Reagimet pas dyshimeve për fotografinë e Brovinës

Reagime pas dyshimeve të forta se fotografia që publikoi sot deputetja Flora Brovina si skenë dhunimi në luftë, është akt i një filmi pornografik në Irak, transmeton Koha.net.

LEXO: Fotografia që e publikoi Flora Brovina gjendet e publikuar në faqe të huaja online


Ahmeti: Serbia do ta vazhdojë propagandën se nuk ka pasur krime por veç foto të rrejshme si kjo sot

Kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas dyshimeve se fotografitë e publikuara nga deputetja Flora Brovina nuk janë të vërteta.

Ai në një postim në Facebook, ka shkruar se dëmi që i është bërë Kosovës dhe viktimave të dhunës me foto të rrejshme është shumë i madh.

Ai ka thënë se Serbia do ta vazhdojë propagandën se nuk ka pas krime në Kosovë por veç foto të rrejshme si kjo sot.

“Dëmin që ja keni bo viktimave dhe Kosovës në përgjithësi me foto të rrejshme është tepër i madh. Me pas pagu armiqtë tonë më mirë nuk e kishin pas. Kush e organizoi krejt këtë turp? Kush del para viktimave e familjeve të viktimave me ju thënë që kanë rrejt me foto kur s’ka pas nevojë se dëshmi ka gjithandej. Kjo nuk falet. P.S. plus del një parti opozitare dhe thotë ka reagu familja e viktimës në foto”, ka shkruar Ahmeti.


Kusari-Lila: Dikush e shtyri Brovinen ta bënte këtë gabim, sonte viktimat u dhunuan edhe një herë

Kryetarja e Partisë Alternativa, Mimoza Kusari, ka reaguar pas dyshimeve se fotografitë e publikuara sot nga deputetja Flora Brovina, janë të pavërteta.

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se sonte humbëse është e tërë Kosova e sipas saj edhe deputetja Flora Brovina.

Ajo thotë se deputetja Brovina u nxit nga mendimi i dikujt në parti që të bëjë këtë gabim e që duhet muaj e vite që të përmirësohet, duke vënë në dyshim nëse një gjë e tillë është e ndreqshme, transmeton Koha.net.

“Ajo sot tregoi se për kundër bindjeve dhe punës së saj, prapë se prapë mendimi i dikujt në parti e shtyen të bëjë këtë gabim që do të duhet muaj dhe vite të tëra të ndreqen (nëse mund të ndreqet).Viktimat u dhunuan edhe një herë, të gjitha me radhë, në shtetin që ka humbur ndjesinë për drejtësinë”, ka shkruar ajo.

Kusari-Lila thotë se sot viktimë është e tërë Kosova, se sot Kuvendi synon të bëhet prokurorë dhe gjyqtarë në sistemin ku kemi rend dhe ligj dhe asgjë nuk u bë për 20 vite, por me rezolutë mundohet të fillohet dënimi i krimeve të luftës në Kosovë.

“Sot e njëjta parti që udhëhoqi dialogun dhe kurrë nuk ju përmendi krimet në dialog atyre që i kryen, ju hodhi në fytyrë pamjet e tmerrshme të dhunimit makabër popullit të Kosovës, thuajse ata duhet të vuajnë ende. Sot nuk u viktimizuan vetëm viktimat edhe një herë, sot viktimë u bë e tërë Kosova duke e kuptuar prapë sa poshtë kemi ra dhe sa i ulët është niveli i komunikimit dhe garës politike në Kosovë.
Sot viktimë është e tërë Kosova”, ka shkruar ajo.


Krasniqi-Goodman: Ma plasët zemrën

Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuara e dhunës seksuale në luftën e Kosovës, që kishte folur publikisht për përjetimet e saj, ka reaguar pas dyshimeve se fotografitë e publikuara nga deputetja Flora Brovina nuk janë të vërteta.

Brovina sot kishte publikuar fotografi me të cilat pretendonte se janë nga një vend në Kosovë ku një grua dhunohej para familjarëve të saj nga forcat serbe.

Krasniqi-Goodman ka thënë se njerëzit duhet të kenë kujdes të mos provokojnë ndjenjat e viktimave.

“Pas krejt kësaj katrahure në lidhje me foton e publikuar sot, pavarësisht se ku ndodhë apo prej kujt ka ndodhur dhuna seksuale është e dënueshme, por si një e mbijetuar unë në emër ‘të gjithave’ ju lutem që të kini kujdes dhe mos të provokohen ndjenjat tona. Sepse më së paku ne na duhet të shohim gjëra të tilla, sepse kjo është njëra nga padrejtësitë që na bëhet neve”, ka shkruar ajo në Facebook.

Në një reagim tjetër në Twitter, Vasfije Krasniqi-Goodman ka qenë më e ashpër.

“Mos e përdorni dhimbjen dhe vuajtjet tona për përfitimet tuaja. Ma plasët zemrën”, ka shkruar ajo.


