Bujku demantoi “E1-in”: Asnjë nga të akuzuarit në “Monstra” s’e kam parë në Liqenin e Smillkovës

Në Gjykatën Penale të Shkupit sot ka vazhduar gjykimi për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012-të, apo i njohur në opinion si rasti “Monstra”, njofton Portalb.mk.

Sot përpara të pranishmëve ka deklaruar, bujku nga fshati Luboten, Ramadan Murati, i cili në periudhën e krimit, e ka mbjellë me shalqi, tokën që ka qenë ngjitur me Liqenin e Smillkovës dhe e cila ka qenë në pronësi të të akuzuarit, Fejzi Aziri.

Gjatë deklaratës së tij, dëshmitari Murati e ka demantuar deklaratën e dëshmitarit “E1”, i cili ka pohuar se 3-4 ditë përpara vrasjes, në vendin e krimit ka parë 4 persona me veturë Golf 3 të zi, me dritare të errëta, duke aluduar se ata kanë qenë të akuzuarit.

“Ditën e ngjarjes (12 prill 2012), prej mëngjesit (8-9 mëngjes) kam qenë në fushë bashkë me 4 familjarë të mi dhe kemi punuar deri përpara errësimit, pra (19:00-20:00 ora). Atë ditë, por edhe tjera ditë më herët asnjërin prej të akuzuarve nuk e kam parë në Liqenin e Smillkovës. Nuk ka pasur gjasë që Fejzi Aziri të ndodhej ndonjëherë aty dhe unë të mos e kisha parë. Ka pasur vetura dhe njerëz që kanë lëvizur, pasi që te liqeni vinin për peshkim, megjithatë s’më kujtohet për ngjyrat e veturave. Disa prej peshkatarëve i njoh me fytyra, megjithatë me emra nuk i di”, tha dëshmitari Murati.

Ai më pas ka shtuar se pasi ka mbarur me punë, ka shkuar në shtëpi dhe më pas ka udhëtuar me kamion për në Strumicë rreth orës 2 të mëngjesit, që t’i blejë fidanët për mbjelljen e shalqirit.

“S’kam parë asnjë person të armatosur aty derisa kam qenë, por as gjëra të dyshimta. Duke shkuar për në Strumicë, derisa kam kaluar nëpërmjet autostradës, te ura afër Liqenit dhe te liqeni kam parë vetura të policisë. Mua askush s’më ka ndaluar, kam vazhduar për në Strumicë, ku kam qëndruar deri në orën 16:00 pasdite. Derisa kam qenë në Strumicë, atje kam marrë vesh për ndodhinë. Pasi jam kthyer, në Shkup, s’kam mundur atë natë të shkoj te familja ime që ishin bllokuar në fshatin Luboten, pasi që policia e kishte bllokuar rrugën”, tha dëshmitari.

Avokati mbrojtës, Naser Raufi, thotë se kjo deklaratë, pos që e hedh poshtë deklaratën e dëshmitarit të koduar “E1”, e vë në pikëpyetje madje edhe vendin e vrasjes së personave.

“Kjo deklaratë e vë në pyetje edhe atë që a kanë qenë të vrarë aty, pasi që ky dëshmitar tregoi se ka qenë deri vonë në vendin e ngjarjes, pothuajse disa minuta para vrasjes. Gjithashtu i njëjti s’ka parë asnjë prej personave, në asnjë ditë që ka cekur dëshmitari i koduar “E1” se ka parë persona të caktuar nga të akuzuarit më 9, 10, 11 dhe 12 prill të vitit 2012-të. Ky dëshmitar ishte kategorik që sillet atje dhe që të jetë i dyshimtë, posaçërisht jo persona që janë prezent apo të akuzuar”, tha Raufi.

Dëshmitari, sot gjithashtu është pyetur edhe për relacionet me Fejzi Azirin, me të cilin kishte bashkëpunuar gjatë asaj kohe.

“Kam punuar te një fushë që është ngjitur në Liqenin e Smillkovës në periudhën kur ka ndodhur ngjarja. Aty kam mbjellur shalqi, bashkë me disa punëtorë. Toka ku kam punuar ka qenë në pronësi të Fejzi Azirit. Unë kam qenë i obliguar për punën e mbjelljes së shalqirit. Fejzi Aziri më ka paguar përpara fillimit të punëve për të gjitha obligimet gjërat që duheshin të bliheshin për mbjelljen e shalqirit, por edhe për pagimin e mëditjeve të punëtorëve. Prej atëherë, skemi kontaktuar shpesh, Aziri s’më është përzier mua në atë se çfarë bëj. Ne jemi marrë vesh që pasi të bëhet dhe të shitet shalqiri t’i marr rrogat për punën e bërë”, tha dëshmitari Murati.

3-4 ditë pasi që ka ndodhur rasti, kam vazhduar me punën, pra e kam mbjellë tokën me shalqi dhe pasi që është shitur shalqiri më janë paguar rrogat.

Në seancën e sotme gjithashtu, Muhamet Arifi, berberi i lagjes në të cilën jeton i akuzuari në rastin “Monstra”, Agim Ismailoviq, ka hedhur poshtë të dhënat që i ka deklaruar dëshmitari i koduar “E1”, në lidhje me atë se Ismailoviq ka pasur mjekër të gjatë, sikur cjapi. Dëshmia e berberit ka të bëjë në lidhje me zbardhje ne ngaterresës që kishte bërë “E1” mes Agim Ismailoviqit dhe një personit tjetër, të quajtur Almir Drplani, i cili në vitin 2016-të është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e policit “Alfa” në Fakultetit të Shkencave Natyrore në Shkup në vitin 2008.

Ndryshe, gjatë seancës së sotme, pala mbrojtëse propozoi edhe 4 dëshmitarë të rinj, megjithatë të njëjtët do të dëgjohen pasi që të mbarojë procedura e dëshmive të vjetra, gjegjësisht kur të niset me nxjerrjen e dëshmive të reja.

Seanca e radhës është caktuar për më 5 qershor.

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovo”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë për Krime të Rënda në Maqedoni nuk mbajnë. Zyra e Besnik Berishës, avokati i dy shqiptarëve nga Shkupi, ka njoftuar asokohe se vendimi përfundimtar për pafajësinë e Ismailoviqit dhe Demirit është shqiptuar ditë më parë, pas përfundimit të dënimit me nga 2.5 vjet në burgun e Dubravës për armëmbajtje pa leje, përcjellë Portalb.mk.

 

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

Nuk dihet nëse Prokuroria Speciale për rastin në fjalë disponon me materiale të përgjuara edhe pse në opinion shpesh është përfolur se ka përgjime të cilat dëshmojnë se personat që janë burgosur janë të pafajshëm. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kryeministri aktual, duke dëshmuar se vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës nuk e kanë bërë personat që janë vendosur prapa grilave.

LEXO:  DOSJE “Monstra”: Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës të Shkupit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button