RTM në falimentim – s’ka as pronë, as pajisje, në hipotekë janë dhënë edhe trupat e ngrohjes

Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit do të kontrollojë nëse ka bazë për të ngritur procedurë kundër drejtorit të RTM-së, pas të dhënave serioze për punë të paligjshme që i ka shënuar në raportin e vet Enti shtetëror për revizion, transmeton Novatv.mk, përcjell Portalb.mk. 

Revizori ka konstatuar se në RTM mungon pajisje për të cilën janë paguar më shumë se 1 milion euro, në mënyrë të paligjshme janë ndarë bonuse të pagave, për filma dokumentarë, të cilët pastaj janë emituar gratis janë paguar më tepër se 3,5 milionë euro, problematike është edhe pronësia e ndërtesës, kurse pjesë e madhe e pronës së luajtshme dhe të paluajtshme është dhënë në hipotekë për kredi dhe borxhe.

Për shkak të punës së këtillë të paligjshme, Enti shtetëror nuk ka dhënë fare mendim për punën financiare të servisit publik me të cilin në vitet e fundit ka udhëhequr Marjan Cvetkovski.

Për kredi prej 2,2 milion janë vënë në hipotekë ndërtesat e Radios së Maqedonisë dhe sistemi për ngrohje

Në korrik të vitit 2015, Këshilli programor ka miratuar vendim me të cilin miratohet që RTM të merr kredi në bankë në shumë prej 2,2 milion euro për kthim të borxheve të vjetra, për çka në hipotekë e ka dhënë pronë të patundshme, megjithëse Këshilli nuk ka pasur të drejtë të merr vendim të këtillë.

Për të marrë këtë kredi në hipotekë janë dhënë ndërtesat 1 dhe 2 të “Radios së Maqedonisë”, hapësirë afariste në Veles dhe në Shtip, i tërë sistemi për ftohje dhe ngrohje, ashensorë dhe patundshmëri tjera në pronësi të RTM-së. Ndërkohë, në vitin 2016, RTM për shkak të borxhit të papaguar tatimor në hipotekë fut edhe dy automjete reportazhi.

Revizori vë në pah se gjendja e këtillë me pronën e RTM-së, që është dhënë në hipotekë dhe ka aktvendime përmbaruese për arkëtim të kërkesave me para mbi pronë të patundshme, ndikon në pasigurinë për ruajtjen e të drejtës së pronësisë së pronës që është e domosdoshme për kryerje të veprimtarisë së RTM-së.

Në këtë mënyrë RTM është e obliguar të paguajë kredi për ndërtimin e të tre ndërtesave të cilat në ndërkohë u janë lëshuar subjekteve tjera me çka RTM mbetet edhe pa të drejtën e shfrytëzimit të pjesës më të madhe të pronës së patundshme.

Borxhi i përgjithshëm është mbi 20 milionë euro

Sipas vlerësimeve të revizorit, kundër RTM-së janë duke u zhvilluar 33 procese gjyqësore në të cilat nga servisi publik kërkohen 5,5 milionë euro, derisa RTM-ja në konteste tjera gjyqësore kërkon 500.000 euro.

Borxhi publik ndaj furnizuesve, për tatime të papaguara, kredi dhe hua, është mbi 20 milionë euro, kurse nga korriku i vitit 2017 RTM është vazhdimisht me llogari të bllokuar.

Në këtë shumë bën pjesë edhe borxhi ndaj Ministrisë së financave që është falur, por pastaj sërish është kthyer.

Përkatësisht, në vitin 2006 dhe 2007 Qeveria e Nikolla Gruevskit e ka paguar borxhin ndaj Klubit të Londrës dhe Parisit, me çka në vitin 2011 Ministria e financave bën shlyerjen e kërkesave nga TVM në shumë prej 2,5 milionë euro për kreditë e shfrytëzuara prej këtyre klubeve. Por në vitin 2012, është sjell Vendim i ri, me të cilin shfuqizohet i vjetri dhe Ministria e financave nga fillimi i ngarkon me borxh RTM-në, por tani me 2,7 milion euro.

“RTM ka mundur, kurse nuk ka ndërmarrë procedurë për ngritje të aktpadisë në Gjykatën administrative për ta shqyrtuar vendimin e Qeverisë për imponimin e serishëm të obligimit, megjithëse i njëjti është shlyer një herë, kurse nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta reduktuar ndikimin e dëmshëm mbi të ardhurat dhe pronën e RTM-së”, shkruan revizori.

Kontrata të dyshimta financiare për koproduksione dhe filma dokumentarë

Edhe në kohë kur televizion ballafaqohet me borxhe të mëdha dhe nuk është i sigurt funksionimi normal i servisit publik, nënshkruhen marrëveshje për blerje të filmave, programeve sportive, koproduksioneve dhe serialeve dokumentare, në kundërshtim me Rregulloren për blerje të veprave audio-vizuele.

Për blerjen e të drejtave për filma dhe seriale në vitin 2017 janë paguar më shumë se 320.000 euro, kurse faturat janë nënshkruar nga kryeredaktori i servisit programor. Megjithatë nuk ka dokument se janë pranuar filmat që dërgohen pjesë pas pjese, në mënyrë sukcesive, prej çka varet edhe vlera e faturave dhe obligimi për pagesën e tyre.

Revizori ka konstatuar parregullsi edhe gjatë te kontratat me shtëpi private të produksionit për projekte të përbashkëta.

