Problemet e transportit ndërurban në RMV nuk kanë të ndalur, autobusë të mbushur me qytetarë të pakënaqur

Mungesa e linjave adekuate dhe të shpeshta të udhëtimit ndërurban me autobusë, është problem i cili përsëritet me vite në Maqedoninë e Veriut. Si pasojë, mblidhen më shumë udhëtarë se sa mund të mbajë një autobus. Disa kompani e kanë shpeshtuar praktikën e mosmarrjes së udhëtarëve, duke lënë kështu ata në stacion edhe pse kanë blerë biletë. Nga ana tjetër, ka autobusë që udhëtojnë të tejmbushur me udhëtarë, transmeton Portalb.mk. Nevojitet ndryshim dhe precizim të Ligjit ose Rregulloreve të punës, por Ministria nuk lejon.

Udhëtimi me autobus nga Tetova deri në Shkup është aventurë në vete. Ndodh të blesh biletën për nisje në ora 9.00 dhe të hipësh në autobus në ora 9.45, ose aspak. Problemi qëndron në faktin se ka më shumë udhëtarë se sa vende në autobus. Kjo ndodh në mënyrë sistematike, vite me radhë.
Deri para aksidentit tragjik me “Durmo Turs“-in, autobusët stërmbusheshin pa brenga se do të ndalohen nga policia ose se shkaktojnë probleme tjera, por më pas filluan të lënë udhëtarët në stacion, duke ju thënë të presin autobusin e radhës.

Siç tregon E.Z. për Portalb.mk, i vetmi rekomandim që i kanë dhënë ditën që nuk e lanë të udhëtojë me autobus (19 mars 2019), është ai që të paraqitet më herët në stacion për të zënë ulëse.

Udhëtarë të nxjerrë jashtë autobusit sepse ishte i stërmbushur, 12-04-2019

“Ndodh shpesh në stacionin e autobusëve në Tetovë të mbushet i tërë autobusi në një orë të caktuar, dhe udhëtarët edhe pse kanë blerë biletën, nuk lejohen të udhëtojnë. Në linjën e orës 9 për në Shkup, banorët grumbullohen para autobusit që të zënë vend të parët, shtyhen dhe krijojnë rrëmujë vetëm të mos mbeten jashtë dhe pastaj të presin autobusin e radhës i cili me tërë vonesat, niset 45 minuta më vonë. Sa herë ka pas raste ku udhëtarët e lënë jashtë janë ankuar në stacion, por nuk ka pasur efekt te udhëheqësia. Në vend se të lëshojnë linja më të shpeshta kur e dinë se ka më shumë udhëtarë që kanë obligime në Shkup në atë kohë, të stacionit shprehen se “duhet të vini më herët të zini vend”, sikur kjo të ishte një gjë normale. Udhëtarët duhet të “luftojnë” për një vend që të nisen në atë kohë, dhe pse blejnë biletat, përndryshe do të mbeten jashtë dhe me këtë vonohen edhe në punë, spital, fakultet e në obligimet e tjera”, tha E.Z.

Edhe për qytetarin B.L. i cili çdo ditë udhëton në relacionin Shkup-Tetovë dhe anasjelltas, udhëtimi me autobusët e transportit ndërurban është një sfidë në vete, dhe ndonjëherë merr më shumë energji se sa vetë puna që e bëjnë.

Shembull si si qarkullohet në shpejtësi mbi 100 km/h
Shembull si si qarkullohet në shpejtësi mbi 100 km/h

“Ka shumë probleme, fillimisht orari jo i saktë i linjave, ndonjëherë vijnë më herët e ndonjëherë më vonë. Më pas vjen tejmbushja e autobusëve, pra marrin udhëtarë më shumë se sa që kanë ulëse e pastaj udhëtarët detyrohen që të qëndrojnë në këmbë. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ende më keq, udhëtarët lihen në stacion edhe pse kanë blerë biletë për t’u nisur, duke thënë se ska vend për to. Absurde është që gjithë këto shkelje të kalojnë pa u vënë re nga policia. Patrullat dhe kontrollet janë shumë të rralla dhe sipërfaqësore”, tha qytetari.

Të kontaktuar nga Portalb.mk, nga stacioni i autobusave “Sat Bus” – Tetovë nuk u pronocuan për këtë problem.

Për të qenë më keq situata, ende ka autobusë që udhëtojnë të tejmbushur me udhëtarë, duke mos pasur frikën e gjobave policore.
Udhëtarët konfirmojnë për Portalb se, autobusët e Gostivarit që hyjnë në Tetovë për të marrë udhëtarë për në Shkup, stërmbushen më shpesh, dhe nganjëherë kalojnë pa u vënë re nga policia dhe nga menaxherët e stacioneve të autobusëve. Rasti më i freskët ishte ai me mbingarkesën e autobusit Shkup – Gostivar, kur u sanksionuan vozitësi dhe kompania “Euro Turist” – Gostivar.

Stërmbujsha e autobusëve me udhëtarë ose lënia e tyre në stacion pa mos ju kryer shërbimi paraqet shkelje të të drejtave të konsumatorëve/udhëtarëve, e cila është në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve.

