Maqedonia e Veriut dhe IOM memorandum bashkëpunimi për diasporën

Organizata Ndërkombëtare për Migrime (IOM) ka shënuar 20 vjetorin e misionit të saj në Maqedoninë e Veriut, me ç’rast është nënshkruar edhe një memorandum për bashkëpunim me qeverinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në manifestimin solemn të organizuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, të pranishëm ishin ministra të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, përfaqësues të IOM, të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) si dhe diplomatë të vendeve të ndryshme në Shkup.

Zv/ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Andrej Zhernovski, rikujtoi se misioni i IOM në shtet është themeluar në periudhën e krizës së refugjatëve kosovarë në vitin 1999, duke shtuar se Maqedonia e Veriut është bërë anëtare e plotë e IOM në vitin 2014.

“Me bashkëpunimin dhe partneritetin tonë janë arritur rezultate të jashtëzakonshme, veçanërisht në periudhën kur u përballëm me sfidat e valës së madhe të emigrantëve dhe refugjatëve, kur si shtet ishim pjesë e të a.q. ‘Rrugës Ballkanike’”, tha Zhernovski.

Të pranishmëve iu drejtua edhe Rossana Dudziak, përfaqësuese e OKB-së, e cila theksoi rolin dhe rëndësinë e emigrantëve në zhvillimin ekonomik dhe ndërkulturor.

Argentine Szabados, drejtoresha rajonale e IOM për Evropën Juglindore, Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, në fjalimin e saj falënderoi të gjithë stafin e IOM në Maqedoninë e Veriut për angazhimin e tyre në dy dekadat e fundit, duke rikujtuar se gjatë krizës me refugjatët kosovarë në viti 1999, IOM në Maqedoninë e Veriut ka numëruar 400 pjesëtarë të stafit.

Fjalim rasti kishte edhe Peter Van Der Auweraert, koordinatori nën-regjional i IOM për Ballkanin Perëndimor, i cili tha se vendet e Ballkanit gjatë viteve të kaluara janë përballuar mjaft mirë me emigrantët dhe i kanë ndihmuara ata, duke theksuar se në përgjithësi janë organizuar një numër i vogël i protestave kundër emigrantëve.

Sonja Bozhinovska Petrushevska, kryetare e zyrës së IOM në Maqedoninë e Veriut, në mesin e aktiviteteve kryesore të organizatës përmendi ndihmën ndaj emigrantëve si dhe ndihma për autoritetet kufitare.

“IOM që nga themelimi punon në parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe rreziqeve që ndërlidhen me emigracionin përmes fuqizimit socio-ekonomik të kategorive të ndjeshme, por gjithashtu edhe përmes aktiviteteve për ngritjen e vetëdijes”, tha Petrushevska.

Pas përfundimit të fjalimeve, Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe IOM nënshkruan memorandum të bashkëpunimin, me të cilin thellohet akoma më shumë bashkëpunimi në sferën e diasporës, sidomos në krijimin e politikave dhe dokumenteve strategjike për diasporën.

Në emër të qeverisë, memorandumin e nënshkroi ministri përgjegjës për diasporën, Edmond Ademi, ndërsa nënshkrues në emër të IOM ishte drejtoresha rajonale e IOM, Argentine Szabados.

Ministri Ademi në fjalimin e tij theksoi se emigrimi është fenomen që ngërthen në vete fate njerëzish nga anë të ndryshme të botës, si dhe ndikon në ekonomi, politikë dhe kulturë.

“Të jesh emigrant nuk është krim. Përkundrazi, ajo është thirrje për angazhim më të madh të të gjithë aktorëve shoqërorë në favor të dinjitetit njerëzor”, tha Ademi.

Organizata Ndërkombëtare për Migrime është agjenci e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e cila zbaton aktivitete që kanë të bëjnë me mbështetjen e kapaciteteve institucionale në sferat siç janë; menaxhimi me emigrantët, luftë kundër tregtimit me njerëz dhe trafikimin e emigrantëve, por edhe programe për re-integrim të emigrantëve në shtetet prej nga kanë ikur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button