Edicioni i gjashtë i “Mirëdita, dobar dan!”, vjen më 29 maj

Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, ngjarje kjo unike që ka prezantuar skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës në Beograd që nga viti 2014, do të mbahet nga 29 maji deri më 1 qershor të këtij viti.

Hapja zyrtare e festivalit “Mirëdita, dobar dan!” do të bëhet të mërkurën me 29 maj me shfaqjen e filmit “Cold November”, me regji të Ismet Sijarinës, film ky i cili është prezantuar në shumë festivale ndërkombëtare të filmit të cilat kanë rezultuar me dy çmime dhe tre nominime. Një ngjarje (event) e cila do t’i paraprijë hapjes do të jetë performanca artistike “Let’s make love” nga Shkumbin Tafilaj. Gjatë festivalit, publiku do të ketë mundësinë të shoh filmin dokumentar “Ferdonija”, film ky nga Gazmend Bajri, i cili tregon jetën e një gruaje që ka humbur tërë familjen e saj gjatë luftës së fundit në Kosovë. Një shfaqje teatrore me regji nga aktori dhe regjisori i famshëm shqiptar Enver Petrovci e titulluar “Kreolet e Ballkanit” do të prezantohet gjatë festivalit për të gjithë dashamirësit e teatrit. Gjatë festivalit do të organizohen tre debate të ndryshme për të diskutuar çështje lidhur me personat e pagjetur, shkrimin e dramave të reja në Kosovë dhe librat e historisë.  Së bashku me këto debate, do të promovohen tre botime specifike: Libri i Kujtesës me tregimet e familjeve të të pagjeturve “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve” të botuar nga forumZFD në Kosovë dhe Integra, “ONE FLEW OVER THE KOSOVO THEATER – Një Antologji e Dramës Bashkëkohore nga Kosova” botuar nga Multimedia (Kosovë) dhe Beton (Serbi). “Historia e Kosovës në tekstet e historisë së Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë”, shkruar nga Shkëlzen Gashi dhe botuar nga Alter Habitus.

Performanca përmbyllëse e edicionit të këtij viti do të jetë një koncert shumë emocionues i grupit trio “Don’t listen to your neighbours” nga Kosova, të cilët janë të mirënjohur sepse kanë mbajtur gjithmonë një koleksion të rafinuar të repertorit tradicional shqiptar dhe në vitet e fundit ata kanë zhvilluar një stil mjaft unik me elemente të xhazit të cilat na vijnë në mënyrë të sofistikuar. Më pas, performanca e  DJ Matale-s nga Prishtina do të përmbyllë festivalin “Mirëdita, dobar dan!” 2019.

Frymëzim për festivalin “Mirëdita, dobar dan!” është aktori i mirënjohur shqiptar, kosovar, jugosllav por edhe i tërë botës, Bekim Fehmiu i cili simbolizon unitetin por edhe ndarjen, por gjithashtu edhe mundësinë e bashkimit të dy hapësirave kulturore në një të vetme.

Festivali do të mbahet në disa lokacione. Hyrja, si në vitet e kaluara, do të jetë pa pagesë.

Festivali organizohet nga Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (Serbi), Integra (Kosovë), dhe Iniciativa Qytetare (Serbi), me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Serbi, Rockefeller Brothers Fund (RBF), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button