Autostrada “Arbër Xhaferi” dhe në Gërdelicë gati në fund të majit, për Shkup – Bllacë s’është hapur tender

Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut deri në fund të muajit maj në Kosovë dhe Serbi do të udhëtojnë nëpër autostradë. Që të dyja shtetet, në pothuajse periudhë të njëjtë e përfundojnë ndërtimin e dy autostradave që lidhen me RMV-në, të cilat do të mundësojnë që të udhëtohet më shpejtë në Nish dhe Prishtinë, transmeton Portalb.mk.

Ministrja e Ndërtimtarisë, Transportit dhe Infrastrukturës, Zorana Mihajloviq ka njoftuar se për dhjetë ditë do të lëshohet për qarkullim autostrada që kalon në grykën Gërdelica.

“Hapim autostradë të nëpërmjet grykës së Gërdelica, e gjatë 26.3 kilometra, e cila është është pjesa e fundit e pjesës jugore të Korridorit 10”, tha Mihajloviq, transmeton “META”.

Kjo pjesë e Korridorit panevropian është e vetmja në Ballkan që nuk është profilizuar në autostradë. Me përfundimin e saj, qytetarët e vendit tonë do ta shkurtojnë kohëzgjatjen e udhëtimit në drejtim të Nishit.

Thuajse në të njëjtën kohë, edhe Kosova do ta lëshojë në përdorim autostradën “Arbër Xhaferi, ndërmjet Prishtinës dhe vendkalimit kufitar “Bllacë”, më 29 maj 2019. Ndërtuesi i kontraktuar “Bektel Enka” për momentin është duke i përfunduar punët ndërtimore në urën më të gjatë 6 kilometra, që kalon ndërmjet grykës së Kaçanikut, në relacionin Kaçanik – Hani i Elezit. Autostrada “Arbër Xhaferi” është e gjatë 65.56 kilometra, ka dy korsi të trafikut dhe nga një korsi për ndalesë në çdo drejtim, kurse janë ndërtuar 19 ura.

Autostrada Shkup – Bllacë: Ende s’është hapur tenderi për punët ndërtimore

Me autostradën “Arbër Xhaferi” do të lidhet autostrada Shkup – Bllacë, për të cilën nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore (NPRrSh) ende nuk është hapur tenderi për punët ndërtmore, ndërkaq ai mbikëqyrës i cili është mbyllur më 22 prill 2019, ende është në fazën e evaluimit. Pa përzgjedhjen e kompanisë që do ta realizojë mbikëqyrjen e punimeve ndërtimore, nuk do të hapet tenderi për punët ndërtimore.

“Tenderi ende është në fazë të evaluimit të ofertave. Për momentin nuk mund të japim më shumë informacione”, njoftuan për Portalb.mk, nga sektori për Furnizime Publike i NPRrSh-së.

Paraprakisht drejtori i NPRrSh-së, Zoran Kitanov deklaroi se: “Pasi të përzgjidhet operatori mbikëqyrës, do të hapet tenderi për punimet ndërtimore”, tha Kitanov.

Rëndësia e ndërtimit të autostradës Shkup – Bllacë, është sepse ajo do të mundësojë lidhjen me autostradën “Arbër Xhaferi”, e cili lidhet me autostradën “Ibrahim Rrugova”, që bashkërisht mundësojnë lidhje rrugore të RMV-së me Shqipërinë dhe Malin e Zi.

LEXO: Autostrada Shkup-Bllacë, është hapur tenderi për mbikëqyrje të punimeve ndërtuese

Përndryshe, për autostradën Shkup – Bllacë u tha se në muajin shkurt duhet të hapet tenderi për fazën e parë. Faza e parë do të fillojë nga kufiri Bllacë – Hani i Elezit dhe do të jetë e gjatë 2 kilometra. Punimet në terren për këtë fazë do të zgjatin 18 muaj.

Faza e dytë – Do të fillojë nga Bllaca deri në Shkup, do të jetë e gjatë 10.5 kilometra, ndërkaq projektimi pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2019. Tenderi do të hapet në fillim të vitit 2020. Do të ketë 4 tunele në gjatësi prej 4 kilometra, 8 ura dhe objekte të tjera. Do të jetë në dy drejtime, me nga dy korsi me gjatësi prej 3 metra, dhe një korsi për ndalesë me gjerësi prej 2.5 metra. Punimet për këtë fazë do të zgjatin 36 muaj.

Gjatësia e tërë autostradës do të jetë 12.5 kilometra, do të kushtojë 110 milionë euro, do të ketë 4 tunele, 8 ura, ndërkaq pritet të përfundojë për 54 muaj – 4.5 vjet. U paralajmërua edhe vendosja pikëpagesave rrugore.

Paralajmërimi për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë në dy faza dhe në kohëzgjatje prej 54 muaj ka ngjallur reagime të shumta në opinion. Qytetarët në mënyrë ironike komentuan se me kazmë do ta ndërtonin më shpejtë, e kurse sipërmarrësit thonë se kjo do ta ulte fitimin dhe do të rriste shpenzimet e ndërmarrjeve që gravitojnë në zonën ekonomike të Vizbegut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button