Debat i ashpër në këshill: Komuna e Tetovës do të kërkojë 1 milion euro nga Banka Botërore për ndërtimin e bulevardit “V.S.Bato”

Komuna e Tetovës do të aplikojë për kredi afatgjate në vlerë prej 60,640,956.97 denarë, apo 1 milion euro, nga Banka Botërore për ndërtimin e Bulevardit “V.S. Bato”, vendim i cili pas një debati të ashpër u miratua sot nga Këshilli i Komunës së Tetovës, transmeton Portalb.mk.

Vendimi për marrjen e kredisë shkaktoi reagime te opozita, pasi sipas tyre marrja e kredisë do të bënte që qytetarët të paguajnë dy herë për ndërtimin e bulevardit, pasi komuna do të duhet ta kthejë borxhin.

“Nga keq menaxhimi, punëtorët e tepruar, ndarja e ndihmave financiare që ju jepen shoqatave joqeveritare, ndarja e ndihmave financiare për njerëzit në nevojë arrin vlerën 1 milion e 500 mijë euro në vit, para që shkojnë në destinacion të gabuar. Me këto mjete do të mundej shumë më lehtë të hapej bulevardi V.S Bato, dhe jo me marrjen e kreditit. Qytetarët tash do të duhet të paguajnë dy herë, edhe për hapjen e bulevardit që nuk e marrin, dhe përsëri edhe për kreditin”, tha koordinatori i këshilltarëve të Lëvizjes Besa në Këshillin e Komunës së Tetovës, Besar Durmishi.

Vlera e projektit  të ndërtimit të Bulevardit “V.S.Bato” me gjatësi 671m përfshin vlerën 1 milion euro dhe në rast marrje të kredisë të njëjtën Komuna do të duhet ta kthejë brenda 13 viteve, me 3 vite grejs periudhë.

Këshilli i Komunës së Tetovës
Këshilli i Komunës së Tetovës

“Kjo është hera e dytë që huamarrja është miratuar dhe ka kaluar në Këshill, pra ka qenë edhe në mandatin e kaluar, në vitin 2016, bashkë me Bulevardin “Bllagoja Toska”, është marrë një shumë e parave dhe prej atëherë nuk është bërë asgjë por ende merremi me procedura. Në qershor ky vendim duhet të nënshkruhet me Bankën Botërore dhe pas asaj duhet të pritet diku deri nga shtatori për t’u miratuar nga Banka Botërore. Pas asaj duhet të fillojnë ndërtimet e bulevardit “V.S.Bato” “, tha Arif Selami, këshilltar i Aleancës për Shqiptarët.

Selami gjithashtu theksoi se qytetarët nuk duhet të presin ndërtimin e bulevardit “Bllagoja Toska”, pasi ashtu si shkojnë punët i njëjti nuk do të hapet. Ndonëse një vit më parë, në intervistën për  Portalb.mk dhe Vertetmates.mk, kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi premtoi se deri në fund të vitit të kaluar bulevardi do të jetë i hapur.

“Sa i përket bulevardit “Bllagoja Toska” qytetarët e Tetovës nuk duhet të presin asgjë sepse kështu si shkojnë punët ai bulevard nuk do të hapet. Neve na duhen shumë vite që të miratojmë apo t’i bëjmë punët të funksionojnë që të hapen bulevardet kryesore të qytetit të Tetovës”, tha Selami.

Me Planin Gjeneral Urbanistik për qytetin e Tetovës, janë paraparë 4 bulevarde kryesore, të cilët janë: bul. “Liria” (M.Tito), “Ilindenit”, “B.Toska” dhe “V.S. Bato” (Industriale), prej të cilave asnjëra nuk është e ndërtuar tërësisht. Deri në vitin 2009-të, janë bërë investime kapitale në ndërtimin dhe zgjerimin e bulevardeve dhe rrugëve të reja në rajonin qendror të qytetit të Tetovës si p.sh. zgjerimi dhe ndërtimi i bulevardit të “Ilindenit”, janë ndërtuar disa rrethrrotullime, depërtimi i bulevardit “Iliria”, kurse në periudhën 2009-2013 është depërtuar rruga “B.Kidriç” te posta prej bul. “Ilindenit”, janë ndërtuar disa rrethrrotullime si ajo te bul. “Iliria” me rr. “Jane Sandanski”, që e kanë lehtësuar qarkullimin e automjeteve në pjesën qendrore të qytetit të Tetovës.

LEXO: Bulevardi “Bllagoja Toska” për këtë dimër s’do të jetë gati, vazhdon të përdoret për parking (FOTO)
LEXO: Tetovë, hapja bulevardit “Bllagoja Toska” do të rrënojë disa shtëpi
LEXO: Tetovë, vendi ku duhet të ndërtohet bulevardi “Blagoja Toska”, është shndërruar në parking (FOTO+VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button