“Facebook”, “Google” dhe “Twitter” nën thjerrë të Komisionit Evropian

Burimi: KriThink

Komisioni vlerëson se tre kompanitë e mëdha të internetit janë duke ndërmarrë veprime për t’i pastruar platformat e tyre nga veprimet e dëmshme, spam-i dhe sjelljet joautentike të përdoruesve të tyre, por nuk është plotësisht të kënaqur me përparimin. “Facebook”-u që nga fillimi i këtij viti ka fshirë 8 rrjete të koordinuara për shkak të veprimeve joautentike (përfaqësim të rremë, spam-it, lajmeve të rreme etj.) nga vende të tilla si Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Rusia.  

Komisioni Evropian dje publikoi një raport ku e vlerëson përparimin e tre kompanive të mëdha të internetit, “Facebook”, “Google” dhe “Twitter”, në luftën e tyre kundër dezinformatave. Këto tre kompani kanë nënshkruar një Kod të praktikave dhe janë zotuar të raportojnë një herë në muaj për aktivitetet e tyre në këtë fushë përpara zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në maj të vitit 2019.

Komisioni theksoi se i vlerësoi përpjekjet e tyre për të rritur transparencën përpara zgjedhjeve evropiane, duke shtuar se të tre kompanitë tani tregojnë se kush qëndron pas reklamave politike të publikuara në faqet e tyre, ndërsa “Facebook” dhe “Twitter” tashmë kanë edhe biblioteka të të gjitha reklamave të publikuara politike, ndërsa ky funksionalitet në “Google” është në fazën e testimit.

Megjithatë, Komisioni vlerëson se nevojiten hapa të mëtejshëm, në veçanti sa i përket publikimit të metodologjisë dhe grupeve të të dhënave për profilet dhe faqet e rreme, me qëllim që t’u mundësohet ekspertëve të pavarur, verifikuesve të fakteve dhe hulumtuesve të bëjnë vlerësime specifike. Në raporti gjithashtu thuhet edhe se “Google” dhe “Twitter” nuk kanë bërë asnjë përparim në planin e sigurimit të transparencës në lidhje me reklamat që kanë të bëjnë me çështje nga fusha e interesit publik dhe politikave publike, e që ndikojnë në debatet e rëndësishme gjatë periudhës së zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, është shprehur kënaqësi që platformat ndërmarrin hapa në luftën kundër bot-eve të dëmshme dhe profileve të rreme. Veçanërisht pozitiv konsiderohet bashkëpunimi i “Google” me organizatat dhe rrjetet për verifikimin e fakteve.

Lidhur me aktivitetet konkrete të këtyre platformave, Komisioni i veçon politikat e “Google” lidhur me reklamat politike, të cilat hynë në fuqi muajin e kaluar, si dhe fshirjen e një numri të konsiderueshëm të kanaleve në “YouTube”, që prodhonin spam, mashtrime, përdornin praktika mashtruese dhe përfaqësim të rremë.

Ndërkaq “Facebook”-u është lavdëruar për veprimet e ndërmarra kundër reklamave që përmbajnë përmbajtje të pasakta ose që i anashkalojnë sistemet e tyre të kontrollit. Kompania gjithashtu njoftoi se në tremujorin e parë të këtij viti, ajo hoqi tetë rrjete të koordinuara nga platforma e saj për shkak të sjelljeve joatuentike (përhapjes së dezinformatave, përfaqësimit të rremë dhe të ngjashme), me origjinë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Rusia. Edhe “Twitter”-i ndërmori veprime kundër profileve të rreme dhe atyre që prodhojnë spam, por nuk publikoi të dhëna se sa prej këtyre aktiviteteve janë të lidhura me vendet e Bashkimit Evropian.

Komisioni do t’i vlerësojë në thellësi përpjekjet e këtyre tre platformave për t’i pastruar rrjetet e tyre nga veprimet e dëmshme dhe joautentike të përdoruesve brenda një periudhe prej 12 muajsh deri në fund të vitit. Nëse rezultatet tregohen të pakënaqshme, janë paralajmëruar aktivitete shtesë, si dhe miratimi i legjislacionit të cilin pastaj platformat e internetit do të duhet ta respektojnë.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button