Përfundoi Think Tank forumi “Fuqizimi i integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor – Duke mësuar prej të kaluarës, për t’u përgatitur për të ardhmen”

Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, çështjet bilaterale, sfidat e sigurisë dhe bashkëpunim ndërmjet vendeve të rajonit ishin pjesë e temave të Think Tank forumit dyditor “Fuqizimi i integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor – Duke mësuar prej të kaluarës, për t’u përgatitur për të ardhmen” në organizim të Institutit për demokraci “Societas Civilis” në bashkëpunim me Qendrën për studime lindore nga Varshava dhe Ambasada e Republikës së Polonisë në Shkup, përcjell Portalb.mk. 

Ngjarja u mbajt më 13 dhe 14 maj (të hënën dhe të martën) në hotelin Holidej In në Shkup – Maqedonia e Veriut.

Përfaqësues të shoqërisë civile, akademikë nga vendet e Ballkanit Perëndimor plus Kroacia dhe Sllovenia, vendet e Vishegradit dhe shtetet tjera anëtare të BE-së morën pjesë në dy seanca plenare, tre tryeza të rrumbullakëta dhe një punëtori të mbyllur, e cila ishte si hyrje për samitin e ardhshëm për Ballkanin Perëndimor i cili do të mbahet në Poznan në korrik të këtij viti.

Forumin e hapën kryetari i Institutit për demokraci “Societas Civilis”, Marko Troshanovski dhe drejtori i Qendrës për studime lindore, Adam Eberhard.

Fjalimet hyrëse mbajtën zëvendësministri i jashtëm i Republikës së Polonisë Shimon Shinkovski vel Sek, homologu i tij nga Maqedonia Andrej Zhernovski dhe Maqiej Popovski, zëvendës drejtor i Drejtorisë së përgjithshme për fqinjësi dhe negociata për zgjerim të Komisionit Evropian.

Ditën e parë në dy sesione u debatua për mësimet e nxjerra nga zgjerimi i Bashkimit Evropian si dhe perspektiva e vendeve të rajonit në kontekst të integrimit të tyre të ardhshëm në BE.

Euro-skepticizmi dhe përse është zgjeruar ai, perceptimi për raundet e mëparshme të zgjerimit dhe si përvoja, përfitimet dhe sfidat që i kanë pasur vendet e Grupit të Vishegradit, pas hyrjes tyre në BE u diskutuan në sesionin e parë. BE-ja nuk ka nevojë për shtetet e reja anëtare të cilat nuk i kanë zgjidhur çështjet bilaterale ishte konkluzioni i sesionit të dytë në të cilin folësit theksuan se status quo-ja në rajon gjithashtu nuk duhet të jetë opsion për BE-në.

Dita e dytë e Forumit filloi me një tryezë të rrumbullakët ku u diskutua për bashkëpunimin rajonal të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe mënyrat e tejkalimit të çështjeve bilaterale. Si shembull i mirë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve bilaterale u theksua Marrëveshja e Prespës me të cilën u arrit zgjidhja e problemit me emrin midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Pjesëmarrësit në tryezën e dytë diskutuan për sfidat e përbashkëta të sigurisë me të cilat përballen BE dhe Ballkanit Perëndimor si krimi i organizuar, reforma e sektorit të sigurisë dhe gjyqësorit, ndërsa u theksua edhe nevoja për besim më të madh ndër-institucional në rajon.

Qëndrueshmëria e vendeve të Ballkanit Perëndimor ishte temë e tryezës së tretë të rrumbullakët në të cilën u theksua ndikimi i Rusisë dhe Kinës në rajon dhe modalitetet e ndikimit të tyre përmes investimeve ekonomike dhe kapitale.

Ngjarja përfundoi me një punëtori të rrjetit SEE Think Net në të cilën u shkëmbyen praktikat më të mira për bashkëpunim të think tank komunitetit dhe institucioneve shtetërore përmes përvojës së vendeve të Vishegradit.

Forumi, i cili u mbajt për herë të parë në këtë format, u mbështet nga Qeveria e Polonisë dhe u organizua nën patronazhin e presidencës së Polonisë me Samitin për Ballkanin Perëndimor (Procesi i Berlinit).

LEXO:Shkup, fuqizimi i integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, duke mësuar prej të kaluarës, për t’u përgatitur për të ardhmen

LEXO: Polonia mbështet anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, organizon dhe Samit BE-BP në Poznan

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button