Mesazhe

Zgjedhjet presidenciale të cilat sapo u përmbyllën të dielën që shkoi lanë mesazhe të rëndësishme për t’i diskutuar. Së pari, ajo që është shumë pozitive, është se këto zgjedhje mund të konsiderohen të suksesshme në tri aspekte: U arrit dalja e duhur në votime që e kaloi pragun prej 40% të paraparë me Kushtetutë, dallimi mes kandidatëve që garonin ishte i konsiderueshëm – rreth 60.000 vota, dhe raportet nga organizatat ndërkombëtare dhe vendase të cilat i monitoruan këto zgjedhje ishin shumë pozitive. Kjo i bën këto zgjedhje të jenë transparente dhe maksimalisht te rregullta, ndërsa presidentin e sapo zgjedhur e bëjnë të jetë president legal dhe legjitim në të njejtën kohë.

Përveç aspektit teknik të rregullshmërisë së zgjedhjeve, posaçërisht janë të rëndësishme mesazhet kualitative që dalin nga ato. Mesazhi i parë është se numri i qytetarëve që besojnë në një ardhmëri pro-evropiane të vendit është më i madh se i atyre që kërkojnë të na kthejnë pas në disa procese të cilat tash më i kemi kaluar. Kështu, koncepti që Pendarovski zgjodhi ta promovonte si koncept inkluziv dhe i veprimit të përbashkët drejt një qëllimi konkret doli bindshëm fitimtar. Këtë koncept e përkrahën të gjithë ata që besojnë në një të ardhme evropiane dhe euro-atlantike të vendit. Ky koncept është vendosur në votim jo një herë por disa herë në të kaluarën, dhe nga viti 2016 e këndej vazhdon të dalë fitimtar. Kështu, me një koncept të tillë të veprimit të përbashkët u rrëzua Gruevski dhe regjimi i tij në vitin 2016. Që atëherë, si në zgjedhjet lokale të vitit 2017 ashtu edhe në zgjedhjet e tashme presidenciale, ky koncept u ngrit sipër votimit tradicional etnik.

Është mesazh i mirë që ky koncept vazhdon të japë rezultat sepse në fakt, Maqedonia gjithmonë ka qenë dhe do të mbetet shtet multietnik. Në një shtet të tillë, etnitë e ndryshme nuk arrijnë të sjellin vendime të rëndësishme pa përkrahje të ndërsjellë. Konceptet monoetnike dhe ekskluzive të cilat promovojnë supremacionin e një etnie mbi tjetrën nuk hasin më në përkrahjen të cilën e kanë pasur përpara. Të paktën jo në atë përkrahje që do të ishte e mjaftueshme për të ndryshuar pushtetin.

Mesazhi tjetër që është i rëndësishëm nga këto zgjedhje është se vota individuale fiton gjithnjë e më tepër rëndësi. Votimi i qytetarëve në të kaluarën në këtë vend ka qenë i determinuar dhe i udhëhequr ekskluzivisht nga partitë politike. Një pjesë e mirë e kësaj vazhdon ende të jetë kështu. Janë partitë politike ato që mobilizojnë numrin më të madh të qytetarëve të dalin në votim në ditën e zgjedhjeve. Por tanimë partitë nuk e kanë as monopolin mbi këtë votë dhe as mundësinë për të garantuar se ku shkon vota e secilit.

Në kushte kur administrata nuk detyrohet të votojë sipas urdhrit, kur njerëzit që e fotografojnë votën e tyre menjëherë kallëzohen penalisht dhe kur bartja e organizuar e votuesve nëpër vendvotime dënohet si krim, partitë gjithnjë e më pak mund të jenë të sigurtë për votat të cilat dikur kanë arritur ti vendosin në kontot e tyre. Vota individuale sipas bindjes së plotë dhe të lirë është ajo që e bën dallimin. Prandaj edhe partitë nuk mund të thirren më në monopole votash. Sepse njerëzit për arsye të ndryshme votojnë për kandidatë të ndryshëm, dhe jo domosdoshmërish për arsyen se këta kandidatë përkrahen nga partitë e caktuara politike. Ky po ashtu është një mesazh shumë pozitiv që dëshmon për pjekurinë gjithnjë më të madhe të qytetarit si votues.

