Filmi “Pharmakon” do ta përfaqësojë Shqipërinë në garën për “Oscar”

Filmi “Pharmakon” i Joni Shanajt do të përfaqësojë Shqipërinë në garën e madhe kinematografike botërore për çmimet “Oscar”. Një vit më parë, si në këtë kohë, kineastët shqiptarë ishin duke “përplasur” kokat me njëri-tjetrin se kush do të shkonte në garën e madhe.

Ishin katër kineastë që e pretendonin këtë rast, por “lufta” më e ashpër u zhvillua mes Joshua Marston, i përzgjedhur fillimisht nga bordi i Qendrës Kombëtare Kinematografike me filmin “Falja e gjakut” dhe Bujar Alimani me filmin “Amnistia”, që pas një letre drejtuar Akademisë së Oscar-ve, mundi të shkojë vetë atje. Por këtë vit, edhe pse në fund të shtatorit dhe po afrojnë afatet kur duhet paraqitur kandidatura pranë Academy Awards, nuk pati shumë debat.

Kjo, sepse gjatë këtij viti, përveç “Pharmakon”, nuk ka pasur asnjë prodhim të ri kinematografik, që të përmbushte kriteret e vendosura nga Akademia. Një ndër to është edhe shfaqja e filmit kandidat në një nga kinematë e kryeqytetit. Deri më tani, këtë detyrim e ka kryer vetëm filmi i Shanajt. Këto ditë u prezantua edhe filmi më i ri i Robert Budinës, “Agon”, por sipas realizuesve, filmi do të bëjë rrugën e tij, por jo drejt “Oscarit”. Ai do të ketë premierën e tij në Festivalin Ndërkombëtar në Çikago, ku konkurron në seksionin e regjisorëve të rinj. Në mungesë të konkurrentëve të tjerë, bordi i përcaktuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka vendosur që filmi i Joni Shanajt të shkojë në garën e Oskarve.

“Pharmakon”, me regji dhe skenar të Joni Shanajt, është film artistik me metrazh të plotë dhe projekti i fundit i shtëpisë filmike “Zig-Zag Film”. Është një produksion tërësisht shqiptar, pjesërisht i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe nga Radiotelevizioni Shqiptar. Fondi publik për këtë projekt u lëvrua si pjesë e një iniciative të re, nisur në vitet 2005-2007, për mbështetjen dhe promovimin e regjisorëve debutues, filmit indipendent dhe alternativ në vendin tonë. Filmi ka si producent regjisorin Mevlan Shanaj. Interpretojnë Kastro Ziso (Klevis Bega), Olta Gixhari, Niko Kanxheri, Vasil Goda dhe Pano Aliu.

Muzika nga kompozitori suedez, Anton Lennartsson. Filmi ka dy drejtorë fotografie, Ji-Hwan Park nga Seuli, Koreja e Jugut dhe Ram Shani nga Tel Aviv, Izrael. Post-produksioni në figurë dhe në kolonë zanore u përfundua në “Focus Fox Studio LTD”, Budapest, Hungari./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button