Të dënuarit e “Lagjes së Trimave” i shanë gjykatësit: Për ne gjykata nuk ekziston, kjo është Shqipëri

Atmosferë e tensionuar sot ka qenë në seancën e Gjykatës së Apelit në Shkup për rastin “Lagjja e Trimave”. Në fillim të seancës, të dënuarit kanë kërkuar hetim ndërkombëtar dhe treguan se kjo është Shqipëri, dhe se nuk e pranojnë gjykatën dhe se avokatët që ua kanë caktuar nuk kanë të drejtë të flasin në vend të tyre, njofton Portalb.mk.

Të dënuarit e kanë sharë Këshillin Gjykues, në krye të së cilës është gjykatësja Cvetanka Periq.

“Për ne gjykata nuk ekziston. Kjo është Shqipëri. Avokatët që na janë caktuar nuk kanë të drejtë të flasin në emrin tonë. Katër vjet ju dëgjojmë, tani na dëgjoni neve”, tha Genc Sefaj, i dënuar në rastin “Lagjja e Trimave”.

I dënuari Valdet Zeka, gjykatëses Periq gjithashtu i ka thënë se është një refugjatë dhe se ka ardhur këtu në Shqipëri.

Në fillim të seancës, i akuzuari Sefaj ka ftuar për një minutë heshtje për të vrarët në “Lagjen e Trimave”.

Të dënuarit përpara Gjykatës thanë se tërë procesi gjyqësor është i montuar nga koalicioni Gruevski – Ahmeti dhe kërkuan që si dëshmitarë të pranohen ish kryeministri, Nikolla Gruevski, ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ish presidenti, Gjorge Ivanov, Stajnçe Angellov, Musa Xhaferi, Sadulla Duraku dhe funksionarë tjerë të BDI-së.

Pas kësaj, të dënuarit e kanë lëshuar seancën publike, e cila do të vazhdojë vetëm në prani të avokatëve të tyre.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore Shkup 1 prej 2 nëntorit 2017 për sulm terrorist më 9 dhe 10 maj 2015 u gjykuan 33 persona. Shtatë prej të akuzuarve morën burg të përjetshëm, 13 u dënuan me nga 40 vjet, gjashtë me 20 vjet, një me 18, dy  me  nga 14, dy të tjerë me nga 13, ndërsa edhe dy u dënuan me nga 12 vjet. Katër morën aktgjykime për lirim. Prokuroria atëherë kërkoi burg të përjetshëm për të gjithë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button