Mesazhi i tretë nga këto zgjedhje nuk është dhe gjithaq pozitiv, por është mesazh që tërheq vërejtjen për zhvillimet në politikën e vendit. Fakti që një VMRO-DPMNE e pa-reformuar, me një lider si Mickovski, i cili gjykimet për 27 prillin i quan procese të Nyrembergut ndërsa rastet e ndjekura nga Prokuroria Speciale i quan persekutim politik, lider i cili i thërret në përkrahje të gjithë qytetarët përveç qytetarëve shqiptarë të këtij vendi, një parti e cila nuk ka arritur të shkëputet nga e kaluara në të cilën për më se 10 vjet funksionoi si organizatë kriminale dhe po ashtu nuk arrin të shkëputet nga ndikimi real i kryetarit të nderit i arratisur në Budapest, pra fakti që një parti e tillë arriti të marre numër të konsiderueshëm votash dhe të bëjë ngritje dhe rikthim në skenën politike, praktikisht pa asnjë investim e as sakrificë, është një tërheqje e madhe e vërejtjes për të gjithë.

Së pari është tërheqje e madhe vërejtjeje për konsumimin e filluar të LSDM-së e cila gjatë vetëm dy viteve duhej të bënte shumë ndryshime dhe hapa të rëndësishëm të cilat VMRO i trumbetoi si “shitje të interesave kombëtare të maqedonasve”. Këtu kam parasysh mbi të gjitha Marrëveshjen e Prespës dhe marrëveshjen me Bullgarinë. Së dyti kjo është tërheqje e vëmendjes edhe për lëshimet në funksionimin e brendshëm që kjo qeveri i ka bërë, së pari në luftën ndaj korrupsionit dhe vendosjen e drejtësisë. Lëshimet në këtë drejtim kanë krijuar pakënaqësi që e dobësojnë dukshëm pozitën e qeverisjes proevropiane dhe pro integrimit në NATO. Së treti, fakti që në hartën e Maqedonisë këto zgjedhje treguan saktësisht se në cilat territore shumicën e votave të qytetarëve maqedonas e ka VMRO, dhe këto janë territoret e Maqedonisë lindore. Është tërheqje e madhe e vërejtjes që tregon se lufta me nacionaizmin dhe shovinizmin nuk ka mbaruar dhe as që duket se do të mbarojë së shpejti.

Sot festohet edhe dita e luftës antifashiste, por fashizmi në këtë vend, ashtu si edhe në shumë pjesë të tjera të botës, nuk ka vdekur dhe është shumë larg nga vdekja. Fakti që edhe tri vite pas zgjedhjeve të 2016 dallimi në përkrahje tek LSDM dhe VMRO është minimal, flet shumë për këto zhvillime. Ironia është se ky trend i rritjes së pakënaqësive dhe ky trend konstant i përkrahjes së VMRO-së në vende të caktuara, mund të sjellë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare VMRO të faktorizohet edhe më shumë, duke mos bërë fare ndryshime esenciale në mënyrën e funksionimit të saj. Them të faktorizohet, sepse për të ardhur në pushtet, ajo nuk e ka elementin kryesor të ko ekzistencës që i duhet, e ajo është përkrahja, qoftë edhe e pjesshme, nga shqiptarët. Sidoqoftë, ky mesazh i tretë duhet shikuar me shumë kujdes, para se të bëhet tepër vonë.

Përfundimisht, sot kur festojmë ditën e Evropës, është koha që pikërisht Evropa të na tregojë që të gjitha këto përpjekje për të mbajtur në plan prioritar integrimin në NATO dhe UE ia kanë vlejtur. Pa një datë për fillimin e negociatave, pakënaqësia e përmendur më lartë do të rritet edhe më shumë, ndërsa ajo që do të humbet është pikërisht momenti i përkrahjes së një fryme progresive entuziastësh të cilët arrijnë ta shohin vërtet të ardhmen e këtij shteti si një shtet evropian në të cilin mund të jetohet një jetë e denjë dhe normale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button