Palmer: Maqedonia e Veriut është shembull i mirë për Beogradin dhe Prishtinën

Zëvendësi i ndihmës sekretarit shtetëror amerikan, Metju Palmer deklaroi se Beogradi dhe Prishtina në zgjidhjen e problemit të Kosovës mund të shërbehen me shembullin e Maqedonisë së Veriut.

Palmer në intervistë për Radio Evropa e Lirë-BeH, duke u përgjigjur në pyetjen për rreziqet e sigurisë në rajon dhe rolin e SHBA-së në qetësimin e tyre, tha se Uashingtoni është i përkushtuar në partneritetin e vet dhe se ekzistojnë qëndrime të kundërshtuara në rajon, por edhe se janë realizuar suksese të konsiderueshme.

“Si shembull vërtetë të mirë për këtë, do të sugjeroja Marrëveshjen nga Prespa, të nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Ajo që e vërtetoi Marrëveshja e Prespës është se sa është i rëndësishëm lidershipi. Bashkësia ndërkombëtare nuk e bëri këtë vet. Ne e përkrahëm. Këtë e kanë arritur kryeministrat Zaev edhe Cipras edhe ministrat e punëve të jashtme të të dy vendeve dhe të dyja palët ndërmorën rrezik të konsiderueshëm. Arritën kompromis dhe ia dolën. Dhe me këtë e hapën rrugën drejtë ardhmërisë evropiane për Maqedoninë e Veriut, dhjetëra vende anëtare të Aleancës veç më e kanë ratifikuar marrëveshjen për anëtarësim të vendit”, deklaroi Palmer.

Ai ka shprehur shpresë se Këshilli Evropian do të merr vendim për t’i hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut.

“Me të vërtetë u desh shumë guxim për të arritur këtë marrëveshje, por ky guxim tani po shpaguhet. Shpresoj se liderët nga Beogradi dhe Prishtina do të nxjerrin mësime prej këtij shembulli dhe do të ndjekin rrugën e kompromisit dhe gjetjes së zgjidhjes së mirë”, porositi Metju Palmer.

Ai të njëjtën porosi e bëri edhe për liderët në BeH, të marrin përsipër përgjegjësi dhe të jenë të gatshëm për kompromis, por edhe për rrezik, që vetë t’i zgjidhin problemet.

“Ne nuk mund të bëjmë këtë në vend të tyre. Ky është mësim që e kemi mësuar nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës dhe konsiderojmë se me të vërtetë mund të aplikohet në tërë rajonin”, tha Palmer.

Në pyetjen për ndikimin gjithnjë e më të madh të Rusisë dhe Kinës në rajon, Metju Palmer deklaroi se rajoni është një nga prioritetet e SHBA-së dhe ashtu do të mbetet.

“Prandaj, ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim në ardhmërinë e këtij rajoni. Mendoj se vizioni i SHBA-ve dhe të BE-së për këtë rajon është ndryshe nga vizioni i Rusisë. Ne dëshirojmë të shohim rajon që funksionon sipas rregullave, parimeve, që funksionon në pajtim me institucionet dhe në mënyrë transparente. Rusia nga ana tjetër, mbase dëshiron ta sheh rajonin të ndarë, të fragmentuar, në të cilin dominojnë tensione. Për fat të mirë, vizioni të cilin e ndajnë SHBA dhe Bashkimi Evropian është i njëjtë sikurse vizioni i vendeve prej Ballkanit Perëndimor, që dëshirojnë sukses dhe përparim. Megjithatë, kuptohet, rusët do të vazhdojnë me veprimin e tyre sikurse deri tani dhe me ndikimin e tyre negativ, që patëm mundësi ta shohim kur bëhet fjalë për Marrëveshjen nga Prespa”, deklaroi Palmer.

Që të mund të jemi të sigurt se vendet e Ballkanit Perëndimor mund t’i kundërvihen këtij ndikimi malinj nga jashtë, ne duhet të sigurohemi që institucionet e tyre të jenë funksionale, të ndërgjegjshme, transparente dhe të menaxhohen mirë, konstatoi Metju Palmer.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button