Këshilltarë të Qeverisë në listën e pagave si avokatë në ndërmarrje publike

Mile Zeçeviq, këshilltari i kryeministrit Zoran Zaev, për shërbime avokatie vitin e kaluar ka arkëtuar më tepër se 77 mijë euro për angazhim prej Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe kanalizimi”. Paratë për të janë paguar për përgatitje të propozimeve për sjellje të urdhërpagesave noterie, shruan “A1on“, transmeton Portalb.mk.

“A1 on” tash më ka publikuar se Zeçeviq vitin e kaluar ka qenë në listën e avokatëve edhe në kompaninë “MEPSO”, që e konfirmon tezën se çdo organ ka avokatët e vet të cilët fitojnë para për shërbime prej kompanive, agjencive shtetërore ose ndërmarrjeve publike.

“Gjithçka është në pajtim me ligjet. As nuk është në kundërshtim me Ligjin për konflikt të interesave, as me Ligjin për avokati. Avokat jam më shumë se 15 vite dhe punoj në mënyrë konzistente dhe parimore. Të gjitha anët kanë trajtim të barabartë. Angazhimi tek kryeministri është funksion këshillëdhënës, kurse institucionet kërkojnë njerëz të besueshëm të cilët do të jenë të sigurt”, tha Zeçeviq.

Për qeverinë e kaluar të VMRO-DPMNE, një prej avokatëve kryesor ishte Nikolla Dodevski – ai në vitin 2017 vetëm për shërbime të “Ujësjellës dhe Kanalizim” ka fituar mbi 260 mijë euro për urdhërpagesa, përfaqësim dhe përgatitje të kontratave.

Me ndërrimin e qeverisë, kjo ndërmarrje ka angazhuar avokatë të ri. Në listë gjendet edhe shoqata për avokati “De lege”, ku njëri nga pronarët është edhe deputetja nga LSDM, Snezhana Kaleska-Vançeva. Vitin e kaluar kjo shoqëri avokatie ka fituar përafërsisht 48 mijë euro nga “Ujësjellësi”.

Kaleska-Vançeva në deklaratë për “A1 on” tha se në momentin kur është bërë deputete ka vënë në pushim funksionin e avokatit.

“Kam aktvendim formal nga Oda e Avokatëve dhe nga Regjistri qendror. Në zyrë punojnë avokatë tjerë, kurse unë as nuk jam person i autorizuar, as nuk guxoj të paraqitem si përfaqësues”, thotë ajo.

“Ujësjellës dhe kanalizim” e ka angazhuar edhe avokatin që përfaqësonte LSDM-në, Stevica Josifovski. Ai ka fituar 37,5 mijë euro për përgatitje të propozimeve për sjellje të urdhërpagesave noteriale dhe përfaqësim. Josifovski këtë vit është zgjedhur si anëtar i Agjencisë për komunikime elektronike.

Ish ministrja e drejtësisë nga LSDM, Meri Mlladenovska Gjorgjievska, nga “Ujësjellësi dhe kanalizimi” ka fituar 38 mijë euro. Ajo ka qenë edhe në listën për pagesë të MEPSO për shërbime avokatie prej ku vitin e kaluar ka fituar mbi 12 mijë euro.

Mlladenovska prej fillimit të këtij viti është e angazhuar në kabinetin e zëvendësit të kryeministrit, Koço Angjushev si këshilltare për të drejtën afariste dhe për atë merr honorar prej 80 mijë denarë.

Vetëm në vitin e kaluar “Ujësjellësi dhe kanalizimi” kanë shpenzuar mbi gjysmë milion euro për shërbime avokatie, kurse 565 mijë euro rekord ka shpenzuar në vitin 2017. Në listë është edhe shoqëria e avokatëve “Ristovski Vujiq”, ku në partneritet punojnë Mirosllav Vujiq dhe zëvendës ministri për drejtësi Oliver Ristovski dhe familja e tij. Видео: Советници од Владата

Në listën e 15 avokatëve të cilët kanë qenë të angazhuar vitin e kaluar nga “Ujësjellësi dhe kanalizimi”, gjendet edhe avokati i ri nga Velesi Marko Dimov i cili ka fituar rreth 305 mijë euro për angazhim dy vjeçar, kurse 1.600 euro ka fituar avokati Zoran Mihajllovski, ish gjykatës i apelit.

Megjithëse ndërmarrjet publike dhe agjencitë kanë shërbime juridike të angazhuara për zgjidhjen e çështjeve juridike, shuma jashtëzakonisht të mëdha harxhohen për angazhim të avokatëve, më së shpeshti të afërt me qeverinë. Me ndryshimet ligjore prej vitit 2016, marrëveshjet me ta nënshkruhen kokë më kokë.

“A1on” në periudhën në vijim do të vazhdojë me serinë e hulumtimeve për angazhim të avokatëve të afërt me pushtetin aktual në ndërmarrjet publike dhe agjencitë.

Vasko Magleshov dhe Meri Jordanovska

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button