Basha pas mbledhjes së kryesisë së PD-së: Përballje me të gjitha format

Partia Demokratike dhe aleatët e saj, kanë vendosur të vazhdojnë protestat me kërkesën për largimin e Kryeministrit Edi Rama, ngritjen e një qeverie tranzitore.

Pas mbledhjes së kryesisë së PD-së, kreu i kësaj partie Lulzim Basha tha se vendimi unanim i opozitës është përballja ballore me të gjitha format, transmeton Bota Sot.

Sipas Bashës, vendimi është marrë pasi forumet më të larta drejtuese të PD dhe kryetarët e koalicionit opozitar kanë shqyrtuar atë që ai e cilësoi “gjendje e rëndë e grushtit të shtetit ku ndodhet vendi”.

Kryesia e PD-së ka vendosur që protesta e radhës e opozitës do të jetë në 25 maj në mbrëmje.

I pyetur nëse do të ketë bomba molotov në këtë protestë, Basha tha se “ne kurrë nuk kemi bërë thirrje për dhunë dhe distancohemi nga çdo akt dhune”.

“Komandant i zemërimit popullor nuk është Lulzim Basha. Zemërimi popullor vetëm do të rritet. Detyra jonë është vetëm të parashtrojmë zgjidhjen politike dhe të thërrasim shqiptarët ta mbështesin këtë kauzë, gjë që e kanë bërë në mënyrë të paprecedentë dhe madhështore, për të cilën përkulem me mirënjohjen më të thellë ndaj tyre”, tha Basha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button