PLESHTAT E GJERGJ FISHTËS

Diskursi ndërmjet kryeministrave të dy shteteve shqiptare, për momentin është jashtë çdo ekuilibri. Nëse deri para disa muajsh retorika e padenjë për bartës postesh kryeministrore kamuflohej disi, sa për të mos e vënë re njerëzit e rëndomtë, aktualisht ajo ka kaluar në shkallën e cila në terminologjinë mjekësore njihet si stad i avancuar. Tani, në medie e rrjete sociale, flitet pa dorashka, me emra të përveçëm dhe me kunja, me gjuhë udhësh, të njohur e të kuptueshme prej gjithkujt.

E gjithë kjo erdhi pak javë pas spektaklit medial, i cili entuziazmoi optimistët me betimet e tipit liri a vdekje, me besa-besë, me duar të shtërnguara e të bëra shqiponjë…, që ngjallën shpresat se në qytetin e Pejës u nënshkruajtën marëveshje serioze me aromë e frymë përbashkuese.

Mjerisht dhe si përherë, ata që dje bënë kinse ua vunë pikën polotikave dezintegruese, sot e lakuriqësojnë farsën e bashkimit dhe fyejnë njëri-tjrtrin pa ndjenjën e përgjegjësisë së burrështetasve të mirëfilltë, veçmas atyre që vijnë të drejtojnë shtete të rrezikuara nga korrupcioni, krimi i organizuar, hajdutëria dhe mafia pushtetare.

Për paradoksin e paradokseve tona dhe për ta bërë të plotë mjerimin e dy shteteve shqiptare, kujdeset me tërë qenien edhe presidenti i Kosovës, pa dyshim, kontribuesi i madh i aktualitetit të neveritshëm politik, me tagër të rëngë për të gjithë kombin fatkeq.

Këtë situatë, siç thonë protagonistët e politikave eterike, e gjeneron tema e ndjeshme e dialogut Kosovë – Serbi, mjaft e rëndësishme edhe për rajonin. Kjo, madje ka bërë bashkë kokat e mëdha të politikës botërore, që përpiqen të ulin në tryezë bisedimesh e marrëveshjesh serioze shqiptarët e serbët. Ata, në njërën anë, kanë rënë në hall me axhamillëkun, paaftësinë, mungesën e koordinimit dhe kolonën e pestë të politikës shqiptare, kurse në anën tjetër, s’ia dalin të bindin pushtetarët serbë se epoka millosheviqiane ka përfunduar bashkë më ëndrrat hegjemoniste – pushtimet dhe krimet e reja mbi të shtypurit dhe viktimat e deridjeshme.

Muajve të fundit, serbët, me në kryre presidentin Aleksandar Vuçiq, kanë ndryshuar disa herë qëndrimet për temën  e dialogut Kosovë – Serbi. Ata, me përkrahjen kubare të Mogherinit dhe jo vetëm, fillimisht pritën renegatët shqipfolës ta oficializojnë dhurimin e një pjeseje të Kosovës shtet të pavarur, duke harruar zhvatjet paraprake të mollave të kuqe, kurse së fundmi, pas takimit të liderëve të shteteve ballkanike në Berlin, përkatësisht pas qëndrimit të prerë të kancelares gjermane dhe kryetarit francez se nuk mund të bëhen pazare të reja territoresh, u kthyen te qëndrimi i shprehur me kryeneçesi mesjete nga kryetari serb, i cili edhe përkundër pranimit publik të disfatës, ka vendosur të vdes si serbomëdhenjtë e së shkuarës, duke u betuar me patetizëm se nuk do ta pranojë kurrë pavarsinë e shtetit të Kosovës.

Sidoqoftë, për ne nuk është befasues asnjë qëndrim anakronik i politikës serbe, po idiotësitë e disa politikanëve shqipfolës dhe këshilltarëve milionerë e ligavecë të tyre, të cilët edhe pas qëndrimit të prerë të zonjës Angela Merkel dhe zotit Emanuel Makron, shkumojnë e luftojnë si ushtarë pashiqësh për gjoja domosdoshmërinë e ricopëtimit të Kosovës.

Pikërisht për këtë mbetet ëndërr ardhja në skenë e një klaseje politike, në të cilën nuk do të ketë vend për esad-toptanë të rinj. Ëndërr mbetet dhe kapërcimi përtej filozofisë së shtetbërjes me kacagjelime ndërfisnore, të cilat, një shekull më parë, e shtynë At Gjergjë Fishtën të konstatojë se: e paska pas më lehtë të mbushë një thes me pleshta se sa t’i bashkojë dy shqiptarë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button