Deri në 15 vite burg për këdo që në Shqipëri cenon sigurinë ushqimore

Ndryshimet në Kodin Penal parashikojnë ndëshkime deri në 15 vite burg për këdo që cenon sigurinë ushqimore në Shqipëri.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama, i ftuar në një tryezë për sigurinë ushqimore, transmeton ATSH.

Siguria Ushqimore, tha ai, “është një sfidë e madhe dhe e vështirë që do ta çojmë deri në fund, me çdo kusht e çmim”.

“Ndryshime në Kodin Penal për të hequr lirinë e kujtdo që me lirinë abuzon duke dëmtuar shëndetin e njerëzve”, tha ai.

Fillimisht kryeministri nënvizoi problematikat dhe boshllëqet që janë trashëguar nga sistemi aktual legjislativ, ku vdekja e provuar përbënte argumentin e vetëm për të ndëshkuar dikë.

Kryeministri tha se nga tetori 2017- dhjetor 2018 ka 95 referime për sigurinë ushqimore pranë organeve të ndjekjes penale dhe jo vetëm që nuk është ndëshkuar askush, por akoma më keq asnjë referim nuk është kthyer në një proces penal dhe nuk ka shkuar në gjykatë”.

Përkundrazi, vijoi Rama, “AKU ka shkuar në gjykatë për të kërkuar që prokuroria të mos mbyllë çështjet duke i konsideruar nul”.

“Kjo është një betejë më komplekse dhe më e vështirë, por e ngjashme me betejat e tjera që kemi bërë për të vendosur rend e ligj në sektorë të caktuar si energjia e me radhë. Kush merr përsipër të cenojë një rend ligjor që garanton zhvillim normal të një sektori duhet të përballet me konsekuenca dhe kush merr përsipër të cenojë shëndetin e njerëzve po ashtu”, tha Rama.

Legjislacioni i deritanishëm penal, sipas Ramës, krijonte shumë mundësi për abuzime, spekulime e korrupsion dhe krijonte një shteg të mbyllur për të goditur fenomenin”.

Ndaj Kryeministri siguroi se “në Kodin e ri Penal vendosen ndëshkime me heqje lirie, por edhe me ndalim përgjithmonë për t’u marrë me atë aktivitet në jetën e vetë, si dhe dëmshpërblimet përkatëse”.

“E njëjta gjë tek importimi, prodhimi dhe tregtimi i pijeve e ushqimeve jashtë afatit të përdorimit. AKU ka konstatuar produkte të skaduara në sasira të konsiderueshme, si makarona apo nënprodukte mishi, me tonelata një një operator biznesi ushqimor dhe ka ndodhur që për prokurorinë kjo nuk përbënte një çështje”, tha Rama.

Mashtrimi me produktet, sipas Kryeministrit, “është një tjetër nen ku po bëhen ndryshime të qenësishme”. “Kemi raste kur nënproduktet e qumështit manipulohen me përbërës të ndryshëm të palejuar apo të padeklaruar, duke u shitur si produkte të drejtpërdrejta të qumështit. Ky mashtrim do të trajtohet nga Kodi Penal”, tha Rama.

Heqja apo zëvendësimi i shenjave të sigurisë së organeve shtetërore në fushën e sigurisë ushqimore, sipas Ramës ” është një element që do të parashikohet në Kodin Penal”.

“Dënimet do të shkojnë deri në 15 vjet burg dhe më e rëndësishmja do të shoqërohen me heqjen përfundimtare të lirisë për t’u marrë me atë aktivitet edhe pasi të dalin nga burgu. Përveç gjobave përkatëse po diskutojmë edhe sekuestrimin e të gjitha aseteve të prodhimit”, tha Rama.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button