Meksikë, gjenden mbetjet trupore të 35 personave

Kufomat e 35 personave, të varrosur në tre varre të ndryshme janë gjetur nga policia në një lokalitet të Meksikës. Autoritetet lokale kanë deklaruar se bëhet fjalë për viktima të luftës për kontrollin e drogës, që vetëm vitin e kaluar në vendin latin ka marrë 29 mijë jetë njerëzish, njofton ABC News.

Autoritetet meksikane kanë zbuluar 35 kufoma të varrosura rreth zonës metropolitane të Guadalaharës, qyteti i dytë më i madh i vendit. Zbulimi i trupave është një tjetër tregues i detyrës me të cilën duhet të përballet presidenti Manuel Lopez Obrador, që mori drejtimin e vendit në dhjetor, me zotimin se do të reduktonte dhunën e karteleve të drogës, që vetëm vitin e kaluar shkaktoi rreth 29 mijë viktima.

Prokurori i përgjithshëm i shtetit Halisko, që përfshin edhe Guadalaharën, ka saktësuar se 27 nga trupat e pajetë u gjetën të varrosur në një pronë private, pas hetimeve të nisura javën e kaluar.

“Puna po vazhdon. Aktualisht po gërmojmë nën 3 metra për të verifikuar nëse ka viktima të tjera të varrosura”, ka deklaruar kryeprokurori Oktavio Solis.

Ndërkohë, 7 kafka të tjera njerëzish u gjetën në një varr tjetër në qytet, në një zonë ku gjithashtu po kryheshin hetime. Gjithashtu, në një vend tjetër u gjet edhe trupi i 35-të. Autoritetet e kanë cilësuar zbulimin si një goditje ndaj krimit të organizuar dhe kanë deklaruar se 4 të dyshuar janë arrestuar deri tani.

Për momentin është e pamundur të përcaktohet koha e saktë se kur viktimat janë varrosur. Ajo që dihet është se shteti i Haliskos është bazë e një prej organizatave më të fuqishme të trafikut të drogës dhe në vitet e fundit ka përjetuar luftimet më të ashpra për kontrollin e tranzitit të drogës drejt Shteteve të Bashkuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button