Rruga drejt federalizmit

E përfaqësoj idenë se konflikti në vitin 2001 në Maqedoni nuk ishte për të përvetësuar shtete (territore), por për të fituar ide për llojin e shtetit, që ishte edhe vazhdon të jetë me rëndësi për themelimin e paqes në vend.  Deri atëherë, jo vetëm Kushtetuta, por edhe qëndrimet e shumicës së partive  politike, para së gjithash prej bllokut politik maqedonas, kontribuuan për ndjenjën e “pronësisë” së shtetit nga ana e maqedonasve.

Ndodhitë (grupimet) e fundit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, me propozim-ligjin e branitellave për herë të parë pas nënshkrimit të Marrëveshjes kornizë i ndau partnerët e koalicionit (partitë) të cilët çdoherë janë parti fitimtare te blloku politik shqiptar dhe maqedonas, por njëkohësisht i bashkoi partitë nga aspekti etnik.

Megjithatë, përveç grupimeve nga përkatësia etnike, situata flet se partia dhe rejtingu janë mbi të gjitha, madje edhe mbi vetë shtetin, me çka parashtrohet pyetja se a janë të gatshme elitat politike të Maqedonisë për respekt të  ndërsjellë dhe pajtim, që është ndër porositë kyçe të Marrëveshjes kornizë.

Marrëveshja e Ohrit jo vetëm që e  vendosi paqen në vitin 2001, por edhe e ndryshoi Kushtetutën e atëhershme, e cila ishte gjenerator i  krizave, në bazë të një ndarjeje të re të pushtetit (me përdorimin e parimit të Badenterit). Por, më se e qartë është se me imponimin e serishëm të parimit të majorizimit me sjelljen e ligjit për branitellat, elita politike maqedonase po kthehet në të kaluarën dhe hap dilema. Imponohet pyetja se çfarë sistemi të ndarjes së pushtetit përcakton Marrëveshja kornizë dhe se çfarë sistemi i nevojitet Maqedonisë? Me ndarje të  pushtetit nënkuptojmë sistem i cili shkon në drejtim  të ndarjes së resurseve mes grupeve të ndryshme në shoqëri, në rastin e Maqedonisë.

Çka më tutje, ku na shpie kjo rrugë?!
Votimi i ligjit për branitellat do ta kthejë parimin e majorizimit, ndërsa partitë politike shqiptare i kthen në situatën sikurse para vitit 2001, si  “pjesëmarrës nga anash”, situatë e cila do ta kthejë vendin  në krizë dhe konflikt mes elitave politike. Si  rezultat i konfrontimit mes elitave, mund të përkeqësohen marrëdhëniet ndëretnike.

Në politikologji ekzistojnë dy modele kryesore normative të menaxhimit me konfliktet etnike. Ato janë modeli i konsocijalizmit dhe ai integrues.

Një nga risitë kryesore të paraqitura me Marrëveshjen kornizë është shumica e dyfishtë në procesin ligjdhënës, që praktikisht janë edhe elemente të teorisë konsociale, nëpërmjet së cilës bashkëpunohet në një nivel të elitave, ku grupet etnike kanë garanci se interesat e tyre do të mbrohen nëpërmjet të ashtuquajturës veto. Nga ana tjetër, për elitat politike është pothuajse e pamundur për ta futur modelin integrues, i cili themelohet në motivimin e bashkësive të ndryshme etnike për bashkëpunim, nëpërmjet të sistemeve zgjedhore të cilat inkurajojnë për formim të marrëveshjeve para-zgjedhore  mes partive politike.

Modeli integrues përpiqet të arrijë bashkëpunim politik i cili do t’i tejkalojë barrierat etnike dhe besnikëritë ndaj bashkësisë së caktuar. Modeli konsocial po shkatërrohet, ai integrues është gati se i pamundur, atëherë parashtrohet pyetja se cila është alternativa e ardhshme dhe  se vallë moszbatimi i Marrëveshjes kornizë nga ana e elitave politike na e tregon rrugën drejt federalizmit, i cili gjithashtu është model normativ dhe sistem me të cilin mund të parandalohen konfliktet. 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button