Qeveria e RMV-së, ende s’e ka publikuar listën e përkthyer në shqip me emrat e rinj të institucioneve

Kanë kaluar më shumë se dy muaj që kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancë ka miratuar emrat e rinj të institucioneve dhe disa organeve të tjera pasi është ndërruar emri i shtetit, por të njëjtat ende nuk janë publikuar në ueb-faqen e Qeverisë edhe në shqip, njofton Portalb.mk.

Nga Qeveria thonë se grupi ndër-resor i ka përkthyer emrat e rinj edhe në shqip dhe të njëjtat ua ka dërguar institucioneve përkatëse për përdorim, por të njëjtat nuk janë publikuar në ueb-faqe.

“Emrat e institucioneve janë përkthyer dhe u janë dërguar institucioneve me rekomandimet se si duhet të përdoret emri i ri i shtetit edhe në shqip në harmonizim me Marrëveshjen e Prespës dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve”, thonë nga Qeveria, por lista me emrat e institucioneve ende nuk na është dërguar, ndonëse një gjë të tillë e kërkojmë më shumë se dy muaj.

Bëhet fjalë për gjithsej 136 njësi të organeve shtetërore dhe publike dhe organizatave të tjera. Në kushte kur mungon versioni zyrtar shqip i emrave të institucioneve, mediat shqiptare janë të detyruara t’i përkthejnë nga anglishtja ose maqedonishtja, secili në formën e vet.

Rikujtojmë se me një muaj vonesë, pas insistimit të redaksisë së Portalb.mk, Ministria e Punëve të Jashtme e publikoi udhëzimin zyrtar për përdorimin e emrit të ri të shtetit “Maqedonia e Veriut”, edhe në gjuhën shqipe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button