Fati i Prokurorisë Speciale, ende pa marrëveshje, vazhdon të premten pazari mes VMRO-së dhe Qeverisë

Thuajse dy muaj nga nisja e negociatave për statusin e ardhshëm të Prokurorisë Speciale Publike (PSP), dallimet mes opozitës dhe pushtetit në Republikën e Maqedonisë së Veriut ende nuk janë tejkaluar, transmeton Portalb.mk.
Në takimin e sotshëm mospajtim kryesor ka qenë për nenin 105 me të cilin sipas negociatores së Qeverisë dhe LSDM-së, ministres Renata Deskovska, VMRO-ja kërkon të vendosen dispozita të fshehura për amnistim të kryerësve të akteve penale. Ndërkaq, sipas prokurores speciale Katica Janeva, PSP-ja e pret Ligjin e ri, për të vazhduar me punë sepse kanë hetime të reja.

Takimi i ardhshëm i grupeve punuese është caktuar për të premten.

12:20 – Ministrja Deskoska: Nuk pranojmë dispozita ligjore nga opozita që nënkuptojnë amnisti të fshehur

Nuk ka asnjë ndryshim në lidhje me dallimet mes pushtetit dhe opozitës rreth përbërjes së Ligjit të ri për Prokurori Publike, kështu deklaroi ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska pas mbarimit të rundit të negociatave për këtë ligj që përfshin edhe Prokurorinë Speciale, mes VMRO-së opozitare dhe LSDM-së në pushtet, transmeton Portalb.mk.

Nuk pajtohemi për nenin 105. Ky nen duhet të mundësojë vazhdimin e procedurave hetuese për veprat e kryera penale. Por nga ne, për Ministrinë e Drejtësisë nuk është e pranueshme vendosja e dispozitave në ligj që do të thonë amnisti e fshehur për disa kryerës të veprave penale. Andaj nuk kishim përparim”, tha Deskoska.

Ajo tha se dy partitë nuk kanë vërejtje të theksuara në lidhje me popozimin që Prokurori publik së bashku me dy bashkëpunëtorë të tij të jenë ata që do zgjedhin se cilët lëndë do të shkojnë në ekipin e Janevës dhe cilët në ekipin e Prokurorisë së rregullt.

“Mospajtimi qëndron në atë se sa thellë dë të shkohet me selektimin e lëndëve. Kërkesa e VMRO-së që mos të mirren parasysh aspak lëndët e hapura pas 18 qershorit është problematike për ne. Ata kërkojnë që të ndalojë çdo procedurë për të akuzuarit pas 18 qershorit dhe dëshmitë të shkatërrohen ” tha Deskovska.

Ajo tha se me siguri dy Prokuroritë, ajo e rregullt dhe ajo speciale, do të punojnë ndaras, por për këtë do të bisedojnë me opozitën, pas tejkalimit të pengesave për nenin 105.

Mes lëndëve të hapura pas 18 qershorit janë hetimet për regjistrimin e popullsisë kundër liderit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe të arratisurit ish kryeministrit Nikolla Gruevski, hetimi “I fuqishmi” kundër deputetit Antonio Milloshoski, “Pacienti” kundër zv/kryeministrit Bujar Osmani, “Dizajni” për autobusët kinezë dhe të tjera.

11:35 – Prokurorja speciale, Katica Janeva sot pas takimit tha se janë tejkaluar disa dallime mes partive politike në lidhje me atë se çfarë do të punojë Prokuroria Speciale, tani pritet të shihet zgjidhja përfundimtare, transmeton Portalb.mk. Janeva teksoi se PSP-ja vazhdon me punë dhe se ka hapur procese të reja para-hetimore nga materialet e përgjuara.

“Mendoj se të gjithë jemi në dijeni se shkojnë negociatat apo pranimi i amendamenteve nga ana e opozitës Unë besoj në procesin, së pari sepse bëhet fjalë për  profesionistë të lartë të fushës së gjyqësorit, si nga ana e qeverisë, ashtu edhe nga e opozitës, me përjashtim të disa personaliteteve që lidhen me lëndët tona që konsideroj se nuk janë më në grupin negociues. Për pikat kryesore për atë se çfarë do të punojë Prokuroria Speciale Publike mendoj se dallimet janë tejkaluar, por në lidhje me lëndët të cilat do të jenë lëndë e punës në Prokurorinë Speciale dhe cilat në Prokurorinë e rregullt, në atë pjesë presim të shohim se si do jetë zgjidhja përfundimtare.
Presim të shohim nëse do të formohet grup i prokurorëve që do të konfirmojnë cilën lëndë kush do ta punojë nga prokuroritë”, tha Janeva pas takimit me grupin që negocion për Ligjin e ri të Prokurorisë së RMV.

Ajo tha se është e kënaqur se “bisedat e përgjuara ndoshta nuk do të dëgjohen por megjithatë do të ketë hapësirë të analizohen nga ana e gjykatës dhe do të jenë dëshmi nëse ka të tilla në lëndë të caktuara” tha Janeva e cila theksoi se PSP-ja vazhdon me punë dhe se ka hapur procese të reja para-hetimore.

Ajo tha se në PSP ka vend të punësohen edhe dy prokurorë të rinj, por pas miratimit të Ligjit të ri.

******************************************************************
Propozimi i fundit i Ministrisë së Drejtësisë ka parashikuar që prokurori publik, bashkë me dy prokuror të Prokurorisë Publike, të vendosin për ardhmërinë e hetimeve, nëse do t’i udhëheqë Prokuroria Speciale Publike në krye me Katica Janevën ose Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion në krye me Lubomir Joveskin.

Reagimet të shumta ka pasur nga faktori ndërkombëtar për miratim sa më të shpejtë të Ligjit për Prokurori Publike. Eurokomesari Johanes Han, si një faktor kyç për marrjen e datës për nisjen e bisedimeve RMV-BE e paraqiti edhe Ligjin e PSP-së,  si dhe faktori i brendshëm e sheh si mundësi të marrjes së një pike pozitive në raportin e Komisionit Evropian.

Çka përmbajnë 65 amendamentet e VMRO-DPMNE për PSP?

Shlyerje e neneve të tëra nga projekt-ligji për Prokurorinë Publike dhe përfshirje të neneve të reja të cilat e pozicionojnë PSP-në vetëm si njësi në përbërje të Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me mandat derisa zgjasin proceset gjyqësore aktuale, janë shkurtimisht disa nga 65 amendamentet të cilat VMRO-DPMNE i ka parashtruar si propozime në tavolinën e negociatave.
Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë e ka verzionin e vet të ligjit.

“Status quo”-ja e negociatave, i nxiti informacionet se opozita dhe pushteti janë marrë vesh që PSP-ja të shkojë në histori – të mos funksionojë më, por të njëjtat i demantoi zëdhënësi i Qeverisë së RMV-së, Mile Boshnjakovski, i cili tha se negociatat nuk zhvillohen pas dyerve të mbyllura sepse gjithmonë ka informata në opinion, ndërsa ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska gjithmonë është e qasshme t’i tregojë detajet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button