Samiti “Brdo – Brijun” trajtoi integrimin e Ballkanit dhe dialogun Kosovë – Serbi

Liderët e vendeve të Ballkanit janë mbledhur në Samitin e Brdo – Brijunit në Tiranë, të cilët diskutuan aspiratat e rajonit për të vazhduar proceset integruese në Bashkimin Evropian, njofton REL.

Pas diskutimeve në samit, në konferencën e përbashkët për media, presidentët pjesëmarrës, pa parinë e presidentëve të Kosovës, Serbisë, Maqedonisë Veriore dhe Bosnjë e Hercegovinës, thanë se diskutimet në samit ishin konstruktive dhe se u fokusuan në të ardhmen e rajonit në BE, si dhe fokus i veçantë iu dha dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha se në samit u nënvizua rëndësia e bashkëpunimit dhe e vëmendjes së rajonit drejt integrimit në BE, por edhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve në vendet e Ballkanit Perëndimor, si rrugë e vetme për t’u afruar me familjen evropiane.

“U nënvizua angazhimi i përbashkët për të forcuar më tej dialogun dhe procesin e pajtimit në rajon, bazuar në të vërtetën, besimin dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve deri tani nga palët”, tha Meta, i cili shtoi si të gjithë do të dëshironin që “dialogu Kosovë –Serbi të kishte përfunduar dje, jo sot dhe as nesër”.
Të ftuar nderi në këtë samit ishin presidenti i Polonisë, Andrej Duda, dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini. Kjo e fundit u largua për të vazhduar agjendën e saj në Bruksel, dhe nuk ishte e pranishme deri në fund të samitit.

Presidenti i Polonisë Andzej Duda, tha se Bashkimi Evropian duhet t’i mbajë dyert e hapura për anëtarësimin e Ballkanit. Ai po ashtu, duke iu referuar Kosovës dhe Serbisë theksoi se mes vendeve fqinje duhet të ketë dialog.

“Historia e këtyre tokave është mjaft e vështirë”, tha Duda duke shtuar se “këto çështje duhet të diskutohen dhe zgjidhen përmes dialogut mes liderëve dhe drejt rrugës së tyre në BE. Kjo është një detyrë e madhe e Brukselit dhe vendeve anëtare të BE-së që ta kuptojë këtë proces dhe ta mbështesin. Ky është një rol i madh që luhet nga dy vendet. Europa Juglindore ka nevojë për Evropën dhe anasjelltas”.

Presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviq, tha se reformat që kanë mbetur pezull duhet të realizohen dhe se është e shqetësuar me stagnimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian sa i përket vendeve të Ballkanit.

Ajo tha se ky stagnim i procesit po krijon vakum të rrezikshëm për Evropen Juglindore.

“Ne po humbim zemrat dhe mendjet e njerëzve. Pra, njerëzit po humbin besimin dhe kanë dyshimet e tyre se çfarë do të ndodh dhe a po bëhet progres. Ky vakum duhet të plotësohet dhe duhet të mbushet me influencë”, tha ajo.

Presidenti slloven Borut Pahor, i cili do të jetë nikoçir i samitit në vitin e ardhshëm, tha se “të gjithë e dinë së pas zgjedhjeve evropiane procesi i zgjerimit nuk do të jetë pjesë kryesore e agjendës dhe na takon ne që të shtyjmë përpara këtë proces”.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në dalje të samitit me dyer të mbyllura të Brdo-Brijunit tha se u diskutua edhe çështja e Kosovës, ku ai theksoi faktin që mosliberalizimi i vizave do të ishte “i padrejtë dhe ndëshkim për popullin e Kosovës”.

Presidenti Thaçi theksoi edhe që vendosja e taksës 100% ndaj mallrave të Serbisë është legjitim dhe do “të mbetet në fuqi”, edhe pse dialogu mes palëve duhet të vazhdojë i pakushtëzuar.

Ai po ashtu përmendi se me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, një ditë më herët kanë diskutuar për mundësinë e bashkimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, dhe krijim të kufijve etnik shqiptarë si një njësi e vetme.

“Unë kam diskutuar dje me kryeministrin e Shqipërisë zotin Rama në një bisedë shumë të hapur, kemi diskutuar për mundësinë e heqjes së tërësishme të kufirit Kosovë – Shqipëri, të një modeli evropian nën ombrellën e vlerave euro-atlantike. Askush nuk duhet t’i frikësohet komunikimit dhe integrimit kombëtar dhe të një lëvizjeje e një hapësire ku jetojnë shqiptarët – pa kufij. Pra, në një lëvizje të lirë, gjithmonë duke përfshirë Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin”, tha Thaçi.

Samiti i Brdo – Brijunit organizohet që nga viti 2013, me iniciativën e Sllovenisë dhe Kroacisë. Ky samit ka për qëllim bashkëpunimin rajonal, duke përçuar mesazhin politik lidhur me aspiratën e përbashkët e Ballkanit Perëndimor për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe mbahet periodikisht në një nga vendet pjesëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button