PIKTORI I NËNËS TEREZE

Miftar Memeti njihet prej kohësh si jetëpikturuesi i bijës së zgjedhur që kombi shqiptar pati fatin t’ia dhurojë botës, si biografi  më i veçantë i humanistes, që u përpoq të kultivojë tek njerëzit fisnikërinë, bujarinë, bëmirësinë, dhembshurinë dhe vlerat që sfidojnë mjerimin – terrenin që lindi shenjtoren e globit të përthekuar nga ankthi i kapitalit dhe sfrutimit, simbolin e paqes, dashurisë dhe mëshirës, në trupin e hajthëm të së cilës gjeti strehim shpirti altruist i mileniumit të fundit.

Ciklin e portreteve të Nënës Tereze Miftari e nisi para shumë vitesh me ilustrimet e libërthit simpatik Nënë Tereza për të varfërit, ku gërshetohen thëniet emblematike të simbolit të virgjërisë shpirtërore me pikturat që pasqyrojnë jetën e Saj që nga fëmijëria e hershme.

Erdhën pastaj sukseset e rradhës me ekspozita të denja personale mbi Shenjtoren e ndërgjegjes së botës, që tërhoqën vëmendjen e kritikës brenda dhe jashtë vendit dhe e ngritën piktorin Miftar Memeti në shkallën e artistit më serioz, më produktiv dhe më cilësor në mesin e krijuesve të preokupuar me figurën emblematike të nobelistes së famshme, e shndërruan atë  në një pandan prej piktori të biografit më të njohur të Saj – Dom Lush Gjergjit, në një mjeshtër, i cili e meriton epitetin: PIKTORI I NËNËS TEREZE.

Shikuar nga ky prizëm ishte e pritshme që Miftari të bënte diçka të veçantë, fillimisht në përvjetorin e 100 të lindjes së Nënëmadhes së botës, të shpallur gjithandej: Viti i Nënës Tereze, kurse pastaj edhe në vitin e shenjtërimit të saj. Në rastin e parë, Miftari pikturoi 100 portrete, të cilat, pa dyshim, dëshmuan potencën krijuese të artistit dhe folën për punën e tij titanike të ngjashme me atë të klasikëve të pikturës, që synonin perfekcionin e veprave artistike.

Në 100 portretet në fjalë, që kanë për sfond portretin gjigant të Ikonës së kohërave moderne, janë gërshetuar të gjitha ndjesitë e mundshme shpirtërore të përjetuara përgjatë një jete të mbushur me sakrifica, kujdes dhe dashuri të jashtëzakonshme për skamnorët, të sëmurët dhe të braktisurit. Në to Gonxhja shqiptare shfaqet me tonet e fytyrës engjëllore dhe me ato të shamisë së Saj të bardhë me shirita ngjyrë qielli, që i shkojnë shumë dashurisë dhe dhembshurisë me përmasa universi.

100 pamjet e fytyrës hyjnore të Nënës Tereze në të gjitha moshat dhe disponimet sugjerojnë udhën e vështirë të një jete, kurse portreti i madh, që shfaqet në sfond pesi pjesëmarrësit në ekspozitë vendosin në vendet e caktuara 100 portretet me formate te vogla, na e kujton karakterin e pathyeshëm dhe ecjen vertikale të humanistes nëpër zigzaket e shekullit XX, gjersa e gdhendi në ndërgjegjen njerëzore emrin e Saj të pavdekshëm.

Le të jetë ky njoftim dhe ftesë për adhuruesit e artit të Miftar Memetit, të cilët më 26 gusht të këtij viti do ta kenë privilegjin t’i shohin të ekspozuara bashkë 4 piktura gjigante të MJESHTRIT në njërën prej galerive prestigjioze në Shkup. Kjo vlen veçmas për ata që nuk patën dhe nuk kanë mundësi të vijnë t’i shohin veprat unikate në fjalë, që zbukurojnë aktualisht hollin e Universitetit të Tetovës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button