Komuna e Gostivarit është pajisur me automjet për grumbullimin e qenve endacakë

Komuna e Gostivarit është pajisur me automjet të specializuar për grumbullimin e qenve endacak në territorin e saj. Automjeti është donacion në kuadër të të një projekti të financuar nga BE ndërsa dhe implementuar nga  UNDP në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim të Rajonit Planor të Pollogut për zgjidhje afatgjate të problemit me qentë e pastrehë, informojnë nga komuna e Gostivarit, përcjell Portalb.mk.

Automjetin, kryetarit të komunës së Gostivarit Arben Taravari, ia dorëzoi drejtori i Qendrës për Zhvillim të Rajonit Planor të Pollogut – Fatmir Saiti, të cilin pas regjistrimit Komuna do t’ia dorëzojë Ndërmarrjes Publike “Komunalec”.

“Në drejtim të zgjidhjes afatgjate të problemit me qentë e pastrehë, Komuna e Gostivarit ka bërë disa hapa të rëndësishëm, duke hapur strehimore dhe duke vaksinuar dhe sterilizuar 240 qen endacakë deri më tani. Falë një projekti me UNDP së shpejti do të hapim edhe një strehimore me kapacitet trefish më të madh se kjo ekzistuese dhe shpresojmë se atëherë do të arrijmë një situatë të volitshme. Me këtë rast falënderoj drejtorin e Qendrën për Zhvillim të Rajonit Planor të Pollogut, Fatmir Saiti që vlerësoi punën tonë të deritashme dhe përzgjodhi komunën e Gostivarit që t’ia ndajë këtë donacion”, theksoi Taravari.

Drejtori Fatmir Saiti, njoftoi se automjeti i specializuar ka kapacitet për bartje të 10 qenve endacakë dhe se i njëjti, në fakt është i dedikuar për rajonin e Pollogut, por derisa të vihet në funksion një qendër rajonale për menaxhimin me qentë endacakë, i njëjti i dorëzohet Komunës së Gostivarit si komunës e cila deri më tani avancon në menaxhimin me këtë problem.

Kryetari Taravari dhe drejtori Saiti, në konferencë për shtyp u përgjigjën edhe në pyetje të shumta të gazetarëve, me ç’rast njoftuan se së shpejti do të fillojë asfaltimi i rrugës për te deponia Rusino dhe se problemet rreth shpronësimit në atë rrugë janë para përfundimit. Ndërsa në të ardhmen do të ndërtohet edhe një rrugë tjetër prej te deponia deri te rruga magjistrale Gostivar-Kërçovë, që kamionët me mbeturina që vijnë nga komunat tjera, të mos kalojnë nëpër qytet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button