Caktohen arbitrat e finaleve. Skomina në Champions, Rocchi në Europa League

Arbitri Damir Skomina është zyrtarizuar nga UEFA si ai që do të vendosë drejtësinë në finalen e turneut më të rëndësishëm për klube në futbollin europian, transmeton Top Channel. 

Slloveni do të gjykojë derbin anglez mes Tottenhamit dhe Liverpoolit në finalen e madhe të Champions League, që është programuar të shtunën e 1 qershorit në stadiumin “Wanda Metropolitano” në Madrid.

42-vjeçari Skomina, që gjykon ndeshje ndërkombëtare që prej vitit 2002, firmos kështu “tripletën” e ëndrrave për arbitrat në kontinentin e vjetër. Ai ka drejtuar më parë finalen e Europa League në vitin 2017, atë mes Ajax e Manchester United që u fitua nga anglezët, si dhe Superkupën e Europës në vitin 2012, mes Chelseat dhe Atleticos që u fitua nga spanjollët.

Ndërkohë, UEFA vendosi gjithashtu arbitrin për finalen e Europa League, më 29 maj në Baku të Azerbajxhanit. Italiani Gianluca Rocchi do të jetë bilbili i sfidës që impenjon Chelsean dhe Arsenalin, dy ekipet londineze në një derbi si kurrë më parë në këto nivele.

Rocchi ka drejtuar 6 ndeshje të Championsit këtë sezon, ndërsa gjykon në nivele të larta prej shumë vitesh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button