Paçja, përbërësi kryesor i sofrës së iftarit në Shkup

Muslimanët në Shkup kanë arritur që ushqimet speciale që i përgatisin prej vitesh gjatë syfyreve dhe iftareve në muajin e Ramazanit t’i vazhdojnë edhe sot me të njëjtin përkushtim dhe entuziazëm, shkruan Anadolu Agency (AA).

Sikurse në shumë vende të botës, edhe muslimanët e Shkupit përgatisin me kujdesin më të madh sofrat e tyre të Ramazanit.

Krahas ushqimeve të shumta nga brumi, shijet tradicionale që pasurojnë sofrat e syfyrit dhe iftarit janë edhe ushqimet me mish.

Gjella tradicionale e quajtur “Paçe” është ushqimi pa të cilin nuk shtrohet sofra e iftarit në Shkup.

Paçja, e cila konsumohet edhe jashtë muajit të Ramazanit, njihet si një shije që asocohet me iftarin.

Kjo gjellë përgatitet me miell, kos, hudhër, uthull, krip, vaj dhe piper të kuq, ndërsa konsumohet para pjatës kryesore.

Melek Shaban, 71-vjeçare nga Shkupi, shpjegoi për AA traditat e shkupjanëve gjatë Ramazanit dhe ushqimet e tyre në sofrat e syfyrit dhe iftarit.

Shaban shprehet se kanë arritur që me sukses t’i bartin traditat nga kohërat e vjetra deri në ditët e sotme, duke shtuar se gjellat që i kanë mësuar gjatë viteve të rinisë ende zbukurojnë sofrat e iftarit.

Ajo thotë se përgatitjet për iftarin fillonin qysh nga orët e mëngjesit.

“Sofra shtrohej 20 minuta para (iftarit). Mblidheshim rreth saj dhe bënim lutje. Bëhej sherbet nga uji i trëndafilit”, tregon Shaban.

Duke theksuar se paçja dhe qoftet gjenden në mesin e ushqimeve kryesore në iftar, Shaban thotë se krahas këtyre janë konsumuar edhe shumë ushqime të tjera, si çorba, bamje, sarma, kadaif, bakllava dhe sheqerpare.

Ajo rrëfen se pas çeljes së iftarit, fillimisht falnin namazin e akshamit, ndërsa më pas ktheheshin në sofër për të vazhduar ushqimin.

Ajo tha se paçja parapëlqehet në iftar pasi është ushqim i lehtë.

“Pasi haheshin ushqimet, ngriheshim nga sofra. Për tretje (të ushqimeve), pihej kafe sade. Bënim muhabet dhe më pas falnim teravinë në shtëpi. Më pastaj, pinim çaj dhe bisedonim. Kemi kaluar ditë shumë të mira”, rrëfen Shaban.

Ajo thotë se gratë e moshuara mësonin vajzat e reja të gatuanin gjella të ndryshme.

“Ne nuk dinim të lodheshim. Nuk kishte lodhje. Gëzoheshim kur vinin mysafirë”, thotë Shaban.

Ndërkaq, në syfyr, thotë ajo, bëhej manti dhe byrek me mish, qepë ose me gjizë. Siç shprehet ajo, ushqimet nga brumi parapëlqehen në syfyr pasi mbajnë njeriun të ngopur për një kohë më të gjatë.

“Më herët (në syfyr) hahej më shumë byrek, pasi byreku të mban të ngopur më gjatë… Nëse dita ishte e gjatë, byreku bëhej pas ikindisë dhe piqej në syfyr. Nëse dita ishte e shkurtër, byreku bëhej pas teravisë”, tha Shaban për AA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button