Rrëfime nga guaca

Mendimtari, hulumtuesi dhe intelektuali, Dyxhane Xhyndiogllu (Dücane Cündioğlu, Stamboll, 1962), autori i disa librave me përmbajtje filozofike, teologjike, psikologjike, mistike dhe letrare, jeton i vetmuar në një ishull të Stambollit, ku e shkruan, siç thotë, “librin e tij të parë”. Kjo mënyrë jetese na kujton një thënie të Ray Bradbury – it: “Nuk besoj në kolegje dhe universitete. Unë besoj në biblioteka“.

Xhyndiogllu është shpirt kërkimtar. Ai rend drejt diçkaje të re, e megjithatë vazhdon ta plotësojë librin që ka nisur ta shkruajë kaherë. “Udhëtimin” deri tek e vërteta e bën i vetëm dhe “jo duke ecur së bashku me të tjerët”, të cilët, zakonisht, mahniten nga mashtrimi. T’ia mbash anën të vërtetës, sipas tij, duhet të jesh i gatshëm që të mbetesh i vetmuar. “Njeriu zërin hyjnor e dëgjon kur është në vetmi, kur s’ka të tjerë përreth”, thotë në librin Motto, i cili vjen në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese “Ajan Books”, i përkthyer me shumë përkushtim dhe kompetencë nga profesori dhe përkthyesi Ali Pajaziti.

Në këtë libër autori shkruan: për njeriun, jetën, vdekjen, dashurinë, lirinë, robërinë, ndërgjegjen, religjionin, pasionin, politikën, pushtetin, demokracinë, turmën, vetminë, të vërtetën, gënjeshtrën, shtetin, pushtetin, jetesën, mbijetesën, modestinë, mendjemadhësinë, urtësinë, padijen, shpirtin urban etj.

Ai shkruan shkurt e qartë. Dhe thotë shumë. Në çdo rresht të librit frymon njerëzorja. Filozofia e tij është e orientuar drejt njeriut, i cili shenjtërinë duhet ta ndjejë brenda vetes. Njeriu, për autorin, është përmbi gjithçka: mbi shoqërinë, atdheun, shtetin. “Para së gjithash njeriu,… gjithmonë, njeriu”.

Dyxhane Xhyndiogllu flet thjeshtë e bukur dhe, siç thotë Brodski, na hap “porta mendimi”, në kohë zhurme, në kohë mendimesh të gatshme dhe refrenesh, që nuk thonë gjë. “Mos dysho, e përhapura masivisht është e gabuara”, thotë ai. Të shkosh kundër mendimit dominues do të thotë të rrezikosh, por pa këtë ndjenjë nuk mund ta thuash të vërtetën tënde. “Populli gjithnjë do që Jezusin ta shohë të varur në kryq”.

Autori, në librin Motto, shpërfaq një filozofi të madhe, të pa robëruar nga kthetrat e sistemeve filozofike. Urtësia e tij shprehet nëpërmjet sentencave, që lexohen shpejt dhe fiksohen përgjithmonë në kujtesën tonë.

“Mos lexo shumë libra, një libër të mirë lexoje shumë herë!”, thotë autori. Një libër i mirë nuk rilexohet. Ai vetëm lexohet. Pas çdo leximi zbulon përmasa të reja ekzistenciale dhe njohjeje, që i kanë ikur leximit paraprak.

Motto është prej librave që lexohet shumë herë, përherë. Është prej librave që, siç thotë Konica, mund ta ngresh me dy gishta, por nuk e rrëzojnë njëqind viganë. Perlat e këtij libri, ku me thjeshtësi madhështore flitet për të vërtetat më të trishta të jetës, botës, ekzistencës njerëzore, na shtyjnë të mendojmë më thellë për shumëçka dhe njëkohësisht të jemi më të lirë. Dituria, na thotë autori i librit, na çliron nga robëria. Së paku, nga ajo e brendshmja. Pa qenë i lirë nuk mund të jesh as njeri, sepse nuk je vetvetja. Ndërkaq robëria politike është vetëvrasje e shpirtit.

Për autorin koha e mendimit është gjendja e paqes dhe jo gjendja e mbijetesës apo emergjencës. Sartri thotë se “ekzistenca i paraprin esencës”. Autori e formulon këtë gjendje si vijon: “Si mund të mendojë njeriu që gjithnjë është në gjendje të jashtëzakonshme, në gjendje emergjence, në luftë të vazhdueshme për mbijetesë?”.

E njëjta vlen për kombet dhe qytetërimet. “Në Lindje, historia gjithmonë merr një gjendje të jashtëzakonshme, është një histori e gjendjes emergjente; ky është shkaku pse pushtetet janë të privuar nga pedanteria dhe delikatesa”, shkruan Xhyndiogllu.

“Kur marr në dorë një libër për ta lexuar, më duket sikur, pas pak, do të përfundojnë të gjitha shqetësimet”, thotë autori. Libri Motto është njëri prej këtyre librave.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. cka vlen per librin Motto vlen edhe per shkrimet tua.
    cka eshte Xhyngiogllu ne boten e mendimit filozofik a nuk je ti Salo te ne dhe jo vetem te ne? Kush ka faj qe shkrimet tua nuk perkthehen dhe nuk dynden neper bote, fillimisht ne bibliotekat e dy shteteve tjera shqiptare pastaj ne Evrope dhe gjetiu? Kush ka faj qe ne Ministrine e kultures as kur udheheqen nga shqitare nuk e prek fare vizioni per kulturen shqiptare ne vend dhe jashte, nje cete keshilltaresh per cka shkuan gjithe ato pare populli ne kohe krize cfare e keshilluan Asafin me cka do te mbahet mend mandati i tij? Ministria e arsimit, han e dan udhehequr nga shqiptare, cfare beri qe profesoret universitare te kalibrit te Salajdinit, Pajazitit, Fatmir Sulejmanit, Mersel Billalit e shume te tjerevfe te formesohen si libra prej te cilave studentet do te mesojne e nuk do te argetohen si prej librave me gjepura te tipit te Veton Latifit? Kuda plovi ovaj brod??

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button