Kina ka paralajmëruar kundërmasa ndaj tarifave të Trumpit

Pekini tha se do të përgjigjet nëse presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i rrit tarifat mbi mallrat kineze të premten.

Ministria e Tregtisë e Kinës tha se nëse SHBA-ja zbaton tarifa të reja, ajo do t’i ndërmarrë “kundërmasat e nevojshme”.

“Përshkallëzimi i fërkimit tregtar nuk është në interes të popujve të të dyja vendeve dhe popujve të botës”, tha përmes një deklarate Ministria kineze e Tregtisë.

Parlajmërimi vjen derisa zyrtarët amerikanë dhe kinezë po përgatiten të takohen gjatë dy ditëve të ardhshme.

Trump tha të mërkurën se “zëvendëskryeministri (kinez) Liu He po vjen në SHBA për të bërë marrëveshje”. “Do të shohim”, shkroi Trump në Twitter, transmeton REL.

Trump i lëkundi tregjet globale këtë javë duke kërcënuar se tarifat e vëna mbi eksportet e Kinës në SHBA do të arrijnë në 25% të premten, nga niveli aktual prej 10%.

Përfaqësuesi tregtar i SHBA-së, Robert Lighthizer, e shpjegoi më vonë këtë paralajmërim, duke thënë se Kina i ka ndërprerë angazhimet në bisedimet tregtare.

Megjithatë, ai tha se marrëveshja me Pekinin është ende e mundur.

Dy vendet, prej muajsh, janë të përfshira në negociata për zgjidhjen e problemit, pasi edhe Kina u ka vënë tarifa hakmarrëse prodhimeve amerikane.

Presidenti Trump thotë se “politikat e padrejta tregtare” të Kinës e dëmtojnë ekonominë amerikane.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button