SHBA: Qeveria e Kosovës të ndalë emërimet e individëve të pakualifikuar në pozita

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës për emërimin e individëve të pakualifikuar në pozita të larta qeveritare përfshirë edhe individë të dënuar për krime lufte, individë nën aktakuzë aktive për krime të rënda dhe të dyshuar për keqpërdorim të rëndë të pozitës, tranmeton REL.

Përmes një komunikate për media, ambasada e SHBA-së në Prishtinë thotë se veprime të tilla “minojnë besimin e publikut që Kosova po përpiqet ta ndërtojë, e privojnë vendin nga mundësia për të pasur individë kompetentë, me nam dhe më se të kualifikuar për të kryer punën në qeveri dhe i çnderon viktimat e krimeve të kaluara të këtyre individëve”.

“Individët e pakualifikuar, të cilët janë dënuar nga drejtësia apo janë duke u ndjekur në mënyrë aktive për krime të rënda, si dhe ata që kanë shfaqur gatishmëri për të vepruar, të sigurtë se nuk do të dënohen, dhe kanë keqpërdorur autoritetin e tyre, nuk kanë vend në pozitë zyrtare”, thuhet në komunikatën e ambasadës së SHBA-së.

Këto veprime të Kosovës, sipas administratës amerikane, “pengojnë përparimin e Kosovës drejt ndërtimit të namit në rrafshin ndërkombëtar që do ta bënte atë partnere të dëshirueshme për vendet e tjera dhe forcon pozicionin e kundërshtarëve që do të pohonin se Kosova nuk është e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit”.

SHBA-ja, e cila nga liderët e Kosovës, konsiderohet si partner strategjik dhe i përjetshëm i vendit, përmes qëndrimit të saj të fundit, fton qytetarët e Kosovës dhe udhëheqësit e saj të reflektojnë se çfarë fytyre duan që Kosova t’i tregojë botës.

“Iu bëjmë thirrje udhëheqësve të Kosovës për ta marrë këtë çështje seriozisht dhe të ndalen e ta prapësojnë këtë prirje të emërimit të individëve, disa prej të cilëve ambasada tashmë i ka cekur me emër, përzgjedhja e të cilëve duket se çon përpara qëllimet afatshkurta politike e jo nevojat legjitime të qytetarëve të Kosovës ose kredibilitetin e shtetit”, thuhet në komunikatën e ambasadës së SHBA-së.

Në fillim të muajit mars Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe reaguan lidhur me emërimin nga Kuvendi i Kosovës, të Naser Shalës në pozitën e drejtorit të Sekretariatit të të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës.

Në muajin shkurt ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett pati kritikuar emërimin e ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimi në pozitën e këshilltarit politik në zyrën e kryeministrit, Ramush Haradinaj.

“Kriminelët e luftës nuk e kanë vendin në Qeverinë e Kosovës”, pati thënë Kosnett.

Mediat lokale kanë raportuar se Sylejman Selimi së fundi është emëruar ambasador i Kosovës në Shqipëri. Mirëpo, një vendim zyrtar në lidhje me këtë emërim ende nuk është bërë publik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button