NEPOTIZMI

Nepotizmi si dukuri në shoqërinë tonë e veçmas në kulturën tonë politike, është bërë pjesë e brenshme e zhvillimeve shoqërore e ekonomike, politike e institucionale. Madje, ai, tashmë ka fituar një farë statusi zyrtar dhe shfaqet si përkrahje e favor mbi bazë familjare e miqësore (shoqërore), sidomos në politikë. Si term “nepotizmi” e ka origjinën nga italishtja “nipote” që do të thotë, nip,  dhe filloi të përdorej në shekullin XV-XVI në përshkrimin e praktikave të emërimeve nga papët, sidomos të fëmijëve të tyre ilegjitimë (të pranuar si nipër!).

Pra, favorizimi i të afërmve mbi bazën e lidhjeve familjare, thënë më saktë është nepotizëm, me të cilën nënkuptojmë punësimin e të afërmve apo miqve të ngushtë, pa marrë parasysh meritat dhe aftësit e tyre, që zakonisht merr formën apo emërtimin e tyre në poste të larta në institucione shtetërore dhe lokale. Ky do të ishte përkufizimi i thjeshtë i nepotizmit, i cili siç dihet, pas implementimit të sistemit shumpartiak në Mal të Zi, me shpejtësi të madhe u bë “kriteri” kryesor dhe favorizues për punësimin e njerëzve sipas lidhjeve familjare, kudo dhe në çdo mjedis të shoqërisë tonë.

Nepotizmi është një sistem i udhëheqjes, ku e mira gjithmon i dhurohet një individi apo familjeje, një klani apo një grupi, ose një pjese të shoqërisë. Kjo dukuri ju mundëson udhëheqësve shtetëror dhe vendor që të lehtësojnë ngritjen e individëve, anëtarëve të familjes së tyre apo të rrethit të tyre, të shokëve të miqve në vendet, përfitimet shtetërore, në dëm të meritokracisë apo interesit të përgjithshëm shoqërorë. Nepotizmi mund ta vërejmë që nga marrja e një çertifikate të lindjes e deri te punët e mëdha si punësimi dhe përfitimi, përmes personave të afërm, miqve, shokëve dhe dashamirëve. Ndërkaq, refuzimi i kërkesës për punë nga vlera dhe kualiteti mbetet brengë kryesore për qytetarët dhe pengesë e zhvillimit të demokracisë dhe të mirëqenjes ekonomike të qytetarëve.

Në vendet demokratike nuk mund të hasim, që në institucionet shtetërore dhe lokale punësimin dhe emërtimin e funsionarëve në pozita udhëheqëse politike dhe ekonomike ta bëjnë pa konkurse publike, përmes të cilave bëhet favorizimi real i kuadrove sipas përvojës dhe aftësive të tyre profesionale, dhe jo sipas lidhjeve familjare, siç ka ndodhur dhe ende po ndodh në institucionet shtetërore dhe lokale, nisur nga emërtimet në postet më të larta shtetërore dhe deri në nivelet më të ulëta pranë administratave komunale dhe ndërmarjeve publike.

Prandaj, duke marrë parasysh shkeljet ligjore që janë bërë në aspektin e punësimit të njerëzve pa merita dhe pa përmbushjen e kritereve dhe kushteve të parapara me ligj, përkatësisht pa përmbushjen e kritereve konkurruese, nuk duhet të habitemi pse sot kemi një shoqëri të prapambetur ekonomikisht, me popullsi të varfër deri në ekstrem, rini të papunsuar, pse sot kemi një administratë të dobët shtetërore dhe komunale, pse sot në të gjitha organet dhe institucionet tona e kemi prezent në përmasa rrënuese dukurinë e nepotizmit, korrupsionit, hajnisë, keqpërdorimin e mjeteve dhe të mirave materiale shtetërore.

Në këtë rast është shumë me rëndësi të theksojmë posaçërisht edhe dukurin e “nepotizmit politik”, i cili po ashtu ka zënë rrënjë të thella në mentalitetin provincial lokalist dhe krahinor në shoqërinë tonë, i cili madje nuk ishte aspak më pak i dëmshëm se nepotizmi familjar. Ky lloj nepotizmi, ku lideri i partisë politike ka qenë dhe mbeti strumbullari kryesor rreth të cilit janë ngritur mite dhe programe politike kryekëput mbi bazat e nepotizmit dhe ideologjisë politike sipas përkatësisë rajonale, lokaliste dhe farefisnore të liderit.

Ky lloj nepotizmi ishte pa dyshim, thelbi i dështimit të shumë subjekteve politike, të cilat vazhdojnë të identifikohen me liderin dhe udhëheqësin partiak. Natyrisht, se politikanëve tanë duhet t’ua japim votat dhe mbështetjen sipas meritave dhe përvojave që kanë në jetën politike, e jo sipas nepotizmit politik, sepse një “kriter” dhe logjikë të këtillë lokaliste në politikë nuk e praktikon asnjë shtet ligjor dhe demokratik. Ky fenomen përveç se në mendësinë politike shqiptare është instaluar, ka bërë pa dyshim që politika kombëtare e me këtë edhe statusi i  shqiptarëve në shtetin e Malit të Zi të gjendet ende në fazën embrionale të saj.

E gjithë kjo që trajtuam më lartë dëshmon shumë qartë për nivelin tragjikomik dhe shumë të ulët arsimor dhe profesional të të gjithë udhëheqësve politikë të deritanishëm, me përjashtime shumë të vogla. Prandaj, pa gjetjen dhe krijimin e liderëve partiak të mirëfilltë politik dhe kombëtar, shqiptarët do të sharrojnë gjithnjë e më shumë në kaosin e nepotizmit dhe të prapambetjes ekonomike, politike dhe shoqërore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button