Bëhuni gati, së shpejti autostrada Tiranë – Durrës do të jetë me pagesë

Brenda vjeshtës së këtij viti, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë planifikon nënshkrimin e kontratës koncesionare për autostradën Tiranë-Durrës, e cila synon që kalimi për automjetet të bëhet me pagesë.

Lajmi është bërë publik ministrja Belinda Balluku, e cila thotë se projekti për këtë aks iu është dorëzuar investitorëve, ndërsa pritet shprehja e interesit nga ana e tyre, transmeton Revista Class.

Ministria ka përgatitur fisha të veçanta për çdo projekt për të gjetur partneritetin e duhur, qoftë edhe nga pikëpamja e eksperiencave që investitorët e huaj kanë, por edhe nga pikëpamja e interesit të zhvillimit që ato kanë në vendin tonë. Kështu që, rruga Tiranë-Durrës është dorëzuar në duart e disa investitorëve të huaj që kanë treguar interes, pasi ai është aksi kryesor që lidh kryeqytetin me portin tonë ndërkombëtar. Ashtu sikurse dihet, ajo autostradë prek zonën industriale të Shqipërisë dhe jo vetëm Tiranën apo Durrësin. Kështu që, besoj edhe interesi nga ana e investitorëve, shumë shpejt do të jetë i shprehur. Ndaj mendojmë që të gjitha këto projekte, vjeshta do t’i gjejë në kohën e nënshkrimit të kontratave dhe të realizimit të tyre”, tha ministrja.

Megjithatë, Balluku sqaron se të gjithë projektet e rrugëve që synohen të jenë me pagesë, do të kenë edhe alternativën e tyre, që mund të aksesohet falas.

Të gjitha rrugët që do të konsiderohen të futen në një koncesion me pagesë do të jenë rrugë që kanë alternativën e tyre. Kjo do të thotë që qytetarët mund të përdorin rrugën alternative, pa pagesë. Gjithashtu, ajo çfarë ne synojmë në projektet tona për rrugët me pagesë është që ndërtuesi apo investitori duhet të marrë përsipër dhe rehabilitimin e rrugëve ekzistuese. Ky është një element i ri që ne po mundohemi të futim në kontratat e reja dhe që normalisht do të ishte në favor të qytetarëve dhe të shtetit shqiptar, sigurisht”, tha Balluku.

Kjo kërkesë vjen pas problematikës së shkaktuar me autostradën Milot-Morinë, ku aktualisht nuk ka asnjë rrugë alternative, ndërkohë që banorët e Kukësit janë të detyruar të paguajnë, ndonëse aplikohen tarifa të reduktuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button