Veseli: Edhe nëse fotot e Brovinës janë gabim, e sigurt është që Serbia ka kryer krime

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se edhe nëse fotografitë e publikuara nga deputetja Flora Brovina me pretendimin se aty shihen disa serbë duke dhunuar një grua shqiptare në luftën e Kosovës janë gabim, nuk duhet të lëkundet qëndrimi i Kosovës se Serbia ka kryer krime në Kosovë.

“Diçka duhet të jetë e qartë, çka do që të jetë, si do që të jetë, për çka ky Kuvend duhet të marrë përgjegjësi është që distancim edhe dënim ka deri në fund për gjenocidin serb në Kosovë e s’duhet të lejohet të ikim nga primati i idesë për t’u dënuar gjenocidi serb në Kosovë. Për pjesën tjetër, për të cilën ju e thatë, do të ishte disfatiste, nëse ka diku diçka luftë speciale për këto. Nuk jam në gjendje të flas për diçka që s’isha i informuar. Por diçka ka të vërtetë. Kjo na bën të gjithëve të gjallë e të fortë që jo të kthejmë menjëherë shpinën. Serbia ka kryer krime. Ka kryer dhunime, vrasje”, ka thënë ai në vazhdimin e seancës të enjten në mbrëmje.

Veseli ka thënë se Serbia ka kryer shumë dhunime në Kosovë dhe do të flasë me emra publikisht në Kuvend.

“Nëse ka ndodh një gabim i tillë kanë me dalë dhjetëra e qindra dëshmi pas ditës së sotme. Me dhjetëra ka kryer dhunime. Unë s’e di a është a jo. Me dhjetëra dhunime kanë kryer. Me emra e mbiemra. Do të flas publikisht, do të sjellim emrat në seancë. Gjenocidi serb ka ndodhur. A është ajo apo jo, ekspertizë s’mund t’i bëjmë”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë më tej se AKI-ja duhet të japë fjalën e saj.

Në fund ka thënë se dy deputetet Flora Brovina dhe Saranda Bogujevci, që po akuzohet se kishte folur në emër të familjarëve, nuk duhet të jetë objekt i diskutimit.


Molliqaj: AKI-ja t’i verifikojë fotografitë e Brovinës, Kuvendi të distancohet

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se Kuvendi duhet të dalë me një deklaratë distancimi nga ajo që ka ndodh në lidhje me publikimin e fotografisë nga ana e deputetes Flora Brovina.

Ai ka akuzuar edhe ish-kolegen e tij nga Vetëvendosje, Saranda Bogujevcin, që sipas tij tha se “familjarët kanë kërkuar që fotografia të hiqet”.

Deputeti Dardan Molliqaj ka thënë se organet e sigurisë duhet të zbulojnë të vertetën e fotografive të publikuara sot.

“Nuk mendoj se mund të vazhdojë punimet kjo seancë pa u verifikuar informata e asaj se çka ka ndodhur. Për atë që pamë është rrenë. Por le ta verifikojë AKI-ja. Kuvendi duhet të distancohet”, ka thënë Molliqaj.

Ai ka kërkuar dorëheqje nga të dyja deputetet.

“Nëse dalin të pavërteta deklarimet e të dyja deputetëve edhe i asaj Saranda Bogujevci edhe Flora Brovinës duhet të dyja të japin dorëheqje”, ka thënë Molliqaj.

Unë mendoj që asnjë debat nuk duhet me vazhdu. Kryetari duhet ti mbledhë kryetarët e grupeve paralmentare dhe ta nxjerrë një deklarim. Nëse një gjë e tillë del e pavertetë atëherë dy deputetet duhet të japin dorëheqje.

Kujtojmë se Brovina ka insistuar që fotografia është burimore e luftës në Kosovë dhe se e ka këtë fotografi që nga viti 2003/04.

Ndërsa Bogujevci më herët ka thënë për KTV-në se ajo ka deklaruar se që të hiqen fotografitë kanë kërkuar familjarët e viktimave të tjera, e jo ata në rastin konkret për të cilin foli Brovina.


Sejdiu: Serbisë iu dha armatim i fuqishëm për të diskredituar vuajtjet e Kosovës

Deputeti Korab Sejdiu informatat lidhur me fotografitë i ka quajtur situatë tronditëse. Ai ndër të tjera ka deklaruar se sot i është dhënë Serbisë material që t’i deskriditoj krimet serbe në Kosovë.

“Po besoj si të gjithë qytetarët edhe ne këtu në sallë kemi përcjellë një ditë me plotë ngjarje. Jemi të gjithë të tronditur me çka ka dalë në pah e që për ne ka qenë e pamundur me u verifiku. Sot është bërë një dëm i madh i është dhënë një armatim i fuqishëm Serbisë për me i deskriditu të gjitha hjekat e Kosovës”, ka thënë ai.


Aliu: Nëse fotografia është e pavërtetë, Kosovës i është bërë dëm i madh karshi Serbisë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu ka thënë se nëse del e pavërtetë fotografia atëherë ky do të jetë dëm i madh për luftën politike të Kosovës karshi Serbisë

“Të vertetën nuk e di as unë, do të merret vesh shpejt se çka është puna e asaj fotografie. Kjo i bënë dëm krejt luftës politike të Kosovës karshi Serbisë. Nëse është manipulim Serbia mund ta përdorë”, ka thënë Aliu.

