Veseli: Brovina bëri një gabim të madh, por gjenocidi serb nuk e ka bazën tek një foto

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një konference për media, ka folur rreth publikimit të fotografisë nga ana e Flora Brovinës.

Veseli tha se ka bërë gabim që e ka publikuar atë foto pa u konsultuar paraprakisht.

“Flora Brovina dje ka bërë një gabim të madh, por besoj që e ka bërë pa dashje. E njoh Florën, veprimtarinë e humanizmin e saj, siç e njeh e gjithë Kosova. Por, ajo është dashur të konsultohet më herët për atë veprim. Por, ne duhet të gjithë bashkërisht të nxjerrim mësim nga ky gabim. Ky gabim na dëshmon që s’duhet të ngutemi e të ndërmarrim veprime emocionale”, deklaroi Veseli, raporton Koha.net.

Kreu i Kuvendit tha se Tribunali Ndërkombëtar për Gjenocidin Serb në Kosovë do të themelohet sepse ka dëshmi, fakte e dëshmitarë të gjallë për ato krime dhe se “gjenocidi serb në Kosovë nuk e ka bazën te një foto e as te një person, por te një politikë shtetërore serbe që ka kryer krime të planifikuara”.

“Tribunali ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë do të themelohet për t’i dënuar krimet ndaj mbi 15 mijë shqiptarëve të vrarë e të masakruar, në mesin e tyre mbi 1300 fëmijë, të grave të dhunuara, shkatërrimet e pasurisë sonë private e publike, por edhe pasojat traumatike që edhe dje edhe sot i sheh gjithkund kombi ynë. Këto janë faktet dhe arsyet mbi të cilat do të ngrihet ky tribunal”, u shpreh Veseli.

“Kjo iniciativë nuk do të ndalet e as që do të mund ta ndalë askush të vërtetën dhe drejtësinë për popullin tonë. Jam i bindur se do të ketë etiketime edhe në të ardhmen, por Tribunali ndërkombëtar është i pashmangshëm dhe do të ndodhë, ka fakte, dëshmi e dëshmitarë. Serbia do të përgjigjet për krimet në Kosovë”, potencoi kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

LEXO: Brovina e pranon: Fotografia është e falsifikuar

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button