kanë qenë të vaksinuar. Në gjendje të epidemisë së fruthit doemos duhet të respektohen masat emergjentë, për të shmangur përhapjen e mëtejshme të sëmundjes, thonë ekspertët.

Deri më tani 1524 persona janë infektuar me fruth. Katër fëmijë kanë vdekur dhe një përqindje e madhe e atyre kanë komplikime të rënda, si bronkopneumoni, diarre dhe infeksione të tjera të rënda. Sëmundja po përhapet edhe në institucionet shëndetësore, në spitale dhe ambulanta. Ka raste që fëmijë të infektuar janë hospitalizuar për shkak të sëmundjeve të rënda onkologjike.

Në Klinikën e Neurologjisë, Neurokirurgjisë, Sëmundjeve të Fëmijëve dhe në atë Infektive janë sëmurë edhe mjekë e infermiere.

Sëmundja transmetohet përmes ajrit, me teshtimë dhe kollitje (më pika), por edhe me prekje objekte.

LEXO: Qeveria dhe Ministria: Në klasë të parë s’mund të regjistrohen fëmijët e pavaksinuar
LEXO: Fushata antivaksere në RMV: Në 4 vjetët e fundit, 20 për qind më pak fëmijë janë vaksinuar kundër fruthit
LEXO: Edhe tre foshnja me fruth, sot vaksinim në terren në 5 shkolla të Shkupit
LEXO: Rëndohet situata me epideminë e fruthit në RMV, për një javë 95 raste të reja

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button