Dy dekada nga marrëveshja e dëmshme për “OKTA”: Qytetarët kanë paguar dyfish më shumë

“Okta” është blerë për rreth 32 milionë dollarë, kurse vetëm në bazë të pagesës nga viti 2009 ua kemi kthyer paratë dhe tetë milionë dollarë plus, ndërsa duhet të paguajmë edhe 32 milionë dollarë shtesë

Kanë kaluar 20 vite që kur Qeveria e udhëhequr nga kryetari i atëhershëm i VMRO-DPMNE, Ljubço Georgievski ia shiti rafinerinë shtetërore “Okta”, kompanisë greke “Helenik Petroleum”, e pastaj bashkëpunëtori i tij i afërt, ish kryeministri Nikolla Gruevski (tani i arratisur nga drejtësia) si ministër i atëhershëm për tregti ka nënshkruar anekse me të cilat kompanie greke ka përfituar kushte të volitshme gjatë importit të naftës, ndërsa shteti jonë u paguante dëm kompanive “Mamidoill – Xhetoill” për shkak të shkeljes së marrëveshjes për furnizim ekskluziv të vendit me naftë, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk

Sipas kryetarit të tanishëm të Komisionit rregullator për energjetikë, Marko Bislimovski, dëmin më të madhe prej marrëveshjes për shitblerjen e “Okta” si shtet e kemi pasur nga obligimi për mazutin. Përkatësisht, shteti ka qenë i obliguar të blejë 500 mijë tonelata mazut në nivel vjetor pavarësisht që nevojat janë më shumë se pesë herë më të ulëta. Bislimovski thotë se “s’ka pasur aspak probleme në lidhje me metodologjinë për shitjen e derivateve të naftës që është aplikuar deri më tash”.

“Problemi ka qenë dhe ka mbetur me obligimin për blerjen e mazutit. Si shtet një herë në vitin 2009 kemi paguar 40 milionë dollarë dëmshpërblim për mos zbatimin e obligimit për mazutin. Tani ka ardhur kërkesë e re prej 32 milionë dollarëve dhe e njëjta është dërguar në arbitrazhin e njëjtë që në vitin 2009 ka vendosur të paguhet dëmshpërblim prej 40 milionë dollarë për shkak të mos shpenzimit të 500 mijë tonelata mazut në vit. Dëmi më i madh i asaj marrëveshjes është në atë pjesë”,  thekson Bislimovski.

Ai shton se “Okta” është blerë për rreth 32 milionë dollarë, kurse vetëm në bazë të pagesës nga viti 2009 ua kemi kthyer paratë dhe u kemi dhënë tetë milionë dollarë plus, ndërsa tani duhet të paguajmë edhe 32 milionë dollarë shtesë duke i përfshirë edhe kamatat.

“Kush ka qenë ai që ka bërë parashikim të tillë se vendi do të shpenzojë 500 mijë tonelata mazut në nivel vjetor në kushte kur gazsjellësi në vitin 1999 ka qenë duke u përfunduar dhe kur çmimi i energjisë elektrike në tregjet botërore ka qenë 28 deri 32 euro për megavat orë dhe kur prodhimtaria e CTE Negotinë me mazut ka qenë më shumë se dy herë më shtrenjtë se sa çmimi vendas ose çmimi i importuar të cilin e ka paguar shteti për energji elektrike atëherë. Ai që e ka dhënë atë propozim i ka shkaktuar dëme tepër të mëdha shtetit, e për më tepër edhe ata që kanë mbështetur atë marrëveshje që ka kaluar edhe në Qeveri dhe është ratifikuar në Kuvend. “Okta” është blerë për 32 milion dollarë, kurse tani vetëm në bazë të obligimit për mazutin ne do t’i paguajmë minimum prej 75 milion dollarë. Kjo donë të thotë se s’kemi fituar para për “Okta” të cilën e kemi shitur, por atyre të cilët e kanë blerë u kemi paguar më tepër se 30 milionë dollarë. Nëse diku në botë ekziston logjikë e tillë tregtare unë do t’i tërheq të gjitha fjalët që i thash”, thekson Bislimovski.

Mirëpo, krahas obligimit për blerje të mazutit, marrëveshja e dëmshme për shitjen e rafinerisë “OKTA” parashihte edhe marzhë profiti për “OKTA” në shumën e tanishme prej 29 dallarë për ton. Kjo donë të thotë se qytetarët në mënyrë plotësuese kanë paguar nga 1,6 denarë për çdo litër të blerë si rezultat i kësaj marrëveshjes së dëmshme.

“Deri tani me metodologjinë ekzistuese, marzha profitabile që ishte e garantuar për prodhuesin ka qenë 29 dollarë për ton. Ajo i është garantuar prodhuesit OKTA”,  thotë kryetari i KRRE Bislimovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button