Projektet realizohen disa vite më pas me angazhim të shtëpive të njëjta të produksionit të cilave u janë paguar shuma të mëdha. Për realizimin e emisioneve siç janë: “Tunel”, “Bota e  komunikacionit”, “Stilisimo”, “Emision për verë”,”Koha për foshnje”, filma dokumentar “Vasil Axhillarski dhe Pjetër Bogdani”, “Maqedonia nga perspektiva e zogut”, “Gjaku ynë në Anadoli”, “Mall për atdheun” dhe TV shou “Kompromis”, janë paguar përafërsisht prej 100.000 deri 440.000 euro.

Në periudhën nga viti 2011 deri në vitin 2015 për 104 filma dokumentarë janë shpenzuar 3,5 milionë euro të krijuara në koproduksion të RTM-së me shtëpi tjera të produksionit. Më së shumti para ka fituar seriali “Të palëkundshmit” për të cilin në vitet 2011 dhe 2012 producentëve u janë paguar 400.000 euro.

Në anën tjetër, revizori ka konstatuar se bëhet dhënie të të drejtave për emetimin e këtyre filmave dokumentar për të gjithë radiodifuzerët, madje edhe institucioneve siç janë Ministria për transport, SHPPP, Qeverisë pa kompensim që është në kundërshtim me ligjet.

Në vitin 2017, për blerjen e të drejtave për transmetim të ngjarjeve sportive dhe të tjera, në lidhje me sportin, që mbahen në nivel evropian dhe botëror, janë paguar 600.000 euro. Kontrolli i revizorit ka treguar se nuk ekziston procedurë e posaçme e shkruar për mënyrën dhe procedurën për blerjen e të drejtave nëpërmjet EBU, por e gjithë korrespondenca bëhet me udhëheqësin e seksionit për bashkëpunim ndërkombëtar dhe person të paautorizuar.

Për projektin Eurosong në vitin 2017 janë shpenzuar 140.000 euro në bazë të marrëveshjes që RTM e ka nënshkruar me shtëpi produksioni nga vendi dhe postproduksion të këngës së zgjedhur dhe për material promovues. Revizori nuk ka pranuar dëshmi se është bërë thirrje për pjesëmarrje edhe për shtëpi tjera produksioni, kurse në kontratë nuk ka specifikim të shpenzimeve për pozicione të veçanta që të mund të bëhet krahasim.

Kanë qenë në hipotekë, kurse kanë paguar bonuse

Mirëpo, përveç që janë stërpaguar filma dokumentarë, pavarësisht borxhit jashtëzakonisht të madh TVM ka paguar edhe bonuse. Në vitin 2017 janë paguar 90.000 euro vetëm si kompensim i pagave për një pjesë të punonjësve, kurse në bazë të nenit 70 të Marrëveshjes kolektive me të cilën përcaktohet se në bazë të “vëllimit, cilësisë dhe kryerjes me nikoqirllëk të detyrave, në përqindje të caktuar u paguhet si kompensim i këtillë i pagës”.

Deri më qershor të vitit 2017, 50 deri 60 punonjës nga gjithsej 863 të punësuar kanë fituar bonuse në bazë të këtyre tre kritereve. Ato janë  punonjës me autorizime të veçanta, të punësuar në Sektorin për mbështetje të drejtorit, redaktorë të caktuar të programit dhe udhëheqës. Propozimet e këtilla kanë qenë të nënshkruara nga udhëheqësi dhe drejtori, por nuk kanë qenë të arkivuara.

Bonuse kanë ndarë edhe drejtori i RTM-së, Marjan Cvetkovski dhe zëvendësi i tij, edhe pse ata kanë marrëveshje menaxheriale. Revizori sugjeron se pjesa e rrogës për sukses në punë nuk mund të aplikohet edhe tek personat udhëheqës.

Drejtori Cvetkovski ka autorizuar person tjetër të nënshkruan dokumente në vendin e tij

Në sërën e konstatimeve skandaloze në punën e servisit publik, revizori e përmend edhe autorizimin me të cilin drejtori Marjan Cvetkovski e ka autorizuar udhëheqësin e Sektorit për mbështetje të punës së drejtorit të nënshkruan dokumente në vendin e tij.

“Autorizimi është kryesisht – i përgjithshëm, pa saktësuar konkretisht për cilat dokumente dhe për çfarë lloji të punëve mund të përdoret faksimili, përkatësisht caktohet autorizim dhe përdorim i faksimilit për të gjitha dokumentet që janë në kompetencë ekskluzive të drejtorit, siç janë kontratat me të cilat ndërmerren të drejta dhe obligime për RTM. Ky dokument nuk është verifikuar në arkiv, nuk dihet kur është lëshuar dhe prej kur ka filluar të përdoret nga ana e udhëheqësit të sektorit”, shkruan në raportin e revizionit.

Kundër drejtorit të RTM-së është parashtruar kallëzim penal për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar për dëmtim të buxhetit të RTM-së për rreth 20.000 euro, kurse në dobi të firmës “Analitiko”.

Në raport revizorët theksojnë se nuk kanë mundur të gjejnë pajisjen – studio sisteme, të blerë në vitin 2002, për të cilën janë paguar 1.170 000 euro.

Raporti përfundimtar për revizionin e realizuar të raporteve financiare dhe revizion të harmonizimit për vitin 2017 të NPR “Radiotelevizioni Maqedonisë” do të dërgohet në Kuvend, kurse Komisioni për parandalim të korrupsionit do ta shqyrtojë javën e ardhshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button