Paratë për investime kapitale qëndrojnë në arkën e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut

Planifikimi i dobët i parave për investime kapitale dhe realizimi i dobët teknik, sipas ekspertëve janë shkaqet e mundshme përse janë shpenzuar vetëm pak nga paratë e planifikuara për projekte të mëdha. Autoritetet kanë arsyetime, por edhe pritjet se viti do të jetë ekonomik, shkruan REL, transmeton Portalb.mk. “Fshesa” e paralajmëruar nga kryeministrit Zoran Zaev duhet të kalojë edhe nëpër sektorin ekonomik, thonë analistët.

Shifrat tregojnë se edhe në tremujorin e parë të këtij viti vazhdon tendenca e realizimit katastrofal të investimeve kapitale. Për tre muaj janë shpenzuar 26 milion euro prej gjithsej 423 milion të planifikuara, që është vetëm 6,2 përqind e parave të planifikuara për autostrada, gazifikim, vijë hekurudhore, shkolla, spitale. Këto të dhëna janë më të këqija në krahasim me periudhën e njëjtë vitin e kaluar, kurse viti 2018 ishte historikisht viti më i keq i investimeve kapitale.

Në tre muajt e parë të vitit të kaluar janë realizuar 7,46 përqind e parave të parapara. Profesor Marjan Petreski thotë se mund të supozohen dy probleme kryesore për realizimin e dobët të investimeve kapitale. Njëri problem ka të bëjë me planifikimin, kurse tjetri me realizimin teknik.

“Planifikimi si problem për hir të vërtetës ka qenë i pranishëm edhe më parë. Çdoherë në fillim janë projektuar shuma tepër të larta të investimeve kapitale. Prej momentit të projektimit, që është dikur në tetor, nëntor të vitit aktual për avitin e ardhshëm, ka qenë e qartë se nuk do të vjen deri në realizimin e plotë të atyre investimeve kapitale”, thotë Petreski.

Ai thotë se mungon debat i gjerë për atë çfarë investime kapitale nevojiten dhe si të realizohen për të dhënë qarkullimin më të madh të mjeteve.

Sa i përket, në anën tjetër, realizimit teknik, thotë profesori Petreski edhe qeveria vitin e kaluar e ka pranuar se ka pasur probleme të konsiderueshme në raport me realizimin teknik në pjesën e shpalljes së tenderëve dhe në monitorimin e zbatimit të investimeve kapitale.

“Supozoj se pjesë e madhe e atyre problemeve nuk janë tejkaluar, për shkak se ajo thjeshtë tani reflektohet mbi këtë shifër tepër të ulët të realizimit të investimeve kapitale dhe nëse dëshironi, në fund të fundit, kjo i vendos në vet aftësinë e ministrive dhe të agjencive për t’i realizuar investimet kapitale dhe mendoj se kjo drejtpërdrejtë është e lidhur me këtë tash më proces që të gjithë presim se do të filloj me eliminimin e atyre pikave të dobëta në Qeverinë, të cilat ja po ju them, mendoj se janë në lidhje aq të madhe me realizimin e investimeve kapitale”, thotë Petreski.

Biznesmeni Menderes Kuçi thotë se është koha që pushteti të reflektojë.

“Prej kreut madje deri tek burokrati më i vogël që përfundon diku në zbatimin e ndonjë vendimi dhe ku ka edhe mundësi për imponim të vullnetit, unë do thosha. Të gjitha politikat e deritanishme rezultojnë me rezultat që është i matshëm dhe i dukshëm dhe jep drejtim konkret në të cilin lëviz zhvillimi i shtetit tonë. Nuk është ndonjë mençuri të konstatohen shifra dhe tash më nuk është koha t’i arsyetojmë me politika të atilla apo të këtilla të mëdha”, thotë Kuçi.

Ai shton që shpreson se sinjalet nga pushteti kanë ardhur dhe se ajo, siç thotë, duhet të fillon të punojë për të merituar pagën dhe t’i plotësojë pritjet e elektoratit. Biznes sektori, thotë Kuçi, ka marrë premtim se ekonomistët do të jenë të konsultuar për të gjitha ligjet e rëndësishme nga sfera ekonomike, por kjo në disa raste nuk ndodhi. Dhe prandaj janë miratuar disa zgjidhje të shpejta, të cilat japin rezultate negative, thotë ai.

Në fillim të vitit arsyetimi i pushtetit ishte se realizimi i investimeve kapitale është ngadalësuar për shkak të periudhës së dimrit në të cilën stagnon industria ndërtimore, tani ata kanë dështuar për shkak të pagesës së faturave nga viti i kaluar.

Kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi se në mes të vitit do të ketë rebalanc të buxhetit, por se kjo nuk do të jetë në lidhje me dështimin me investimet kapitale por për shkak të arkëtimit më të mirë të të ardhurave. Vitin e kaluar paratë e parapara për projekte infrastrukturore nuk janë shpenzuar, ashtu që me rebalancin e buxhetit kah fundi i vitit u ri dedikuan për të mbuluar vrimat në buxhetet e komunave. Zaev në fund të prillit tha se çdo javë e përcjell tendencën e realizimit të investimeve kapitale dhe se për momentin, siç ka thënë është i kënaqur prej raporteve të detajuara që i pranon.

“Gjithsesi, shifrat do të jenë në tremujorin e dytë dhe të tretë kur do të paguhet ajo që është duke u realizuar tash”, ka thënë Zaev, në pyetjen nëse pret vit të suksesshëm ekonomik edhe përkrah rezultateve për realizimin e investimeve kapitale prej 6,2 përqind në tremujorin e parë të këtij viti.

Në Buxhetin e këtij viti prioritet sërish ka infrastruktura hekurudhore. Janë paraparë para për përmirësimin e binareve Korridori 10, rehabilitim i vijës hekurudhore Korridori 8 dhe atë prej Kumanove deri në Beljakovc, kurse do të ndërtohet edhe e re nga Beljakovci deri në Kriva Pallankë. Gjithashtu janë paraparë para edhe për gazifikim, kurse para ka edhe për Qendrat Klinike, të paralajmëruara shumë gjatë, në Shkup dhe në Shtip.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button