Xhaferi është takuar me nënkryetarin e Këshillit federal të Austrisë Magnus Bruner

Gjatë vizitës zyrtare dyditore në Republikën e Austrisë, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi i shoqëruar nga deputetët Rexhail Ismaili dhe Meri Lazarova, në cilësi të kryetarit dhe anëtarit të Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Austrisë dhe Sekretaren e përgjithshme Cvetanka Ivanova, u takuan me nënkryetarin e Këshillit Federal, Magnus Bruner.

Nënkryetari i Dhomës së Epërme drejtoi urime për arritjen e Marrëveshjes me Greqinë dhe shprehu shpresë se ky përfitim historik do të vlerësohet edhe nga ana e BE-së dhe se Republikës së Maqedonisë së Veriut do i ndahet datë për negociata në qershor të këtij viti. Sipas tij, hapja e negociatave në qershor të vitit 2019 do të dërgojë mesazh të qartë dhe pozitiv për të gjitha vendet aderuese nga Ballkani Perëndimor. Duke shprehur kënaqësi që vizita zyrtare realizohet në vitin kur të dy vendet kremtojnë 25 vite marrëdhënie diplomatike, z. Bruner u zotua për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik.

Kryetari Xhaferi i vlerësoi marrëdhëniet politike ndërmjet dy vendeve si miqësore dhe falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Austrisë ia jep Republikës së Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimeve evropiane e sidomos që një nga prioritetet e kryesimit austriak ishte edhe integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, në kohën kur edhe Bashkimi ballafaqohet me shumë sfida. Ai informoi edhe për mbajtjen e zgjedhjeve për President të shtetit ku qytetarët në një atmosferë të qetë dhe demokratike kishin mundësi që lirshëm të shprehin vullnetin e vet.

Duke e pasur parasysh se Austria e mbështet haptazi procesin e zgjerimit të BE-së dhe inkuadrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkim dhe konsideron se është kyçe ato të mbështeten në zbatimin e reformave, para së gjithash në drejtim të stabilitetit dhe sundimit të të drejtës, Kryetari Xhaferi theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut llogarit në mbështetjen austriake edhe në periudhën në vijim.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën gatishmëri për vazhdim të mëtutjeshëm të  bashkëpunimit bilateral intensiv në të gjitha nivelet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button