Çështje të etikës

“Vetëm njeriu i ndjek rregullat, sep­se vetëm njeriu mundet të mos i ndjekë ato.”

Eric Weil 

Prilli ishte jë muaj shumë i frytshëm për “fabrikën e librave cilësorë”, Logos-A. Përveç Unë dhe tjetri të Zagorka Golluboviq dhe Hyrje në sociologjinë e shkencave të Michel Dubois, sirtaret e bibliotekave i pasuroi edhe me një tekst të çmueshëm nga kolana e Shtypi Universitar Francez: Çështje etike nga filozofi frëng Jean-Jacques Wunenburger (1946-) me ngjyrime të filozofisë morale, një punim që trajton një subjekt omniaktual, një trajtesë teorike nga një disiplinë me refleksione të nënkuptueshme praktike siç është etika, agjent ky që synon estetizimin e sjelljeve, formimin  e subjekteve  morale, që i ndihmon jetës së përbashkët të njerëzve, progresit të tyre drejt së mirës, drejt perfeksionit si ideal.

Mesazhi i saj bëhet edhe më i rëndësishëm në kohën e një krize të përgjithshme, në veçanti të një “krize vlerash”, krize morale (MacIntyre), krize civilizimi (Spengler), krize globale (Davutogllu, Bremmer), në një epokë të dominimit të pasioneve, egoi­z­mave, urrejtjeve dhe dhunës, si në rrafshin kombëtar ashtu edhe në atë planetar, krizë kjo që dalëngadalë po na pllakos të gjithëve si qenie humane. Pra, vepra në fjalë fokusohet në një çështje me peshë siç është etika, që përkundër diferencave antropologjike të bashkësive dhe fazave të zhvillimit historik, paraqet një nga determinantët kyç të mirëqenies dhe lumturisë së komunitetit.

Wunenburger i qaset nga kënde të ndryshme odisesë së shpirtit, që na mundëson t’i japim ndjenjës morale një të vërtetë supe­riore përmes reflektimit, “njohjes së vetve­tes” (Sokrati) dhe ndërgjegjes.  Autori thekson nevojën për progres moral të njerëzimit duke u shkëputur nga ma­te­rializimet sociale, përmes një një reflek­timi të br­en­dësuar nga njeriu mbi vetë atë, që arrin me për­pikëri, te mj­e­shtrit e urtësisë, në një lartësi shembullore. Terminologjia përfshin një gamë të gjerë që ndërlidhet me subjektin nga deontologjia, valorizimet jetësore, instinkti dhe frenimi, vetëdija (syne­sis), vetëdija morale (synderesis), pathos-i moral, ndjeshmëria, intuita, arsyeja përllogaritëse, arsyeja ligjëvënëse, autoriteti moral, doksografia morale, vlerat (axia) sociale deri te jeta e mirë (bona vita). Vija kronologjike e trajtesës sillet nga Moj­siu, Sokrati, Shën Augustini, Spinoza, Kanti, Hegeli, Benthami, J. S. Mill-i, deri te Niet­zsche, Scheleri e Hayek-u etj. Ndër çështjet e elaboruara në këtë vepër janë edhe relacioni e shenjta-etika, e para kategori universale e përvojës fetare që ofron moslejime mbrojtëse për njeriun në kërkim  virtytit (arêtè) dhe supremacisë së vlerave dhe lumturisë (eudai­mon) së plotë përkundër filozofisë “Carpe diem” (shfrytëzo frytet e ditës), problematika e modeleve të stereotipizuara të sjelljes, (pa)mundësia e krijimit ex nihil (nga hiçi) të vlerave, triada ‘origjina e të mirës, lumturia e ardhshme, vdekja’, e të ngjashme. Një mangësi e librit është eurocentrizmi: trajton vetëm mendimit moral perëndimor (siç shprehet vetë autori –  që ka marrë formë në Jeruzalem, Athinë dhe Romë), pa shqyrtyar botëkuptimin etik të qytetërimeve të tjera të mëdha si ai indian, kinez, islamik etj.

Pyetjet që përcaktojnë temat e kapitujve të kësaj vepre janë: Si është nxitet subjekti që të merakoset për të reaguar mirë? Nëpërmjet cilit aktivitet mendor, ai zbulon një përmbajtje etike? Në çfarë mënyre subjekti do ta vejë në praktikë? Si përkthehet në përjetimin e subjektit kjo detyrë etike? Cili është qëllimi i fundit, relativ apo absolut, i jetës morale? Në ç’mënyrë komuniteti social dhe politik nëpërmjet mjeteve të autoritetit dhe të së drejtës, mund t’i shërbejë synimit etik të individit? Në çfarë dhe në cilat forma, vlera e drejtësisë mund të shërbejë si ideal për jetën e përbashkët të njerëzve dhe të progresit të tyre drejt së mirës?

Si përfundim, mund të themi se Çështje etike plotëson një zbrazëtirë të madhe në sferën e “polemologjisë morale”, në kulturën tonë të përgjithshme dhe në veçanti në atë të shkencave sociale, pasuron literaturën tonë shkollore dhe universitare për lëndën e etikës, që besojmë se do t’i gjejë lexuesit e vet të profileve të ndryshme, do të ngjallë debate konstruktive lidhur me temat e kohës si etika politike, etika e biznesit, bioetika, të drejtat e njeriut, dhe do të ketë efekt pozitiv në përmirësimin e kulturës morale, në ndërtimin e një shoqërie të moralshme!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button