OSBE: Vetëm 2% e grave që kanë përjetuar dhunë familjare, rastin e kanë paraqitur në Polici

“Duke shfletuar raportin e OSBE-së, një aspekt më shqetësoi shumë.  Vetëm dy për qind e grave të anketuara që kanë përjetuar dhunë nga partnerët e tyre të tanishëm i kanë raportuar policisë incidentin më të rëndë që kanë përjetuar.
Këtë sot e tha kryeministri Zoran Zaev, i cili ishte nikoqir i prezantimit të rezultateve nga sondazhi, i publikuar nga OSBE – Shkup, që tregon se dhuna ndaj grave në Maqedoninë e Veriut shpesh ngel e pa raportuar dhe se disa forma të dhunës fizike dhe seksuale janë shumë të përhapura në vend, njofton Portalb.mk.

“Dhuna ndaj grave është e papranueshme dhe ne duhet ta trajtojmë atë urgjentisht. Qeveria jonë është e angazhuar për përmirësimin sistematik të barazisë gjinore dhe eliminimin e të gjitha formave të dhunës kundër grave”, tha Zaev.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, në fjalimin e saj në panel-diskutimin tha se Qeveria ka vullnet të fuqishëm që të punojë në zgjidhjen e këtij problemi dhe ta zbatojë Konventën e Stambollit.

“Rajoni i Shkupit ka qendra krize për gratë viktima të dhunës. MPPS i ka dhënë detyrë vetes që të hapë pesë shërbime dhe shpresoj në mbështetje ndërkombëtare që të aktivizojmë kuadër përkatës i cili do të punojë drejtpërdrejtë me viktimat. Plotësisht aktivisht punojmë në ligj të ri që do t’i përfshijë të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe këtë vit pritet që të hyjë në procedurë kuvendore”, tha Carovska.

Hulumtimi po ashtu tregon se ekziston një nevojë e veçantë për më shumë mbështetje dhe veprime të synuara për të ndihmuar gratë nga grupet e pakicave dhe nga zonat rurale.

“Dhuna me bazë gjinore mbetet një nga shkeljet më të përhapura dhe më të vazhdueshme të të drejtave të njeriut në nivel global që ndikon në jetën e grave dhe vajzave në vende dhe rajone të ndryshme. Ajo kërcënon sigurinë e të gjithëve. Për ne në OSBE, kjo dhunë strukturore nuk është vetëm një shkelje e të drejtave të njeriut të grave dhe të vajzave, por edhe një çështje sigurie,” tha shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Klemens Koja.

Sondazhi është i pari i këtij lloji i zhvilluar në Evropën Juglindore dhe Evropën Lindore. Ai jep një pasqyrë të detajuar të dhunës fizike, seksuale dhe psikologjike të pësuar nga gratë dhe vajzat në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovine, Malin e Zi, Serbi, Moldavi dhe Ukrainë. Anketa u zhvillua edhe në Kosovë.

Raporti për Maqedoninë e Veriut mund të gjendet në këtë link: https://www.osce.org/secretariat/419264
Raporti i rezultateve kryesore të anketimit mund të gjendet në këtë link: https://www.osce.org/secretariat/413237

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button