Ka kompani që ankohen dhe kërkojnë të marrin pjesë në “kulaçin” e linjave që ndahet nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve (MTL), duke kërkuar kështu zbatim adekuat ose precizim me ndryshime të Ligjit për transport rrugor ose të Rregullores por kjo nuk është në plan të bëhet tash për tash.

Që të kryhen shërbimet e transportit ndërurban, kompanitë e transportit duhet të kenë licencë e cila, sipas Ligjit për transport rrugor lëshohet në çdo 4 vjet.

“Transportuesi mund të kryejë transport të udhëtarëve në linja ndërurbane, në bazë të lejes që e jep Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
Leja nga paragrafi 1 i këtij neni jepet me afat të vlefshmërisë prej 4 vjetësh.
Leja për kryerjen e transportit të linjave ndërurbane: emri i linjës, emri dhe vendi i transportuesit, si dhe afati i vlefshmërisë.
Pjesë përbërëse e lejes është edhe orari i linjave të miratuara, i regjistruar paraprakisht në Ministrinë për Transport dhe Lidhje”, thotë neni 25 i Ligjit për transport rrugor.

Ilustrim

Kompanitë transportuese që nuk duan të flasin publikisht shkaku i frikës nga revanshizmi, kërkojnë edhe ndryshim të nenit 24 të po të njëjtit ligj, për ndryshim të linjave, të cilat sipas ligjit caktohet paraprakisht: “Transport të udhëtarëve në linjat ndërurbane mund të kryhet në linja të caktuara me orar të linjave të caktuara më parë”.

“Për shembull, për në Shkup – Gostivar ka linja çdo 50 minuta. Ne kemi dashur të marrim linjë, por nuk na u është mundësuar. Ndarja e linjave është e paraparë me ligj, por nuk është precizuar sa duhet, prandaj ne kërkojmë ndryshim të ligjit, që mos të përjetojmë më shumë këto diskriminime. Pse të anashkalohemi ne, kur i kemi shërbimet më të mira dhe autobusët janë shumë herë më të ri. Ne të gjithë jemi të mendimit se Ministria licencat i ndan ndaj kompanive që i kryejnë shërbime, apo mos të themi që janë të afërta me partitë, kurse ne të tjerëve na anashkalojnë”, tha pronari i njërës kompani transportuese i cili për redaksinë e Portalb.mk është i njohur.

“Nuk është mirë për vetë shërbimin, dhe udhëtarët duhet të kenë më shumë zgjidhje kur të udhëtojnë. Ligji është i tillë që nuk lejon më shumë konkurrentë, kurse vetë zbrazëtira kohore e bën linjën shumë të ngjeshur. Kërkojmë ndryshim të Ligjit, sepse është bërë në atë mënyrë, që në ndarjen e kulaçit nuk mund të marrin pjesë të tjerë”, tha pronari i një kompanie transportuese tjetër, i cili paralajmëroi se, do ta kontestojnë Ligjin, nëse MTL-ja nuk propozon që ta ndryshojë.

Ministria e vendosur: S’ka ndryshime ligjore

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski

Megjithëse të informuar për situatën në fjalë dhe për kërkesat e kompanive, për Portalb.mk nga MTL-ja deklaruan se në këtë moment nuk shohin nevojën për ndryshim të Ligjit për transport rrugor.

“Në këtë moment nuk shohim nevojën për ndryshim të Ligjit për transport rrugor, sepse i njëjti është në pajtim me kriteret për shpërndarje të linjave në transportin ndërurban dhe ndërkombëtar. Nëse Ministria e Transportit dhe Lidhjeve fillon me përgatitjen e ndryshimeve të ligjit, ndryshimet e propozuara do të jenë të publikuara në ueb faqen tonë, dhe ciladoqoftë palë do të ketë mundësi të propozojë ndryshime në nenin 24, ashtu edhe si edhe të cilitdo nen tjetër të ligjit të apostrofuar, me qëllim të përmirësimit të të njëjtit”, thanë nga MTL-ja.

Sa i përket mënyrës së ndarjes së linjave dhe orarit më të shpeshtë të autobusëve, ministria ende nuk jep përgjigje a do të ketë ndryshime në rregullore.

Aksidenti autobusi Durmo Gostivari (
Autobusi “Durmo Turs”. Foto: Borçe Popovski, Kolektif

Përndryshe, disa nga problemet me këtë transportit publik në Republikën e Maqedonisë së Veriut dolën në pah pas aksidentit të autobusit të kompanisë “Durmo Turs”, i cili para 3 muajsh u aksidentua dhe mori 16 jetë njerëzish.

Stërmbujsha e autobusëve me udhëtarë ose lënia e tyre në stacion pa mos ju kryer shërbimi, paraqet shkelje të të drejtave të konsumatorëve/udhëtarëve, e cila është në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve.
Ankesat qytetarët mund t’i dërgojnë në Organizatën për Konsumatorë të Maqedonisë: sovetuvanja@opm.org.mk / opm@opm.org.mk dhe mund t’i denoncojnë në Inspektoratin Shtetëror për Transport: KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button