fbpx

Një vit e gjysmë nuk mund të zbardhen hetimet për skandalin AKMIS në gjykatat e Maqedonisë së Veriut

Prokuroria Themelore Publike ende nuk ka konstatuar nëse është keqpërdorur sistemi për shpërndarjen e lëndëve gjyqësore AKMIS. Ndonëse ka një vit e gjysmë që Ministria e Drejtësisë e ka dorëzuar raportin nga kontrolli i sistemit AKMIS, Prokuroria ende vazhdon procedurën e mbledhjes së dëshmive, shkruan Portalb.mk.

Ministria e Drejtësisë më 25 janar të vitit të 2018 e dorëzoi raportin nga kontrolli i sistemit të shpërndarjes së lëndëve – AKMIS, sipas të cilit, u konstatua se në Gjykatën Penale dhe atë Supreme janë shpërndarë lëndë në mënyrë manuale dhe jo sipas programit që bën shpërndarje automatike, ndërkaq Prokuroria i vazhdon hetimet.

“Në rrjedhë është ekspertiza teknike e cila duhet që të tregojë nëse ka qenë i keqpërdorur sistemi për shpërndarjen e lëndëve gjyqësore. Në pritje të mendimit dhe gjetjeve të ekspertit, prokurorët kompetent kanë ndërmarrë veprime tjera për konstatimin e fakteve në këtë lëndë. Deri te Prokuroria e Shkupit kanë arritur një pjesë e të dhënave të kërkuara nga Këshilli Gjyqësor dhe ato po analizohen, ndërkaq edhe më tej pritet që të arrijnë edhe të dhënat e kërkuara nga Prokuroria Speciale Publike. Njëkohësisht, në kontinuitet mblidhen dëshmi verbale, gjegjësisht kryhet marrja në pyetje e të gjithë personave që mund të kenë njohuri në lidhje me gjetjet në raportin nga ekspertiza e kryer në sistemin për shpërndarjen e lëndëve gjyqësore AKMIS”, thonë për Portalb.mk, nga Prokuroria.

Nga Ministria e Drejtësisë shkurt thonë se raporti është dorëzuar në Prokurori dhe se tani e tutje është detyrë e tyre.

“Raporti është dorëzuar në Prokurori, jemi në rrjedhë dhe tani është punë e Prokurorisë”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Gjykata
Gjykata

Portalb.mk, kontaktoi edhe me përfaqësuesit e kompanisë “Edu Soft” të cilët e kanë përgatitur programin AKMIS, për të komentuar në lidhje me atë se a e din që programi i tyre është manipuluar, por ata thanë se sistemi i tyre është i sigurt.

“Sigurisht që sistemi ynë është i sigurt. Ne nuk e dimë çfarë ka ndodhur atje, jeni në adresë të gabuar”, thonë nga “Edu Soft”.

Sipas përshkrimit që ia bën kompania programit, AKMIS është sistemi i automatizuar informativ për të menaxhim me lëndët gjyqësore, i cili i automatizon dhe i përcjell të gjitha aspektet e ciklit jetësor të lëndëve, edhe atë nga hapja sipas inicialeve të lëndës përmes ndarjes së saj, qoftë ajo lëndë të jetë kundërvajtëse, penale, civile etj.

“Qoftë se bëhet fjalë për juridiksion të përgjithshëm ose të kufizuar dhe pavarësisht se për çfarë lënde bëhet fjalë – sistemi ynë për menaxhim me lëndët gjyqësore siguron zgjidhje të tërësishme për nëpunësit, gjykatësit dhe për të gjithë pjesëmarrësit tjerë të kyçur në procesin e zgjidhjes së lëndës gjyqësore. Pasi që ekspertiza jonë shtrihet nga zbatimi i ligjit dhe menaxhimi me të dhënat, e deri te supervizioni, për më shumë klientë tanë është lehtësuar puna e përditshme duke e përdorur AKMIS-in”, thuhet në përshkrim.

Karakteristikat e sistemit AKMIS, sipas kompanisë së prodhimit:

  • I mbulon të gjitha aspektet e menaxhimit me lëndët gjyqësore në të gjitha llojet e gjyqeve;
  • Punon on-line në kohë reale;
  • Siguron shërbim gjatë 24 orëve, shtatë ditë në javë, 365 ditë në vit;
  • Sistem me shkallëzim të lartë që mund të punojë në të gjitha llojet e gjyqeve në strukturë të ndryshme organizative;
  • Siguron mbrojtje të tërësishëm të informatave dhe të të dhënave;
  • Siguron gjenerim të raporteve më të ndryshme;
  • Dukshëm i zvogëlon detyrat e përsëritura;
  • Siguron statistikë të përmirësuar dhe monitorin.

Nga viti 2010 AKMIS, është operativ në të gjitha 34 gjyqet e Maqedonisë së Veriut, duke e zëvendësuar procesuimin manual të lëndëve. Nevoja për kontroll të sistemit AKMIS erdhi pasi që në raportin e Pribesë u tha se “ka perceptime se lëndët gjyqësore nuk janë duke u ndarë nëpërmjet Sistemit AKMIS”.

Në fund të vitit 2017-të Ministria e Drejtësisë e publikoi raportin që doli nga kontrolli i sistemit AKMIS. Pas kontrollit të bërë në Gjykatën e Apelit, është vërejtur se numri i madh i lëndëve gjyqësore nuk janë ndarë te gjykatësit e procedurës së caktuar për procedurë paraprake dhe se lëndët janë ruajtur në regjistër. Në Gjykatën Supreme është vërtetuar se lëndët janë ndarë në mënyrë manuale dhe se nuk ka qenë i formuar as grup punues për ndarjen e lëndëve. Në Gjykatën Themelore Shkupi 1 plani vjetor për menaxhim me lëndët gjyqësore është sjellë më vitin 2013 dhe për të njëjtin nuk është formuar trup punues, gjë e cila nënkupton se dhe këtu lëndët janë ndarë në mënyrë manuale. Edhe orari i punës në këtë gjykatë nuk ka qenë stabil, vetëm gjatë shtatorit të 2017-s i njëjti është ndryshuar tre herë.

Raportin e plotë mund ta lexoni më poshtë:

Për manipulimin e sistemit u shkruajt edhe në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), të cilët i theksuan me emër dhe mbiemër kryetarët e Gjykatës Themelore të Shkupit dhe asaj Supreme, si të përfshirë në skandalin me AKMIS.

“Ka pasur rregulla të rrepta që e rregullojnë shpërndarjen e lëndëve, të realizuara nëpërmjet një sistemi elektronik të menaxhimit të çështjeve, në shtator, Prokuroria Publike e Shkupit ka marrë në pyetje disa persona, pasi një auditim i vitit 2017 ka zbuluar se sistemi i caktimit të gjyqtarëve për të trajtuar raste specifike ishte manipuluar. Mediat kanë njoftuar se prokurorët kishin thirrur ish “gjykatësin kryesues” të Gjykatës Penale të Shkupit, Vlladimir Pançevski dhe të Gjykatës Supreme të Drejtësisë Jovo Vangellovski”, thuhet në raportin e DASH për vitin 2018-të.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close