Irani: Izraeli “dinak” qëndron prapa sulmit të tankerëve në Gjirin Persik

Një zyrtar i lartë iranian tha se vendi i tij beson se “Izraeli dinak” qëndron pas sulmeve të pretenduara më herët gjatë javës mbi katër tankerë të naftës në Gjirin Persik, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Mehr, zëdhënësi i Parlamentit iranian, Bahruz Nemati, tha se Parlamenti së fundmi ka diskutuar çështjen në një seancë të mbajtur me dyer të mbyllura.

Në kumtesën e përcjellë të hënën nga agjencia e lajmeve, Nemati ka thënë: “Ne besojmë që dinakët izraelitë qëndrojnë pas këtij incidenti”. Ai nuk dha sqarime.

Të dielën, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) tha se katër tankerë të naftës, në mesin e të cilave edhe dy anije saudite, u “sabotuan” jashtë brigjeve të Fujaira-s, njërës nga shtatë emiratet e EBA-ve.

Abu Dhabi zyrtar nuk fajëson ndonjë palë për sulmet e pretenduara, të cilat më pas u përshkruan nga ministri i Jashtëm iranian si “shqetësuese dhe për të ardhur keq”.

Përmes një deklarate, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Sayed Abbas Mousavi, gjithashtu u bëri thirrje EBA-ve që të japin më shumë informacione për rrethanat e sulmeve sabotuese.

Zhvillimet e fundit vijnë sidomos pas tensioneve në rritje mes Iranit dhe SHBA-ve, pasi Pentagoni zyrtar më herët këtë javë njoftoi vendosjen e një grupi sulmues me bartës të avionëve në Gjirin Persik.

Pentagoni zyrtar arsyetoi lëvizjen detare duke i cituar “informatat e inteligjencës” rreth një sulmi të mundshëm iranian mbi interesat e SHBA-ve në rajon.

Teherani është përgjigjur duke kërcënuar mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, që është arteria kryesore për dërgesat globale të naftës që lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button