RMV, dëftesat prej muajit qershor do të jenë me emrin e ri të shtetit

Në të gjitha dokumentet që janë pjesë e dokumentacionit pedagogjik, është ndryshuar emri kushtetues, kanë informuar për “Meta” nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit (BZHA). Kjo do të thotë se në fund të qershorit nxënësve do t’u jepen dëftesa me një vulë të re dhe shenjë në të cilën do të shkruhet “Republika e Maqedonisë së Veriut”, transmeton Portalb.mk.

Ky vendim tashmë është publikuar në Gazetën Zyrtare, ndërsa dokumentet dhe formularët e ri janë duke u shtypur.

Shkollat fillore dhe ato të mesme, i pranojnë dëftesat pikërisht nga Byroja. Nade Moleroviq, drejtoresha e Shkollës Fillore “Goce Dellçev” në komunën Qendër, thotë se ende nuk i kanë pranuar formularët e ri.

“Është ende herët për t’i pranuar dëftesat e reja. Kjo zakonisht ndodh pasi nxënësit të lëshohen në pushim, pas 10 qershorit. Mësuesit i plotësojnë notat në ditarin elektronik, e pastaj duhet t’i shkruajnë edhe me dorë në dëftesa. Për nxënësit e klasës së nëntë, dëftesat lëshohen më herët për shkak të regjistrimeve në shkollat e mesme, ndërsa pjesa tjetër e nxënësve do t’i marrin pak më vonë”, thotë Moleroviq.

Dëftesa, gjegjësisht formulari është i shtypur në letër me vulër ujore dhe fibra fluoreshente, ndërsa stema shtypet në foli të arit.

Nga 1 shtatori i ardhshëm, të gjithë mësimdhënësit do të pranojnë edhe ditarë me emrin e ri të shtetit.

Sipas Ligjit për arsimin fillor, evidenca pedagogjike përfshin – librin kryesor të nxënësve, ditarin e paraleles, fletët për shënimin e suksesit të nxënësve, legjitimacion i nxënësve, dëftesë dhe certifikatë për transferim.

Të gjitha dokumentet nga viti i ardhshëm shkollor do të jenë të reja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button