Privilegje pa kufi

Maqedonia e ndryshoi emrin dhe u bë Maqedoni e Veriut por ende nuk arrin ta ndryshojë faktin që mbetet vend i privilegjeve të mëdha për politikanët që kanë dëshmuar të jenë jo vetëm të padenjtë për ato privilegje por edhe të dëmshëm për shtetin dhe shoqërinë.

Kështu, presidenti i mëparshëm Ivanov, jo vetëm që arriti të rrijë president për plot 10 vjet, pa ia kërcënuar askush seriozisht mandatin dhe duke bërë shkelje të njëpasnjëshme të Kushtetutës dhe të ligjeve të vendit, por i njejti do të vazhdojë të marrë pensionin presidinencial edhe tani pasi i mbaroi mandati. Personi i cili gjatë gjithë periudhës së parë të Gruevizmit heshti si bimë dhe nuk reagoi ndaj asnjë shkeljeje të demokracisë që bëri partia dhe lideri që atë e sollën në pushtet, ai person i cili në momentin kyç të faktorizimit të tij zgjodhi rrugën tërrësisht të gabuar dhe keqpërdori pozitën e tij për të bërë shkelje eklatante të Kushtetutës dhe të Ligjit për falje duke u munduar që të pengojë vendosjen e drejtësisë dhe bartjen e përgjegjësisë penale për miqtë e tij.
Personi që nga pozita e presidentit vendosi ta sjellë vendin në prag të luftës qytetare duke mos e dhënë mandatin dhe duke penguar kështu transferin paqësor të pushtetit, ai person që 10 vite me rradhë barti pozitën e shefit të shtetit i cili duhet t’i bashkojë dhe jo ti ndajë qytetarët e që përkundër kësaj vendosi që në mënyrë tërësisht kundërkushtetuese të mos dekretojë një sërë ligjesh, mes të cilave edhe Ligji për ratifikim të Marrëveshjes së Prespës dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve, pra ai person që faktikisht duhej ta humbë mandatin e presidentit dhe të përgjigjet penalisht për të gjitha këto veprime kundërligjore, do të vazhdojë të marrë pension presidencial dhe të shfrytëzojë privilegje tjera shtetërore, të paguara nga buxheti i shtetit.

Pra me paratë tona ne do të vazhdojmë ta paguajmë Ivanovin sikur të ishte president shembullor, nga ata burrështetas që në momentet kyçe historike e kanë udhëhequr vendin drejt një ardhmërie me perspektivë. I tillë juridikisht do të mbahet mend Ivanov, sepse nuk ka pasur asnjë përpjekje institucionale që të vendoset përgjegjësi për të. Ai do të vazhdojë të marë pensionin presidencial dhe drejtësia e këtij vendi do të vazhdojë të jetë e verbër ndaj tij, bile ta konsiderojë juridikisht të privilegjuar, sepse një herë e një kohë ai ka qenë shefi i këtij shteti dhe si i tillë do të mbahet mend.

Për shumë njerëz do të jetë bile edhe hero, hero tipik i këtij shteti, realizues shembullor i asaj që dikush këto ditë e quajti “ëndra maqedonase”, e që lirisht mund të quhet edhe ëndra ballkanike duke qenë se situata të ngjashme ka gjithandej nëpër Ballkan, ku njerëz tërësisht të paaftë vijnë në funksione me kompetenca të larta, sillen papërgjegjshëm me vlerat dhe resurset e shtetit, keqpërdorin pozitën e tyre zyrtare, involvohen edhe në vepra penale dhe në fund shpëtojnë të paprekur dhe vazhdojnë t’i shfrytëzojnë privilegjet e shtetit dhe paratë e qyetarëve duke mbetur shembullorë para drejtësisë. I tillë do të mbetet edhe Ivanov, i paguar nga xhepat tona, deri në fund të jetës së tij, për “shërbimet” e rëndësishme që ia ka dhënë shtetit tonë legjendar.

Por nuk është vetëm Ivanov në këtë mes, janë edhe shumë të tjerë, mes të cilëve edhe ish-kryeministri Gruevski, i cili vazhdon sot e kësaj dite të marë rogën e deputetit dhe për të cilin këto ditë duhet të diskutohet, vini re, të diskutohet për atë se a duhet ose jo t’i hiqet mandati i deputetit! Në seanca të gjata parlamentare, të paguara sërish nga xhepat tona, deputetët tanë duhet të diskutojnë mbi këtë çështje për jetë a vdekje: a duhet ose jo ti merret mandati Gruevskit pasi tani më tepër se gjashtë muaj mungon pa arsye nga seancat parlamentare.

Dilema të mëdha do të hapen lidhur me atë se a mungon vërtet pa arsye Gruevski, apo bëhet fjalë për një hero të persekutuar për qëndrimet e tija tërësisht “patriotike” që kanë pasur qëllim ruajtjen e identitetit maqedonas, dhe mbi të gjitha, realizimin e asaj ëndrës ballkanike të lartëpërmendur: si të mbesish në pushtet duke qenë i korruptuar, i dëmshëm dhe arrogant dhe të vazhdosh të thithësh privilegjet e shtetit dhe paratë e qyetetarëve gjatë gjithë jetës. Për dallim nga rasti i Ivanovit, te i cili drejtësia e këtij shteti u tregua tërësisht neglizhente dhe e verbër, tek rasti i Gruevskit bëhet fjalë për të dënuar me një aktgjykim të plotfuqishëm dhe të ekzekutueshëm. Pra një kriminel i gjykuar vazhdon të marë pagë deputeti sikur të ishte një deputet shembullor. Dhe miqtë e tij vazhdojnë ta mbrojnë dhe të negociojnë për të drejtat e tij të kryejë krime, të dënohet për to, të arratiset nga drejtësia dhe të tallet me të dhe me gjithë ne që vazhdojmë ta paguajmë bukur mirë për të gjitha këto ndërmarje të tij dhe për faktin që është azilanti i privilegjuar i Orbanit.

A thua vallë kaq të pasur jemi ne, ky shtet i vogël ballkanik që çdo ditë përballet me probleme eksistenciale, sa që ti mbajmë me para të buxhetit funksionarët e koruptuar dhe të dënuar për krime? Deri kur drejtësia dhe institucionet shtetërore në këtë nënqiell do të meren vetëm me konstatime absurde se kush cilat privilegje ka të drejtë t’i shfrytëzojë sa të jetë gjallë?

Kur do ta kuptojmë që dështimi i vendosjes së drejtësisë në këto raste dhe barjtjes së vërtetë të përgjegjësisë penale na kushton shumë më tepër se sa të vendosurit një herë e mirë të pastrojmë me të kaluarën kriminale dhe të jetojmë në një ambient më pak toksik ku kriminelët nuk do të privilegjohen por do të bartin vërtet dhe efektivisht përgjegjësi për të pabëmat e tyre? Është koha të transformohemi në një shtet serioz dhe jo të tallemi vetë me ligjet dhe rregullat tona. Sepse mungesa e drejtësisë efikase është burim i përhershëm i të gjitha pakënaqësive.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button