Deputeti i ka dal në ndihmë koleges së tij partisë, Saranda Bogujevci.

“Saranda ka bërë një reagim jashtëzakonisht të mirë duke kërkuar që të hiqet fotografia. Saranda nuk thotë askund që bëhet fjalë për familjarët e viktimës në fjalë por për të gjithë familjarët e viktimave”, ka thënë ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Ahmet Isufi ka thënë se përveç rezolutës, çështjet tjera nuk do të duhej të diskutoheshin, derisa nuk ka dashur t’i komentojë lajmet për fotografitë.

“Seanca për çka është shtyrë do të duhej të vazhdonte sepse kemi të bëjmë me një rezolute që u miratua dhe tjera çështje as që është dashur të diskutoheshin”, ka thënë Isufi.


Bogujevci: Fola në emër të familjarëve të viktimave të tjera

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, thotë se u keqkuptua për deklaratën me të cilën kërkoi që të hiqet nga rrjeti fotografia që e publikoi Flora Brovina, me të cilën ajo pretendonte se është skenë e një dhunimi gjatë luftës në Kosovë.

“Jam keqkuptuar. Unë e thash që familjarët, në kuptim që familjarë tjerë kanë reaguar. Se mua më njoftuan që në KCRT kanë thirrur viktima tjerë e familjarë dhe kanë reaguar”, ka thënë Bogujevci, për KTV-në.

Ndërkohë që kjo ishte deklarata e Bogujevcit në Kuvend.

“Së pari kisha kërkuar nga mediat që të hiqet fotografia e publikuar më herët. Është kërkesë e familjarëve, janë të shqetësuar. Kanë kontaktuar qendrën të cilën e udhëheq zonja Feride. Sapo më njoftoi që janë të gjithë tepër të shqetësuar, kështu që kisha kërkuar të respektohen dhe të largohet ajo fotografi”, ka thënë Bogujevci.

Deputeti Dardan Molliqaj i PSD-së, ish bashkëpartiak me Bogujevcin në VV kërkoi dorëheqjen edhe të Brovinës edhe të Bogujevcit. Për këtë të dytën, me pretendimin, se sipas tij, deputetja Bogujevci “gënjeu kur tha se ka folur me familjarët e vuiktimës”.


Brovina: Fotografia është nga krimet në Kosovë, e kam nga viti 2003/04

Deputetja Flora Brovina ka thënë se fotografia të cilën e publikoi sot është e bërë në Kosovë, dhe se të njëjtën ajo e posedon që nga viti 2003 apo 2004.

“Unë e di vendin e ngjarjes ku ka ndodhur por nuk e bëj publike, sikurse edhe fytyrat që nuk keni mundur t’i identifikoni sepse janë të fshehura, gjë që është diskrecioni por e vërteta nuk duhet të fshihet”, ka thënë Brovina, teksa ka shtuar se një gjë të tillë do ta bënte publike vetëm para prokurores, por jo para opinionit.

“Mua më vjen shumë keq që edhe këtu në Kosovë ka njerëz të tillë që i nënshtrohen propagandës së armikut tonë. Nuk mund ta besoj që ka ndodh kështu. Ata vet, prindërit e tyre kanë përjetuar gjëra të tilla. Ndoshta është faji jonë që s’i kemi treguar gjeneratave të reja se kështu ka ndodhur e vërteta”, ka thënë Brovina, në një paraqitje për Koha.net.

E pyetur se qëkur e ka këtë fotografi, ajo ka thënë se “jam liruar nga burgu në vitin 2001, dhe e kam ndoshta në vitin 2003 a 2004.

“E kam ekspozuar edhe tjera herë dhe nuk ka pasur as bujë as përkrahje. Opinioni ndërkombëtar dhe i vendit kanë kapërcyer sipër si kurrgjë. Hera e parë që Prokuroria u deklarua, unë jam deklaruar se merrem me këtë çështje prej luftës e tutje, që kam shënime që duhet t’i hetojë prokuroria jonë cilado qoftë. Edhe në kohën e ndërkombëtare. E lexova Prokuroria ka bërë ftesë që jo vetëm për mua por për të gjithë ata që kanë fakte t’i dorëzojnë. Unë mendoj se ata vetë duhet të interesohen më shumë”, ka thënë Brovina.

Ajo thotë se në fotografi nuk kanë pasur qasje shumë njerëz. Por ka thënë se të njëjtën e ka publikuar edhe në një konferencë ndërkombëtare.


Ngjallen dyshime se fotografia që e publikoi Brovina është skenë e një filmi pornografik

Pak orë pas publikimit të një fotografie nga deputetja Flora Brovina, e cila pretendonte se është një akt i dhunimit të një gruaje shqiptare nga forcat serbe në Kosovë, janë ngjallur dyshime të tjera.

Fotografi të kësaj skene ka kohë që qarkullojnë në internet si pamje të një filmi pornografik.

Kjo ka ngjallur dilema për të cilat tash për tash askush nuk jep sqarime. Koha.net ka provuar të vë kontakt me Flora Brovinën, por ajo nuk është lajmëruar në telefon.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button