Pjesa më e madhe e mësimdhënësve notat i nxjerrin nga mangët, thonë inspektorët e arsimit

Inspektorët e arsimit në pjesën “Mësimdhënie dhe mësimnxënie” në raportin e tyre të fundit për cilësinë e procesit edukativo-arsimor, kanë konstatuar se anë e dobët e mësimdhënësve është hartimi i kritereve për vlerësimin e nxënësve.

Aty është theksuar se numri më i madh i mësimdhënësve në shtet, nuk hartojnë dhe nuk aplikojnë kritere për vlerësim. Mësimdhënësit me të cilët biseduam, janë të befasuar me konstatimin e këtillë të ISHA, transmeton Meta.mk, përcjell Portalb.mk.

“Secili mësimdhënës për lëndën e vet përpilon kritere për vlerësim, sipas standardeve të cilat janë dhënë nga Byroja për zhvillim të arsimit. Secili mësimdhënës ka dëshmi sipas të cilave i jep notë nxënësit dhe secili mësimdhënës përgjigjet për notën që jep”, thotë Jadranka Klisarova, mësimdhënëse shumëvjeçare në shkollën “Bllazhe Koneski”në Aerodrom dhe anëtare e Asociacionit të mësimdhënësve më të mirë në vendet e ish Jugosllavisë.

Në lidhje me vlerësimin e nxënësve, jemi konsultuar edhe me personat përgjegjës në Byronë. Nga aty informojnë se do të ketë element të ri gjatë notimit,  i quajtur “Rezultate të mësimit”.

“Jemi duke përgatitur programe të reja arsimore. Jemi duke i hartuar me rezultate të përcaktuara qartë nga mësimnxënia, përkatësisht çka është ajo për të cilën nxënësi është i aftë pas realizimit të programit. Rezultatet nga mësimnxënia janë të orientuara në drejtim të zhvillimit të kompetencave të nxënësve që kanë të bëjnë me krejt atë që pritet nxënësit ta dinë, ta kuptojnë ose të jenë të aftë të bëjnë, të mendojnë më mënyrë kritike dhe të ndërtojnë qëndrime. Në bazë të rezultateve të qarta nga mësimnxënia, të cilat janë të ndara sipas niveleve të diturive, janë hartuar standarde për vlerësimin e vet programit. Në bazë të kritereve për vlerësim, mësimdhënësit i shfrytëzojnë standardet për vlerësim të programit të ri mësimor”, shpjegon Oliver Stanojoski nga BZHA.

Përndryshe, në raportin e inspektorëve të arsimit, në pjesën Mësimdhënie dhe mësimnxënie, thuhet edhe se në procesin arsimor ka interaktivitet më të madh në relacionin mësimdhënës-nxënës.

“Mirëpo, gjithashtu në procesin e mësimdhënies për shkak të teknologjisë jofunksionale, mësimdhënësit nuk kanë mundësi për të realizuar TIK në mësimdhënie. Në shkollat e mesme profesionale anë e dobët është organizimi dhe realizimi i praktikës gjatë pushimeve verore, e cila organizohet dhe realizohet në mënyrë të papërshtatshme. Për pjesën më të madh të shkollave është konstatuar se janë të hapura për prindërit të cilët me kohë janë të informuar për suksesin dhe sjelljen e nxënësve që edhe më parë ka qenë anë e fortë”, shkruan aty.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button